Dita e fundit e sesionit të dytë të testimeve para sezonit të F1 në Montmelo është mbyllur me sukses për pilotin gjerman Sebastian Vetel. Piloti i Ferrarit, është kthyer në pistë pas ndryshimit të programit pas aksidentit që ai pësoi të martën, që ngjalli jo pak panik. Gjermani pati në dispozicion një makinë SF90 që një ditë më parë ishte përdorur ekskluzivisht nga partneri i tij Çarles Leklerk, autori i kohës më të mirë në 1’16 “231 në provat e mëparshme. Kjo metodë e Ferrarit që i lejon të dy pilotët të ngasin të njëjtën makinë u duk si e çuditshme në fillim, por në fakt nuk është një risi.
Në veprim të tillë më herët e kishin bërë gjatë provave edhe Valteri Bottas dhe Lujis Hamilton, të cilët ndanë timonin e makinës Mercedes W10 mes mëngjesit dhe pasdites, ndërsa për Alfa Romeo e kanë përdorur Kimi Raikonen dhe nga Red Bulli, Maks Verstappen. Ndarja e makinës do të përdoret gjithashtu edhe nga Reno, me Daniel Riçiardo në pistë në mëngjes, dhe pastaj të heqë dorë nga makina, duke ia pasur atë Niko Hulkenberg në pasdite.

Kjo është një teknikë e re që po përdoret këtë sesion parapërgatitor dhe besohet se aplikohet për t’i dhënë më shumë kohë teknikëve dhe inxhinierëve që të punojnë në përmirësimin e detajeve më të vogla te makinat para fillimit të kampionatit. Përveç përdorimit të një makine nga të dy pilotët, një tjetër fenomen që ka bërë përshtypje këtë sesion provash, ka qenë edhe mosdhënia e maksimumit nga skuderitë kryesore, duke e mbajtur kështu në suspancë pritshmëritë për makinat favorite.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




