Ndërkohë që në Shqipëri mbërriti një delegacion i Bashkimit Europian për të bindur qeverinë dhe opozitën të ulen në dialog, në Kosovë mbërriti një delegacion nga Shtëpia e Bardhë, për të bindur Prishtinën të ulet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë. Edhe pse të dyja këto delegacione ndërkombëtare duket se do të kthehen të zhgënjyera në shtëpi, pas opozita shqiptare është e bindur për bojkotimin e parlamentit dhe Haradinaj për mbajtjen në fuqi të taksës ndaj Serbisë, në Kosovë vizita e amerikanëve duket se ka trazuar ujërat politike, sidomos ato rreth Vetëvendosjes.
Delegacioni amerikan po tregohet shumë selektiv në Prishtinë. Ata kanë zgjedhur pesë deputetë të opozitës por nuk kanë ftuar Albin Kurtin as në takim me krerët shtetërorë, dhe as zyrtarët e Vetëvendosjes në mbledhjen me deputetët.
Njerëzit e administratës Trump po vazhdojnë vizitën në Prishtinë ku po takojnë disa deputetët e LDK-së, Vjosa Osmanin, Lumir Abdixhikun dhe Arban Abrashi, deputetin e Alternativës Ilir Deda dhe deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, por asnjë zyrtar të partisë së Albin Kurtit.
Delegacioni i udhëhequr nga John Erath, drejtor kryesor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA dhe Brad Berkley, drejtori për Ballkanin kanë takuar të mërkurën presidentin Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Edhe pse nuk ka bërë asnjë koment publik, pak takimit me zyrtarët amerikanë, Presidenti Hashim Thaçi ka shkuar në shtëpinë e liderit të opozitës, Isa Mustafa, ku kaloi edhe natën.
Lajmi u konfirmua nga LDK-ja, në një njoftim zyrtar, duke thënë se Thaçi shkoi të njoftonte kreun e kësaj partie për takimin me amerikanët. Për shumë ekspertë, kjo lëvizje e papritur e presidentit është parë si një strategji për izolimin e Vetëvendosjes, e cila ishte përfolur këtë muaj se ishte më pranë se kurrë afrimit me LDK-në.
Për profesorin Binak Maxharraj, Thaçi dhe Mustafa po planifikojnë diçka “pas shpine” pasi sipas tij, presidenti është në kërkim të aleatëve po për realizimin e idesë së tij për ndryshimi e kufijve të Kosovës. Sipas tij nëse partia më e madhe opozitare vendos të afrohet me koalicionin qeveritar, Vetevendosja do ta gjende veten plotësisht të izoluar.

Ky zhvillim vjen pasi dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, pranuan këtë muaj se kishin përafruar më shumë se kurrë qëndrimet e tyre, sidomos për “ndalimin e keqqeverisjes” nga koalicioni Haradinaj.
Këto lëvizje u konfirmuan nga një prej deputetëve të Lidhjes Demokratike, zotit Ismet Beqiri i cili tha se partia e tij kishte kontakte më të shpeshta me Vetëvendosjen.
Këto kontakte, sipas tij, vijnë edhe si rrjedhojë e përafrimit të Partisë Socialdemokrate me partitë në pushtet. Beqiri thekson se qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi ishte shpallja zgjedhjeve të parakohshme. Beqiri, nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen LDK të formojë një koalicion qeveritar me Vetëvendosjen. Por qënndrimi i LDK-së mund të ndryshojë pas vizitës së zyrtarëve amerikane në Kososvë dhe vizitës së Thaçit në shtëpinë e zotit Mustafa.
Haradinaj “sfidon” amerikanët
Ashtu si partitë opozitare në Tiranë, edhe kryeministri duket se ka sfiduar vullnetin e delegacionit amerikan, duke mos pranuar të tërhiqet nga taksa ndaj produkteve serbe.

Takimi i krerëve shtetërorë të Kosovës me zyrtarët e Administratës Trump pasdites e të enjtes zgjati një orë e gjysmë, por burime për mediat treguan se Haradinaj ua ka bërë të qartë njerëzve të Trumpit se nuk do ta heq taksën ndaj produkteve serbe, pa një marrëveshje që garanton njohjen e Kosovës nga Beogradi.
Po ashtu përmes një postimi në rrjetet sociale kryeministri Haradinaj la të kuptohej se nuk ka ndryshuar qëndrim as pak takimit me delegacionin e lartë të SHBA-së.
Siç bën të ditur një njoftim nga Presidenca, Thaçi, Haradinaj dhe zyrtarët e lartë amerikanë “kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për situatën politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Erath dhe Berkley “kanë ripërsëritur qëndrimin e qartë të administratës amerikane për heqjen e taksës, me qëllim që t’i hapet dialogut dhe përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”,.
Thaçi i ka siguruar zyrtarët e lartë amerikanë se dhe Republika e Kosovës nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe miqësinë me SHBA-në, nën asnjë rrethanë.
Por Haradinaj duket se ka tjetër qëndrim. Përmes këtij postimi më Facebook, kreu i qeverisë ka lënë të kuptohet se nuk është lëkundur nga qëndrimi i tij për taksën ndaj produkteve serbe, dhe se ia bërë të qartë delegacionit të Administriatës amerikane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




