Politike

Socialistët injorojnë krizën: Vazhdojmë përgatitjet për zgjedhjet

Kryeministri Edi Rama u ripërsëriti socialistëve stategjinë për të injoruar aksionin e opozitës dhe dorëheqjet në grup të deputetëve të saj. Në mbledhjen e zhvilluar paraditen e kësaj të hëne, Rama kërkoi prej tyre vijimin e punës normalisht.

Shefi i Qeverisë ka kërkuar që të merren të gjitha masat e nevojshme që parlamenti të vazhdojë punimet duke nisur që nga kjo e enjte, edhe pse opozita nuk do të jetë në sallë, por në rrugë në protestën e paralajmëruar si pjesë të strategjisë për të rrëzuar Ramën.

Ky ishte thelbi i fjalës së mbajtur nga Kryeministri në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura. Ai që konfirmoi këto deklarata ishte kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

“Të enjten do të votojmë për strukturat e KLGj dhe KLP-së”, tha ai shkurtimisht për mediat në dalje pas mbledhjes së Kryesisë së socialistëve.

Balla u referohej kërkesave për buxhet të përfshira në kalendarin e punimeve të Kuvendit nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Për socialistët situata është mëse normale, aq sa Kryeministri u ka shpërndarë edhe udhëzimet që të mos ndalojnë përgatitjet dhe motivimin për organizimin e partisë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Kryeministri i qëndron bindjes së shprehur edhe për mediat italiane, ku tha se në Shqipëri nuk ka asnjë revoltë popullore, por vetëm një protestë të organizuar nga opozita, që sipas tij po i fryn zjarrit. Për këtë në mbledhjen e Kryesisë është diskutuar edhe për Kongresin e PS-së të 23 marsit, kur do të shpallen kandidatët socialistë për kryebashkiakë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë