Marrja e dritës jeshile nga ana e Komisionit të Ligjeve ditën e martë ka bërë që të shkojnë për shqyrtim në seancë plenare kërkesat e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për buxhetin 2019.
Dy institucionet e konstituuara në muajin dhjetor të vitit të kaluar nuk ishin parashikuar në buxhetin e shtetit për këtë vit. Por, në bazë të ligjeve në kuadër të reformës në drejtësi, KLGJ, KLP, por edhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë menaxhojnë në mënyrë të pavarur buxhetet e tyre, ndërkohë që kërkesa për paratë u drejtohet ligjvënësve.
Për 2019, KLGJ dhe KLP kërkojnë në total rreth 490 milionë lekë. Paratë janë të ndara sipas zërave të shpenzimeve, ku peshën më të madhe e zënë pagat dhe sigurimet për punonjësit.
KLGj kërkon 272 milionë lekë për 144 punonjës, ku 71 prej të cilëve janë në institucionin e Këshillit të Lartë të drejtësisë, i shkrirë tashmë dhe për Zyrën e Administrimit të Buxheteve Gjyqësore. Në buxhetin e 2019, 127 milionë lekë ishin parashikuar për KLD dhe 29.7 milionë të tjera për ZABGJ. Buxheti shtesë që kërkon KLGJ është 115 mln lekë.
Projektvendimet janë përfshirë në kalendarin e punimeve të Kuvendit për në seancën e ditës së enjte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.