Ekspozite

Një artist shqiptar merr në mbrojtje Donald Trumpin

Suadela Balliu – Herë si një Laokont ku gjarpërinjtë helmues janë mediet, herë si një Salvator Mundi i Da Vinçit dhe herë si një Rambo apo si një dem i Wall Street-it. Presidentin e dyzetepestë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump e sheh ngado; nga arti i antikitetit, tek Rilindja Europiane, surrealizmi e deri tek pop art-i, të cilin artisti Avni Delvina e servir në dyzetegjashtë tablo në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në ekspozitën e tij të fundit, çelur mbrëmjen e 17 shkurtit. 

Nisur nga titulli i ekspozitës, “The Donald”, nuk përbën habi që presidenti aktual i ShBA-së është subjekti protagonist në thuajse secilën vepër.  Ajo  që të bën të paqartë ndërsa kalon nga një  tablo – punuar me teknikën e kolazhit – e titulluar “Mikelanxheloja pikturon ushtrinë e Kosovës”, ku  presidenti Trump shfaqet si arkitekti që solli në jetë ushtrinë e shtetit, i cili në ditën e çeljes së ekspozitës mbushi 11 vjet të pavarësisë, tek një tjetër vepër e Mikelanxhelos “Krijimi i Adamit”, ku gishti i Zotit shkruan në murin e tempullit të Jerusalemit emrin e Donald Trump apo si një Noe mbi Arkën e shpëtimit, ndërsa të gjithë ata që kanë protestuar kundër tij, nën përmbytjen e madhe. A po përdor Delvina mjetet e tij shprehëse, përmes artit figurativ si tallje ndaj një personazhi, që nuk i ka shpëtuar  sarkazmës së artistëve e figurave publike, kundërshtues të politikave të tij populiste dhe radikale, që kulmojnë me shprehjen “Make America Great Again” – Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore?  

Delvina e përdor shprehjen në një tablo ku portreti Donald Trump shfaqet i skalitur në Malin Rushmore, në krah të  presidentëve George Washington, Thomas Jeffereson, Theodore Rusvelt dhe Abraham Lincoln.A është kjo ekspozitë dhe gjuha figurative e Avni Delvinës një përpjekje për të nxjerrë në dritë të mirë presidentin e keqkuptuar nga shumë dhe të kryqëzuar nga mediet në të gjithë botën?

Autori e pohon. Ishte pikërisht ajo furi e shtypit ndërkombëtar, që sipas Delvinës, pati një lëvizje të organizuar, kundër Donald Trump, që e çoi artistin shqiptar të përdorte mekanizmat e tij në kundërshtim të kësaj fushate, “të dhunshme”, do të shprehej vetë Delvina. Kështu, Avni Delvina, i cili prej vitit 1991 jeton në Itali, nisi të krijonte këto tablo duke i postuar fillimisht në rrjetet sociale. Pas inkurajimit të miqve vendosi ta sillte në formën e një ekspozite. Sipas artistit, Donald Trump solli jo vetëm një frymë të re, por edhe tërmet, “për të cilën  politika botërore kishte nevojë”, është shprehur ai.

Kundërpërgjigja ndaj medieve ndërkombëtare ka gjetur nxitje edhe simpatinë personale të artistit që rrjedh nga familja e atdhetarëve Delvina, ndaj Republikanëve amerikanë. “Ajo që e nxiti idenë ishte organizimi i orkestruar i shtypit botëror, pas fitores së Donald Trump. Lindi kjo ndjesi “Do të bëj diçka kundër këtij orkestrimi të organizuar”, ka rrëfyer Delvina gjatë çeljes së ekspozitës. Sipas njërit prej kuratorëve të ekspozitës, Ardian Devolli, kjo ekspozitë është shqetësimi i një qytetari të botës rreth zhvillimeve social-politike të saj.

Në një prej tablove presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës shfaqet në Sheshin “Skënderbej”, në Tiranë në një peizazh gri e të përmbytur nga ujërat, me titullin “Ftohtë në Tiranë, që vjen ndoshta si referencë edhe të shprehjeve të kryeministrit shqiptar Edi Rama, përpara fitores së Trump, se nëse ai zgjidhej president do të qe fatkeqësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, në një tjetër tablo, shfaqet ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili merr bekimin e George Sorosit. Me këtë të fundit, Delvina ka krijuar një sërë situatash ku Trump në përballje me Soros shfaqet gjithnjë ngadhënjimtar, ku secili syresh paraqet një anë të shoqërisë; Trump për shoqërinë e fortë, ndërsa Soros për shoqërinë e hapur.

Kështu artisti shqiptar duket sikur merr flamurin e së vërtetës në përballje me gënjeshtrat universale.Delvina nxjerr zemëratën e tij, duke marrë kështu në mbrojtje liderin më të pushtetshëm të politikës botërore edhe ndaj Hollivudit, ku kanë qenë të shumtë aktorë, regjisorë e producentë që janë pozicionuar hapur kundër Trump si president dhe politikave të tij. Një prej tyre është edhe Robert De Niro, i cili pat deklaruar se nëse Trump fitonte zgjedhjet, ai do të largohej nga Amerika. Duke përdorur një ballinë të gazetës “The NewYork Times”, Delvina ka vendosur portretin e De Niros, ku lart shkruhet “Addio America”, duke të evokuar kështu edhe filmin epik të Sergio Leones “Once upon a Time in America”, me protagonist aktorin e njohur.

“Unë kam pasur shumë simpati për De Niron si aktor, ajo që më revolton është reagimi i tij me shprehje fyese, gati barbare kundrejt Trump”, do të shprehej Delvina, i cili quan të papranueshme ekzagjerimet, edhe pse vetë në këtë ekspozitë ka përdorur pikërisht ekzagjerimet për të shprehur qëndrimin e tij. Megjithëse protagonisti i padiskutueshëm i kësaj ekspozita që do të qëndrojë e çelur për publikun deri më 23 shkurt, është presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Avni Delvina ka sjellë edhe atmosferë  rajonale dhe të çështjeve të brendshme, ku në një tablo Romana Vlahutin, ish-ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, shfaqet me një portret medieval, ndërsa ljuta në dorën e saj është e bërë prej gjethe kanabisi, ndërsa në sfond shfaqet simboli i Drejtësisë, me sytë e fashuar apo portreti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili në pozën e skulpturës së famshme të Rodin-it, “Mendimtari”, shihet pranë bunkerëve të ndërtuar gjatë diktaturës komuniste, ndërsa në sfond duket kalaja e Krujës, me titullin “Histori e trishtuar”.

Por si do ta priste vetë presidenti i ShBA-së këtë përpjekje të artistit shqiptar? Në mbyllje të ekspozitës, tablotë do të përmblidhen në një album, i cili do t’i dërgohet   Donald Trump, ka bërë të ditur vetë piktori, si shenjë mirënjohjeje.  Një veprim të tillë do ta bënte edhe më herët, kur realizoi një grafikë për nder të presidentit amerikan George Bush, në një bust të epokës së antikitetit romak. Asokohe do të merrte një letër falënderuese nga Bush.

Po kësaj radhe, a do ta vlerësoje presidenti Trump përpjekjen e një artisti shqiptar, që si qytetar i botë, nisur edhe nga parapëlqimet e tij politike, i bën një mbrojtje presidentit  aq të kritikuar amerikan, duke ngritur një ekspozitë të tërë? Moderniteti na ofron gjithnjë e më shumë shembuj të artit të angazhuar, por kjo ekspozitë flet edhe për efektet e globalizmit, ku një artist shqiptar, i cili jeton dhe punon në Itali, shfaq anën e tij të medaljes rreth politikave amerikane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë