Lajme

9,5 mln € pasuri nga paratë e pista u sekuestruan në 2018. Ndërtimi mbetet ‘lavatriçja’ kryesore

Gjatë vitit 2018 janë sekuestruar 9,5 milionë euro asete si pasuri të krijuara nga paratë e pista. Kjo është shifra e dhënë nga ana e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arlind Gjokutaj gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë mbi veprimtarinë e këtij institucioni përgjatë vitit 2018.
“Në bazë të planit kemi bërë gati projektligje, që duhen miratuar në mars-prill 2019, për t’i lënë kohë zbatimit të tyre. Nga 347 raste, 127 prej tyre kanë shërbyer si indicie për hetim. 24 urdhra në 2018 për 5.4 mln euro. Asetet e sekuestruara në total janë 9.5 mln euro. Në 32.8 mln euro të sekuestruara gjatë 2018 të bllokuara nga llogaritë bankare, ndërsa u verifikuar 4552 persona. Nuk ka ndonjë vend të botës që nuk pastrohen para. Çështja është sa efektive janë autoritetet e një vendi. Nëse do kishim indicie për pastrim parash nga bankat, patjetër do kishte hetime për ato banka. Nuk kam informacion për banka të përfshira në pastrim parash.”- tha drejtori Gjokutaj.

Drejtori Gjokutaj gjatë fjalës së tij vlerësoi bashkëpunimin me SHISH si edhe ndërkombëtarët në goditjen e fenomenit.
“Bashkëpunimi me SHISH shumë efektiv për parandalimin e pastrimit të parave dhe terrorizmit. Në 2018, janë rikuperuar nga drejtoria e Tatimeve 34.4 mln lekë nga të dhënat që ka dërguar drejtoria jonë. 7 raste janë dërguar për kallëzim penal. Ka ende vend për forcimin e mbikëqyrjes. Bashkëpunimi me ndërkombëtarët është shumë pozitiv”, theksoi Gjokutaj para deputetëve të maxhorancës në Komision.
Ndërsa ka deklaruar se lojërat e fatit ishin një tjetër aktivitet ku rreziku i pastrimit të parave ishte shumë i lartë, duke shtuar se pavarësisht se me ligj ky aktivitet ndalohet monitorimi i nga kjo drejtori nuk është ndalur.
“Vazhdojmë monitorimin. Ka pasur raste kur janë njoftuar policia për transaksione te paligjshme te lojërave të fatit dhe ka pasur veprime konkrete”, theksoi Gjokutaj.
Përpara deputetëve të Kuvendit, drejtori DPPP theksoi se ndërtimi është sektori me rrezikshmërinë më të lartë për këtë aktivitet të paligjshëm.
“Sektori i ndërtimit është një nga ata sektorë me riskun më të lartë për pastrimin e parave. Jo më kot numrin më të lartë të subjekteve për të cilat ka pasur masa kanë qenë pikërisht firmat e ndërtimit”, theksoi Gjokutaj.
Ai u shpreh se viti 2018 , ka qënë një vit sfide për DPPPP, për shkak të angazhimit në procese të rëndësishme si, vlerësimi nga Komiteti Moneyval, përfshirja dhe kontributi i dhënë në disa Task-Forca e plane veprimi, rritja e volumit të analizës së rasteve të dyshimta.
“Sa i përket procesit të vlerësimit të Shqipërisë nga Komiteti Moneyval i KIE – vendi ynë finalizoi procesin e vlerësimit (raundi i pestë ) nga Komiteti Moneyval, për çështjet e parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, përshtatshmërisë ligjore,etj. DPPPP ka pasur një rol koordinues e udhëheqës në këtë proces , i cili përfshinte angazhimin e një sërë institucionesh publike e të pavarura”- theksoi ai në fjalën e tij.
Sa i përket bashkëpunimit me autoritet doganore , “kemi një bashkëpunim me tendenca në rritje. Dërgim prej tyre i një numri të qëndrueshëm rastesh të dyshimta ( 49 në vitin 2018, kundrejt 46, një vit më parë)”.
“Gjithashtu, vlen të përmendet bashkëpunimi me autoritet tatimore. Nga rastet e sinjalizuara nga DPPPP, janë dërguar në total 17 raste për vlerësim tatimor dhe vlera e dyshuar si e padeklaruar është 482 milionë lek , nga të cilat janë dërguar 7 raste për kallëzim penal . Vlen të evidentohet edhe rritja e bashkëpunimit të DPPPP me organet e zbatimit të ligjit dhe ato të inteligjencës .Viti 2018, shënoi një rritje me 10% të rasteve të dyshimta që subjektet e ligjit kanë raportuar në DPPPP, krahasuar me 2017”, theksoi Gjokutaj.

Deputetët kërkuan të informohen me faktin se pse numri i rasteve të kallëzuara në Prokurorinë e Përgjithshme është me i ulët se në vitet e shkuara. "Është e vërtetë që numri i referimeve në Prokurori ka pasur rënie, sepse synimi ynë si njësi inteligjence ka qenë me policinë, që pasi të plotësohen nga Policia,, të dërgohen drejt organit të Prokurorisë. Kemi synuar që të plotësojmë më tepër në detaje informacionin. 31 raste në 2017, 17 raste në 2018. Po t'i marrim në konsideratë këto dy vite me ato të mëparshmet është më i lartë”, tha Gjokutaj.
Për raportin e paraqitur, por edhe për çështjet që u ngritën prej diskutimeve të deputetëve, Komisioni i Sigurisë do të përgatisë një projektrezolutë për t’ia përcjellë më pas, seancës plenare për miratim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë