Treg

80 mln kinezë janë të papunë. 9 mln të tjerë në garë për vende pune

Një riosh 26-vjeçar që punon në fushën e teknologjisë e kaloi vitin e kaluar duke u hedhur nga një start-up në një tjetër në atë që quhet treg i pasigurt i punës. Por kur ai u pushua nga puna sërish në janar, këtë herë nga një kompani interneti me qendër në Pekin, ai kurrë nuk priste që gjërat të bëheshin kaq të vështira sa janë.

"Vitin e kaluar jam ndjerë sikur jetoja në një gjendje ferri", tha Wang për CNN Business në një intervistë telefonike. "Por viti 2020 është edhe më i keq. Koronavirusi është si një goditje në kokë."

Wang nuk është emri i tij i plotë. Ai kërkoi të mos përdorë emrin e tij të vërtetë sepse nuk donte që miqtë ose familja të dinin detajet e papunësisë së tij - një frikë e bërë jehonë nga shumë syresh të tjerë në Kinë që flasin për humbjen e vendit të punës. Disa shprehen gjithashtu të shqetësuar se bërja publike e vështirësive të tyre personale mund të dëmtonte shanset e tyre për të gjetur punë.

Pandemia, bllokoi Kinën për disa javë këtë vit, duke shkatërruar ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe duke detyruar miliona njerëz të mbeten të papunë.

Nuk ka një statistikë ekzakte se sa njerëz kanë humbur punën gjatë pandemisë. Të dhënat nga Pekini janë dukshëm të paqarta, dhe shkalla zyrtare e papunësisë - e cila gjurmon vetëm numrat e të papunëve në zonat urbane - mezi ka lëvizur nga 4% në pak më shumë se 5% për vite.

Por edhe mediet zyrtare kanë filluar të raportojnë një kulm. Papunësia në mars ishte 5.9%, pak më pak se rekordi 6.2% raportuar një muaj më parë. Kjo do të përfaqësonte më shumë se 27 milion njerëz pa punë, sipas llogaritjeve të CNN Business që ka përdorur të dhënat e qeverisë.

"Papunësia e Kinës mund të nënvlerësohet seriozisht," tha Willy Lam, profesor i asociuar në Qendrën e Studimeve të Kinës në Universitetin Kinez të Hong Kongut. "Është e pazakontë që ata janë të gatshëm të raportojnë të dhëna negative. Duke pasur parasysh që qeveria shpesh i manipulon shifrat, situata e vërtetë duhet të jetë më e keqe."

Një problem "i paparë"

Të dhënat e Pekinit, në fund të fundit, nuk përfshijnë njerëzit në komunitetet rurale ose një numër të madh të kategorisë së 290 milion punëtorëve emigrantë që punojnë në ndërtim, prodhim dhe aktivitete të tjera me pagë të ulët por me rëndësi jetike. Nëse përfshihen emigrantët, rreth 80 milion njerëz mund të regjistroheshin si të mbetur të papunë në fund të marsit, sipas një artikulli me bashkëautor Zhang Bin, një ekonomist në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale.

Ekspertë të tjerë thonë se shifra 80 milion ka shumë të ngjarë të jetë e vërtetë krahasuar me realitetin. Është shumë më shqetësuese - do të thotë që afro 10% e njerëzve në Kinë që supozohet të jenë të punësuar, në të vërtetë janë pa punë, sipas ekonomistëve në Société Générale.

"Shoku që shkaktoi Covid-19 për tregun e punës është i paparë në shkallën, gjatësinë dhe natyrën e tij," shkroi Wei Yao dhe Michelle Lam në një raport studimor javën e kaluar.

Ministria e Tregtisë nuk iu përgjigj një kërkese nga CNN Business për të komentuar këto faktet. Duke folur muajin e kaluar, një zëdhënës i Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës pranoi se tregu i punës ishte nën një presion të madh, por ai këmbënguli që punësimi i përgjithshëm ishte "i qëndrueshëm".

"Megjithëse koronavirusi ka pasur një ndikim të rëndë [në punë], nuk ka pushime masive në vend," tha Mao Shengyong në një konferencë për shtyp.

Por Pekini po përgatitet për një dhimbje shtesë në muajt e ardhshëm. Një numër rekord njerëzish po diplomohen në universitete këtë vit, gjë që do të krijojë akoma më shumë presion në tregun e punës. Dhe ndërsa ekonomia ende mund të ketë një rritje në vitin 2020, rruga e saj për një rikuperim të plotë ka të ngjarë të jetë e gjatë.

Qeveria kineze nuk ka qenë kurrë e sinqertë për problemet e saj ekonomike. Por mesazhet e fundit nga zyrtarët e kanë bërë të qartë se papunësia është një problem i madh në Kinë.

Rritja ekonomike ishte tashmë më e dobëta ndër dekada përpara se shpërthimi ta  shpinte vendin në tkurrjen e pare të tillë që nga viti 1976, kur vdekja e kreut të Partisë Komuniste Mao Zedong i dha fund një dekade trazirash sociale dhe ekonomike.

Mbrojtja e ekonomisë - dhe parandalimi i rritjes së nivelit të papunësisë që të mos dalë jashtë kontrollit– është bërë më më kritike në muajt e fundit. Në prill, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, Byroja Politike e Partisë Komuniste, organi i saj i lartë qeverisës, u tha të gjithë zyrtarëve të qeverisë që ti jepnin përparësi sigurisë në punë dhe stabilitetit social mbi gjithçka tjetër.

Kthimi i njerëzve në punë është i rëndësishëm pjesërisht sepse autoritetet kanë frikë se një valë papunësie mund të çojë në trazira sociale, duke krijuar një dhimbje koke politike, sipas Lam, profesori i Universitetit Kinez të Hong Kongut.

"Shqetësimi më i madh i Pekinit nuk është rritja e PBB-së, por punësimi", tha ai.

"Ndihem i mjerë"

Ata që kërkojnë punë nuk janë optimistë se situata do të përmirësohet së shpejti. Wang, rioshi 26 vjeçar, profesionist në fushën e teknologjisë nga Pekini, tha që duket se jeta është e vështirë për të gjithë tani.

"Ndihem në gjendje të mjerë, por nuk mund të bëj asgjë në lidhje me këtë," tha ai. "Unë nuk mendoj se dikush mundet."

Wang u shpreh se mjedisi aktual është në kontrast mjaft të lartë me kohën kur mbaroi kolegjin në vitin 2015. Pekini në atë kohë po ofronte subvencione dhe forma të tjera mbështetjeje financiare për të sapodiplomuarit, të cilat inkurajuan sipërmarrësit të krijojnë miliona kompani të reja. Shkalla e papunësisë atë vit ishte rreth 5%.

Edhe para shpërthimit të koronavirusit, Wang tha që ofertat po thaheshin. Satrt up-et e tekonologjisë ku ai punoi në 2018 dhe 2019 iu mbaruan paratë, pasi Pekini shtrëngoi rregulloret se si  mund të përfitoje nga investimet.

Por tani ai thotë se gjetja e një vendi pune është pothuajse e pamundur. Ai dhe miqtë e tij kanë filluar të ulin pritshmëritë e tyre, dhe disa syresh nuk janë as të sigurt nëse mund të qëndrojnë në Pekin.

"Tashmë kishte shenja që vitin e kaluar [të papunësisë në masë], por këtë vit po përkeqësohet më tej," tha Wang. "Unë nuk e di kur gjërat do të bëhen më mirë ... Unë thjesht do të pres".

Ka prova që është bërë më e ashpër situata për të gjetur punë. Vendet e lira të punës ranë 28% në tre muajt e parë të vitit 2020 në krahasim me tremujorin e katërt të vitit të kaluar, sipas një studimi të fundit nga Instituti Kinez për Kërkime të Punësimit dhe Zhaopin.com, një nga sitet më të mëdha për punën në Kinë. Konkurrenca, ndërkohë, ishte e ashpër: Numri i punëkërkuesve u rrit në gati 9% në tremujorin e parë, tregoi sondazhi.

Dhe kompanitë në sektorin e shërbimeve të Kinës - i cili përbën pothuajse gjysmën e të gjitha punëve në vend – kanë humbur punëtorët me një normë rekord në prill, sipas të dhënave të sondazhit të publikuara të enjten nga grupi i medieve Caixin dhe firma kërkimore Markit.

"Ndjej se tregu i punës po zvogëlohet me një ritëm të shpejtë," tha Yi Feng, 32 vjeç, i cili humbi punën e tij në mars në një firmë logjistike në Shanghai. Yi kërkoi që CNN Business të përdorte një pseudonim për të, të cilin ai e zgjodhi, duke shtuar se ai kishte frikë të fliste hapur për problemet e tij, do të ishte tregues negativ në raport me punëdhënësit e mundshëm. "Është jashtëzakonisht e vështirë të gjesh një vend pune tani, sepse shumica e kompanive kanë ngrirë punësimet e reja që nga fundi i Marsit."

Rriten punëkërkuesit

Peizazhi mund të bëhet edhe më i vështirë gjatë javëve të ardhshme. Pekini pret që rreth 8.7 milion njerëz do të diplomohen nga kolegjet dhe universitetet këtë vit, duke krijuar edhe më shumë konkurrencë për punë.

"Deri në diplomimin tim, mendoja se do të bëhesha gazetar. Por këtë vit është vërtet shumë e vështirë," tha Andrea Yao, një 22-vjeçare në Universitetin e Komunikimit të Kinës në Pekin. Ajo tha se ishte dashur të intervistohej nga një gazetë në Wuxi muajin e kaluar, por nuk mundi të shkonte sepse nuk mundi të merrte "kodin shëndetësor" i kërkuar për të hyrë në qytet.

Yao u shpreh se arriti të kontaktonte 61 ndërmarrjeve për të garuar për një vend pune, por vetëm pesë i kërkuan ti shihnin CV-në. Shumë kompani donin kandidatë që tashmë kishin përvojë.

Pak ditë më parë, "teksa merrja metronë për në [intership], papritmas ndjeva një shpërthim ankthi në zemër kur mendova se unë nuk kam një punë," tha ajo.

Të tjerë thanë se koronavirusi u ka prishur planet. Li Cuiyu, i cili po diplomohet në Universitetin e Bujqësisë në Kinë me qendër në Pekin me një diplomë master, tha se dëshironte të bëhej nëpunëse civile, në mënyrë që të mund të merrte një "hukou", ose leje regjistrimi shtëpiake, shumë të lakmuar në kryeqytetin kinez. Por provimi vjetor i kërkuar për atë punë u shty për shkak të shpërthimit të pandemisë.

Ndërsa Li po peshon mundësi të tjera - për shembull, ajo kishte kërkuar punë në kompani të huaja në Pekin – edhe kjo nuk ka qenë e lehtë.

"Thjesht nuk ka shumë reklama për rekrutim atje, dhe disa ndërmarrje të huaja tashmë po pushojnë stafin," tha ajo.

Ndihma nga lart

Pekini është i vetëdijshëm për valën në rritje të punëkërkuesve të rinj. Qeveria këtë javë zbuloi një plan për të ndihmuar të diplomuarit e rinj të gjejnë punë si mësues dhe të krijojnë pozicione të tjera "të nivelit të bazës", sipas Xinhua. Projekti gjithashtu përfshin një propozim për të zgjeruar regjistrimin në programet pasuniversitare.

Por autoritetet kanë ende një detyrë të vështirë përpara tyre ndërsa përpiqen të ndihmojnë të tjerët që kanë humbur tashmë punën për shkak të pandemisë.

"Një shqetësim i shtuar është që rrjeta e sigurisë nuk kap më të rrezikuarit," shkruante Mark Williams, shefi ekonomist i Azisë për Ekonominë Kapitale në një analzië.

Të gjithë punëdhënësve në Kinë u kërkohet me ligj që të mbulojnë sigurimin e papunësisë. Por më pak se gjysma e forcës së punës urbane ishte përfshirë nga ai program në fund të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Ministria e Burimeve Njerëzore dhe Sigurisë Sociale. Dhe ekspertë, përfshirë ekonomistët në Société Générale, kanë vërejtur se programi nuk është në gjendje për t'u marrë me rritjen e madhe të shifrave të papunësisë.

Qeveria duket se i ka njohur këto çështje, shtoi Williams, pasi kohët e fundit u zotua të ndihmojë ata që nuk kanë punë.

Por ekspertë të tjerë kanë theksuar se ka edhe sfida të tjera me të cilat përballet Pekini, ndërsa përpiqet t'i shtyjë qytetarët e saj të kthehen në punë.

Kina tashmë po lufton me borxhin në rritje, gjë që e bën të vështirë të shpenzojë më shumë në projekte të infrastrukturës që mund të krijojnë më shumë vende pune, sipas Joseph Cheng, një aktivist i demokracisë dhe një profesor në pension i shkencës politike në Universitetin e Qytetit të Hong Kong-ut. Mediat shtetërore kineze kanë sugjeruar kohët e fundit që qeveritë rajonale mund të investojnë 1.1 trilion dollarë në rrugë, aeroporte dhe projekte të tjera, por ato fonde nuk janë caktuar ende dhe nuk është e qartë nëse synime të tilla mund të arrihen.

Disa ekspertë kanë thënë që politikëbërësit në Kinë duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të siguruar që njerëzit të plotësojnë nevojat e tyre themelore, të përditshme. Ekonomistë të, Societe Générale, për shembull, thanë se një "masë më e drejtpërdrejtë, por e guximshme" do të ishte dhënia e parave të gatshme direkt për familjet me të ardhura të ulëta, në mënyrë që të anashkalojë nevojën për një program të sigurimit të papunësisë.

Edhe Zhang, ekonomisti i institucioneve të mendimit, paraqiti një propozim të ngjashëm. Ai tha se përgjigjja e qeverisë ndaj pasojave ekonomike nga virusi - i cili arrin në dhjetëra miliarda dollarë në lehtësim financiar dhe stimuj - duhet të përfshijë para cash për të varfërit. /Burimi: CnnBusiness. Përshtati në shqip Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë