Mbyllja e merkatos gjithmonë është koha më e mirë për të bërë bilance dhe parashikime. Mes disa dhjetëra transferimesh të bujshme që kanë bërë pjesa më e madhe e klubeve më të mëdha europiane, ka edhe nga ato transferime që nuk kanë bërë shumë zhurmë dhe nuk kanë kushtuar shumë, por që mund të bëjnë surprizën e bukur gjatë këtij sezoni. Më poshtë media e njohur amerikane ESPN propozon 8 transferimet e kësaj vere që janë bërë pa shumë zhurmë dhe pa shifra të ekzagjeruara parash, por pritet të shkëlqejnë.
Leon Goretzka nga Schalke te Bayern Munich, falas
I pari dhe me shumë mundësi më i suksesshmi, vjen nga klubi që është mësuar tashmë të bëjë lëvizje të tilla. Bayern Munich ka marrë nga rivali i përjetshëm Schalke 04, të ardhmen e kombëtares gjermane, Leon Goretzka pa paguar asnjë euro. Edhe pse vlera e tij në merkato shkon në 40 milionë euro, Bayern e ka përfituar Goretzka me parametër zero, pasi i kishte skaduar kontrata me Schalke. Bavarezët tashmë po e kthejnë në traditë që çdo sesion merkatoje të marrin nga një lojtar pa paguar asgjë. 23-vjeçari ka dëshmuar në dy vitet e fundit që mund të bëhet një lojtar i madh që merr përgjegjësi dhe te klubi bavarez do të ketë çdo gjë në dispozicion për t’u rritur, duke u bërë lider edhe për ekipin kombëtar gjerman.
Thilo Kehrer nga Schalke te PSG për €37m
Nga Schalke gjatë kësaj vere u largua një tjetër talent, por të paktën ky nuk iku falas. Transferimi i mbrojtësit gjerman Thilo Kehrer te PSG ndryshe nga ç’ishim mësuar më herët nuk bëri shumë bujë, por kaloi çdo gjë në qetësi. Ai ishte një kërkesë e trajnerit të ri të parisienëve Thomas Tuchel dhe pritet që të ketë një rol kyç në repartin difensiv të PSG këtë sezon. Francezët paguan 37 milionë euro për Kehrer, jo dhe aq shumë nëse do ta krahasonim me shifrat për të cilat Man. City ka blerë mbrojtësit e tij.
Vinicius Jr nga Flamengo të Real Madrid për €45m
Ai ka filluar të konsiderohet si pasaradhësi i denjë i Neymar në kombëtaren e Brazilit. Duke dëgjuar këto “thashetheme” një klub si Real Madrid nuk mund të rrinte duarkryq, por është hedhur menjëherë në sulm. “Los Blancos” kanë marrë në Madrid talentin brazilian Vinicius Jr që e kishin “prenotuar” që në verën e shkuar. Perez pagoi vetëm 45 milionë euro për të bërë brazilian madrilen, një shumë që nëse vonohej një vit mund edhe të dyfishohej për “merengues”.
Michy Batshuayi nga Chelsea te Valencia në huazim
Ai mund të jetë talenti i radhës që klubi londinez largon dhe që më pas pendohet. Michy Batshuayi është huazuar sërish nga Chelsea, por këtë herë në Spanjë te Valencia. Në sezonin e fundit në Gjermani në 14 ndeshje, Batshuayi shënoi 9 gola, pasi një dëmtim nuk e lejoi të bënte më mirë. Valencia mund të kthehet në “shtëpinë” e përheshme për belgun që duket i destinuar për të mos luajtur më me “blutë e Londrës”. Në Spanjë ai mund të shfrytëzojë fizikun e tij për t’u bërë një nga më të mirët.
Gelson Martins nga Sporting Lisbon te Atletico Madrid, falas
Diego Simeone përveçse se është një trajner i zoti, ka treguar në këto vite se di të jetë edhe një menaxher i aftë. Këtë herë argjentinasi ka marrë në anën bardhëkuqe të Madridit, Gelson Martins. Portugezi është transferuar nga Sporting te Atletico Madrid pa asnjë pagesë. Anësori 23-vjeçar do të ketë shumë rivalitet për të zënë një vend titullari në formacionin e “Los colchoneros”, por premton të jetë një goditje efikase për klubin madrilen.
Axel Witsel nga Tianjin Quanjian te Borussia Dortmund, për €20m
Deri para pak vitesh ishte një nga mesfushorët më premtues në botë. Por një lëvizje e gabuar në merkato e dëmtoi jo pak mesfushorin belg, Axel Witsel. Por këtë verë duket se ka “zënë mend” dhe është larguar nga kampionati kinez, për t’u rikthyer në Europë, te Borusia Dortmund. Gjermanët kanë paguar vetëm 20 milionë euro për një lojtarë që ka vërtetuar që nëse është në formë mund të bëhet një nga më të mirët në rolin e tij.
Ante Rebic nga Fiorentina te Eintracht Frankfurt, për €2m
Të paguash vetëm 2 milionë euro për të marrë një sulmues finalist të Kupës së Botës është shumë pak dhe një pazar i mirë. Eintracht Frankfurt ia ka dalë të ketë në skuadrën e saj për sezonin e ardhshëm kroatin Ante Rebic që është larguar nga Firorentina për vetëm 2 milionë euro. Rebic ka vërtetuar se është një blerje e zgjuar që në fillim, teksa në finalen e Superkupës së Gjermanisë shënoi dy gola për ta ndihmuar ekipin e tij të fitojë trofeun.
Clement Lenglet nga Sevilla te Barcelona, për €35m
Barcelona u kursye me transferimet e bujshme këtë verë. Por nuk janë kursyer që të bëjnë një goditje të zgjuar. Katalanasit kanë marrë nga Sevilla mbrojtësin 23-vjeccar Clement Lenglet. Bracelona ka paguar vetëm 35 milionë euro për mbrojtësin që është projektuar si zëvendësuesi i Umtiti apo Pique në qendrën e mbrojtjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.