Politike

8 kushtet e studentëve, çfarë propozon LSI përmes amendamenteve

Dy deputetet e LSI-së, Kejdi Mehmetaj dhe Floida Kërpaçi dorëzuan amendamentet në Kuvend për të ndryshuar ligjin “Për Arsimin e Lartë” dhe ndryshimin e Buxhetit të Shtetit.
“Ne gjykuam që nuk ka më kohë të presim as për Kryeministrin as për qeverinë, ne morëm aktin konkret, sollëm zgjidhje konkrete në Parlament që zgjidhin të teta kërkesat e studentëve. Janë dy ndërhyrje në ligjin për buxhetin e vitit 2019. Dhe një ndërhyrje ose disa amendime në ligjin për arsimin e lartë. Të 18 votat e LSI do të jenë bllok në Parlament, për të zgjidhur problemet e studentëve. Nga ana tjetër, e pamë dje që pështyma iu tha Kryeministrit, tentoi të bënte një shou tërësisht të pavlerë, me disa studentë që më shumë se partiak ishin njerëz të tij, të urdhëruar për të qenë aty. E pamë që pështyma iu tha kur përpara kryeministrisë kishte qindra studentë që protestonin dhe protestuan gjatë gjithë natës. Kishte përpara Ministrisë së Arsimit gjithashtu qindra studentë që protestonin dhe studentët të shpërndarë gjithandej nëpër pika strategjike të Tiranës”, tha deputetja LSI-së, Kejdi Mehmetaj pas depozitimit të amendamenteve.
LSI kërkon që amendamentet të shqyrtohen më një procedurë të përshpejtuar, si dhe besojnë se këto ndryshime i zgjidhin 8 kërkesat e studentëve që i kanë paraqitur zyrtarisht kryeministrit Edi Rama.
Kështu në ligjin “Për Arsimin e Lartë” kërkon ndryshimi i katër neneve. LSI kërkon rritjen e përfaqësimit në nivelin 50% të studentëve në organet vendimarrëse të Universitetit, pra në Senatin Akademik dhe në në të njëjtën kohë rritje të peshës së votës së tyre në përzgjedhjen e figurave drejtuese të organeve të universitetit.

Nisma e LSI pët ndryshimin e ligjit "Për Arsimin e Lartë"


“Anëtarët e senatit në institucionet e arsimit të lartë i përkasin kategorisë “Profesor” ose kanë gradën shkencore “Doktor” (“PHD”), të fituar pranë universiteteve të vendeve anëtare të OECD-së ose BE-së, në mungesë të autoriteteve drejtuese me këtë titull dhe, për efekt të përfaqësimit, kategoria e tyre mund të zbresë, sipas përcaktimeve të bëra në statutin e institucionit. Në Senatin Akademik përfaqësohen edhe studentët në institucionet publike, në masën pesëdhjetë për qind, ndërsa në institucionet jopublike përfaqësohen në masën e përcaktuar në statutin e institucionit”, thuhet në amendim e LSI-së që kërkon ndryshimin e nenit 37, pika 4 të Ligjit.
Ndërsa kërkon që ndryshohet edhe vota për zgjedhjen e rektorit të Univerisitetit, duke i dhënë më tepër peshë votës së studentëve. “Neni 39 pika 2 të ndryshohet si vijon: Në institucionet publike të arsimit të lartë, ai zgjidhet nga anëtarët e asambleve të personelit akademik të njësive kryesore dhe studentët. Votat e studentëve në përzgjedhjen e rektorit llogariten në masën pesëdhjetë për qind të totalit të përgjithshëm të votave. Kandidatët për rektor vetëkandidohen”, thuhet në propozimin e LSI-së.
Amendamenti tjetër ka të bëjë me përfaqësimin e studentëve në Bordet e Administrimit, si dhe në IAL-të, një kërkesë e shpallur prej tetë ditësh nga ana e tyre. “Neni 42 pika 3 të ndryshohet si vijon: Në institucionet publike të arsimit të lartë ai zgjidhet nga asambleja e personelit akademik të njësisë kryesore dhe studentët. Votat e studentëve në përzgjedhjen e drejtuesit llogariten në masën pesëdhjetë për qind të totalit të përgjithshëm të votave. Kandidati për drejtues vetëkandidohet. Ai është personel akademik i kategorisë “Profesor”dhe mund të vijë nga radhët e personelit akademik të institucionit të arsimit të lartë ose dhe jashtë tij. Kriteret specifike përzgjedhëse të kandidatëve konkurrues përcaktohen në statutin e IAL-së përkatëse”, thuhet në propozimet e LSI-së. “Neni 48 pika 2 të ndryshohet si vijon: Bordi i Administrimit përbëhet nga tre përfaqësues të IAL-së, nga tre përfaqësues të Ministrisë së linjës dhe një përfaqësues nga studentët. Në rastet kur njësia e qeverisjes vendore, në territorin e së cilës zhvillon veprimtarinë institucioni i arsimit të lartë, kontribuon financiarisht, së paku në masën prej dhjetë për qind të buxhetit afatmesëm të IAL-së, atëherë një prej përfaqësuesve, që i takon ministrisë përgjegjëse për arsimin, përcaktohet nga njësia e qeverisjes vendore”, thuhet në mendimin e fundit të deputeteve të LSI-së.


Fondet për buxhetin dhe tarifat


“Në tabelën 1 që i bashkëlidhet nenit 10 të ndryshohet totali i shpenzimeve buxhetore për zërat Arsim Universitar dhe Fonde për shkencën si më poshtë: Totali i Shpenzimeve Buxhetore për Arsimin Universitar të bëhet 14.909.916.000 Lek. Totali i Shpenzimeve Buxhetore për Fonde për Shkencën të bëhet 1.240.000.000 Lek”. Ky është propozimi i LSI-së me nismën e dytë sa i përket çështjes së fondit për përballimin e tarifave për studentët nga ana e shtetit. Në relacionin e paraqitur, LSI propozon që në buxhetin e vitit 2019 të dyfishohen zërat për Arsimin Universitar dhe Kërkimin Shkencor, duke e çuar në total rreth 1% të PBB, kjo me qëllimin përgjysmimin e tarifave deri në zerimin e tyre, pajisjen me Kartë Studenti të studentëve, ngritjen e Bibliotekës Online dhe përditësimi i teksteve online, mbështetje me buxhet kërkimi shkencor, si masa minimale për të filluar zgjidhjen e situatës në të cilën ndodhet arsimi i lartë.


Gjithashtu LSI kërkon që të parashikohet në buxhet një fond emergjence për Arsimin për t’u përdorur për përmirësimin e kushteve dhe të infrastrukturës për godinat universitare. “Krijohet Fondi i Emergjencës në Arsim me vlerë 5 miliard lekë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë i cili do të përdoret për përmirësimin e infrastrukturës të “Shoqërive të Trajtimit të studentëve në Tiranë dhe në Rrethe” dhe infrastrukturës universitare në përgjithësi. “Krijohet Fondi i Emergjencës në Arsim me vlerë 5 miliard lekë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë i cili do të përdoret për përmirësimin e infrastrukturës të “Shoqërive të Trajtimit të studentëve në Tiranë dhe në Rrethe” dhe infrastrukturës universitare në përgjithësi”, thuhet në propozimin e LSI-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë