Analize

Refugjatët në Shqipëri për të shpëtuar Merkelin?

Edhe pse enden vazhdimisht shumë pranë kufive të vendit tonë, pak refugjatë do të zgjidhnin Shqipërinë e varfër si një pike ndalesë në udhëtimin e tyre të rrezikshëm drejt vendeve të pasura të BE-së. Por kjo duket se e bën Shqipërinë një “vend të përkryer” në sytë e Gjermanisë dhe Bashkimit Europian, për strehimin e mijëra refugjatëve nga Siria dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme, me qëllim që mos arrijnë në “tokën europiane”.Ndërtimi i një kampi gjigant refugjatësh në vendin tonë është sinjalizuar ditën e djeshme edhe nga media gjermane “DW”, e cila thekson ndër të tjera se kjo do të ishte shpresa e vetme e Kancelares Merkel për të mbijetuar.

“Shqipëria thuhet se është e hapur për të strehuar nëpër qendra pritëse të gjithë individët që kërkojnë azil në BE. Ky plan mund të ndihmojë kancelaren gjermane Angela Merkel të qëndrojë në pushtet dhe do të qetësonte ministrin e brendshëm gjerman”, shkruan “DW” në fillim të artikullit. Ideja e kampeve jashtë BE-së, erdhi fillimisht nga Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk dhe Kancelari austriak, Sebastian Kurz, të cilët sugjeruan kohët e fundit vendosjen e një sërë qendrash pritjeje, brenda Evropës, por jashtë territorit të BE-së. Tanimë media gjermane sygjeron se Shqipëria duhet të përzgjidhet për të shërbyer si vend pritës për azilkërkuesit që drejtohen për në Bashkimin Evropian.

Zëdhënësi i qeverisë austriake Peter Launsky-Tieffenthal, tha për “DW “se bisedimet rreth qendrave të tilla janë në fakt në zhvillim e sipër me Shqipërinë dhe vendet e tjera. Por Endrri Fuga, këshilltari për mediat i Kryeministrit Edi Rama deklaroi se nuk po ndodhte asnjë negaciatë e tillë. Ndërkohë, opozita e Shqipërisë pretendon se qeveria dëshiron të hapë qendrat e pritjes për refugjatët, me shpresën se do të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të vendit në BE.

Statusi quo

Aktualisht, azilkërkuesit vazhdojnë të emigrojnë drejt BE-së, përgjatë të ashtuquajturës rrugë ballkanike. Megjithatë, shumica e refugjatëve përpiqen të arriijnë bllokun europian përmes Detit Adriatik, edhe pse Italia, Malta dhe Greqia kanë ngurruar të marrin një numër të madh të azilkërkuesve. Nga ana tjetër, anëtarët e BE-së, duke përfshirë Gjermaninë, janë të dëshpëruara për të riatdhesuar sa më shpejt azilkërkuesit e refuzuar. Pra, ku ndodhet Shqipëria në këtë fotografi? “DW”, shkruan se Shqipëria ndodhet përgjatë rrugës së emigracionit ballkanik dhe atij mesdhetar, ku arrijnë shumica e azilkërkuesve. Media gjermane thekson se porti i Durrësit ka kapacitet të regjistrojë dhe të strehojë një numër të madh individësh që përpiqen të kalojnë detin, për t’u shoqëruar më pas në Shqipëri me anije nga agjencia kufitare Frontex. Duke qënë se në Shqipëri, individët nuk kanë të drejtën e azilit, shumica e tyre mund të riatdhesohen, ndërsa refugjatët në nevojë dhe atyre që do tu jepet e drejta e azilit do të shpërndaheshin në të gjithë BE-në.

“DW” thotë gjithashtu se Shqipëria do ishte zgjedhja më e mire për ndërtimin e kampeve të jashtme të refugjatëve: Tirana nuk është anëtare e bllokut europian që do të thotë se rregullat e Shengenit që garantojnë kufijtë e hapur nuk zbatohen për vendin tonë. Shqipëria nuk është pjesë as e marrëveshjen e BE-së të Dublinit që përcakton udhëzimet për procesin e azilit. Megjithatë vendi ynë është anëtar i NATO-s, për më tepër, Shqipëria e veriut është shumë malore dhe formon gjithashtu një kufi natyror me territorin e BE-së.

A është gati Shqipëria?

Media gjermane pretendon se Shqipëria ka përvojë të mjaftueshme në strehimin dhe kujdesin e refugjatëve. Fillimisht vendi ynë strehoi 1 milion shqiptarët e Kosovës, gjatë viteve 1998 dhe 1999. Dhe pas fluksit të refugjatëve në Evropë në vitin 2015, Shqipëria rriti në mënyrë të konsiderueshme kapacitetin e saj për të strehuar emigrantët. Sipas “DW”, këto qendra pritëse mbeten kryesisht të papërdorura. Neven Cërvenkovic, zëdhënësi i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët (UNHCR) për Evropën Juglindore, konfirmoi se që nga viti 2017, Shqipëria ka dyfishuar kapacitetin e saj për të strehuar azilkërkuesit. Media gjermane e konsideron Shqipërinë si shpresën më të madhe të BE-së, duke theksuar se Tirana tashmë i plotëson shumë nga standardet humanitare të bllokut europian.

Ministri i brendshëm shqiptar Fatmir Xhafaj është duke vizituar kryeqytetet evropiane për takime bilaterale, duke mbajtur një sërë negociatat mbi çështjen e emigracionit. Të enjten, Xhafaj ishte në Berlin për bisedime.

Si do të përfitonte Merkel nga marrëveshja?

Në takimin e tij të fundit me kancelarin austriak, Sebastian Kurz, Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer tha se mbështet idenë e qendrave të refugjatëve jashtë territorit të BE-së. Një marrëveshje e mundshme me Shqipërinë mund të ndihmojë në lehtësimin e tensioneve midis kancelares gjermane Angela Merkel dhe Seehofer. Ndërtimi i kampeve të BE-së në Shqipëri do të plotësonte kërkesën e ministrit të brendshëm që që azilantët të mbaheshin fillimisht jashtë BE-së, por të ishin nën mbikëqyrjen e fuqive europiane. Partia e ministrit të Jashtëm gjerman do të përfitonte nga një marrëveshje e tillë në zgjedhjet e ardhshme shtetërore të Bavarisë, ku po përpiqet të mbajë larg partinë ekstremiste të Gjermanisë (AfD).

Por media gjermane, thekson se Shqipëria gjithashtu do të përfitonte nga një marrëveshje e tillë. Sipas “DW”, duke hapur qendrat pritëse të BE-së, Tirana mund të shihej me një sy më favorizues nga forcat konservatore europiane, të cilët janë skeptikë për fillimin e bisedimeve anëtarësimit të vendit tonë. Por as “DW” dhe asnjë nga mediat e tjera ndërkombëtarë që sygjerojnë emrin e Shqipërisë për ngritjen e kampeve të refugjatëve, nuk përmendin asnjë nga pasojat e mundshme të strehimit të më shumë se 500 mijë azilkërkuesve në një vend të vogël dhe të varfër si Shqipëria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë