Ne rrjet

Shqipëria zbrazet. Vijnë emigrantë turq, kinezë e kolumbianë

Bledar Hoti - Shifrat zyrtare flasin se 1,5 milionë shtetas shqiptarë jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë. Kjo është shifra zyrtare dhe tejet alarmante që jepet nëpërmjet Strategjisë të përgatitur nga ana e qeverisë "Strategjia kombëtare për qeverisjen e migracionit dhe plani i veprimit 2019 - 2022".

Shqipëria mbetet një vend emigracioni dhe me këtë dokument, qeveria shqiptare po synon që të realizojë politika të reja për thithjen e investimeve nga jashtë të shqiptarëve dhe mbi të gjitha krijimin e mundësive që emigrantët që jetojnë jashtë vendit të investojnë apo të punojnë në atdheun e tyre.

Faksimile e dokumentit të Strategjisë

Në dokument, në vitin 2017 llogaritet që rreth një e treta e popullsisë jeton jashtë vendit. Shumica e komuniteteve të migrantëve ndodhen në vendet fqinje, Itali me 448 407 shtetas dhe Greqi 356 848 shtetas. Megjithatë ka një tendencë në rritje në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe në Amerikën e Veriut dhe në Kanada. Sipas INSTAT, në Shqipëri, popullsia në vitin 2017 ishte 2 873 457 banorë.

Por cilat janë shkaqet e emigracionit, sipas këtij dokumenti zyrtar që pritet të miratohet së shpejti nga ana e qeverisë shqiptare?   

Edhe pse në këtë dokument vlerësohet se Shqipëria ka pësuar sipas qeverisë përmirësim të vazhdueshëm të kushteve të jetesës në vend, rritjes së qëndrueshme ekonomike, si dhe sigurisë publike, shqiptarët vijojnë të largohen. Por në të jepen pesë arsye se pse largohen shqiptarët, çka bie në kundërshtim me vlerësimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike në vend.

Emigracioni nga Shqipëria nxitet kryesisht nga arsye ekonomike: papunësia dhe përpjekja për kushte më të mira jetese. Dy kategori të personave, të rinjtë dhe gratë e kanë parë veçanërisht të vështirë situatën në tregun të punës në vend. Në vitin 2017, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç, të cilët nuk ishin të punësuar dhe nuk ndiqnin shkollën apo formimin profesional, përbënin 29.7% të të gjithë të rinjve. Vetëm 50.3% e grave, krahasuar me 64.3% të meshkujve ishin të punësuara.

“Sipas INSTAT-it, pesë faktorë vlerësohen që ndikojnë aktualisht në emigracionin drejt BE-së, të cilët përfshijnë: mundësinë për të punuar jashtë vendit (84%), bashkimin familjar (4.6%), ndjekur nga papunësia në Shqipëri (4.2%), mundësinë për të studiuar jashtë vendit (3.5%) dhe faktorë të tjerë (3.6%). Faktorë të tjerë tërheqës janë gjithashtu cilësia më e mirë e trajnimeve dhe mundësive arsimore jashtë vendit. Nga ana tjetër, mangësitë e institucioneve publike dhe shërbimeve publike kanë shërbyer si "faktorë nxitës", duke ndikuar negativisht në përpjekjen dhe perspektivën e migrantëve për t'u kthyer dhe për t’u vendosur në Shqipëri", thuhet në dokumentin e Strategjisë të siguruar nga Gazeta SI.

Ndërsa një fenomen problematik është ai i azilkërkuesve, ku shqiptarët po kërkojnë qëndrime në shtete të BE-së, ku shifrat më të larta janë në Gjermani apo dhe në Francë. Kësaj kategorie iu është refuzuar kërkesa për azil ose që kanë qenë me qëndrim të parregullt në vendet e BE.

Të huajt në Shqipëri
Në dokument strategjik theksohet se Shqipëria do t'u mundësojë shtetas të huaj që vijnë në Shqipëri mundësi punësimi dhe dhënien e dokumenteve të qëndrimit, nëse ato aplikojnë për jetuar në vendin tonë.
Aktualisht ka një rritje të numrit të migrantëve që hyjnë në Shqipëri, duke theksuar se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më tepër vend tërheqës dhe po shërben si destinacion për imigrantët ekonomikë, studentët, azilkërkuesit dhe refugjatët, megjithëse shifrat janë relativisht të ulëta.

Gjatë vitit 2017, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit ka dhënë gjithsej 1,705 leje pune për të huajt. Numri më i madh i lejeve të punës është lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Punësimit në Tiranë për 651 leje pune.

Po cilët janë shtetasit që preferojnë të vijnë për të jetuar në Shqipëri? Sipas dokumentit zyrtar, vendet e origjinës në krye të listës me marrës të lejeve të punës në vitin 2017 përfshinin Turqinë me 582 ose 34% të totalit të lejeve të punës të lëshuara, pasuar nga Kina me 208 leje pune ose 12% të totalit dhe Kolumbia, ku janë dhënë 85 leje pune ose 6% total. Nga 1,705 leje pune gjithsej për vitin 2017, 245 ose 14% e tyre u janë dhënë grave dhe 1,142 kanë qenë aplikime për herë të parë.

Shtetasit turk më së shumti janë punësuar në sektorin e ndërtimit, edukimit dhe shëndetësisë, ndërsa shtetasit kinezë janë punësuar në industrinë e nxjerrjes, si miniera dhe gurore.

Ndërsa shtetasit kolumbianë janë të punësuar në sektorin e ndërtimit në profesione si saldatorë, mekanikë, elektrikë dhe drejtues të makinerive të rënda për ndërtimin e tubacionit të gazit.   

Për shkak të konflikte të ndodhura në Lindjen e Mesme në Shqipëri kanë ardhur persona me shtetësi të ndryshme, ku shumica janë sirianë dhe afganë dhe shpesh hyjnë në vend pa leje hyrjeje.

Por mbi bazën e shifrave, ekziston skenari i rritjes së shifrave të azilantëve që vijnë në Shqipëri. Kjo për faktin se në viti 2018, tregon një rritje të mprehtë të numrit të personave të ndaluar në zonat kufitare me 3,088 persona janë ndaluar në gjashtë muajt e parë të vitit 2018, krahasuar me 1049 në vitin 2017. Kjo rritje shoqërohet edhe me një rritje të numrit të kërkesave për azil me 1,901 në gjysmën e parë të vitit 2018, nga 309 në vitin 2017.

Emigrantë, foto ilustruese

“Rritja e kërkesave për azil ka të ngjarë të vazhdojë. Skenari më optimist i ndërtuar nga ky studim në bazë të analizës së rritjes së hyrjeve dhe larmishmërisë së origjinës të këtyre hyrjeve, tregon se numri i kërkesave për azil do të arrijë në 3,000 në vitin 2019 për 6,000 hyrje gjithsej; ndërkohë që skenari pesimist tregon gjithsej 7,500 kërkesa për azil në vitin 2019 për 13,000 hyrje gjithsej”, thuhet në dokument.

Lidhur me vendet e origjinës, në vitin 2018, 48% e të ndaluarve deklarojnë se janë nga Siria 1338; prej të cilëve 984 kërkesa për azil të ndjekur nga shtetësi të tjera si Pakistani 443, prej të cilave 307 kërkesa për azil, Iraku 235 prej të cilave 151 kërkesa për azil, Algjeria 172 prej të cilave 86 kërkesa për azil, Libia, Maroku, Palestina, Afganistani, Jemeni dhe Irani me më pak shifra. Gratë dhe fëmijët përbëjnë një numër të pakët, por shumica e tyre kanë qenë shtetas sirianë që kanë kërkuar azil. Po rreziku i shtimit të numrit ekziston akoma, pasi në Greqi aktualisht jeotjnë 58,100 refugjatë dhe azilkërkues. Shifrat janë në rritje, ndërsa në gjashtë muajt e parë të vitit 2018, 13,717 refugjatë dhe migrantë të tjerë kanë mbërritur në Greqi me rrugë detare, dhe janë regjistruar 7,343 imigrantë dhe refugjatë. Kjo shënon rritje 67% krahasuar me 4,407 të raportuar në të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Azilkërkuesit që vijnë nga Greqia dhe të intervistuar në Shqipëri, si shkak për lëvizjen e mëtejshme konfirmojnë procedurat e zgjatura të azilit në Greqi, kushtet e pa-përshtatshme të pritjes në brendësi dhe në ishuj, si dhe dëshirën e tyre për t’u bashkuar me anëtarët e familjes në Shtetet Anëtare të BE. Sipas të dhënave përqindja e shtetasve të huaj që bënë kërkesë për azil me të mbërritur u dyfishua nga 33% në vitin 2017 dhe vitet e mëparshme në 66% në gjysmën e parë të 2018. Ndërsa një problem jo i vogël sipas ministrisë së Brendshme është fakti se me Greqinë nuk marrëveshje ripranimi, i kthimit të të huajve në vendet e origjinës.

Punësimi i të huajve dhe rrjedhja e “trurit”


Në këtë strategji përcaktohet se Shqipëria do të mundësojë punë shqiptarëve të larguar, duke i ofruar mundësi për trajnime dhe punësime, por edhe thithjen e parave të tyre që të investojnë në Shqipëri.
Raporti më i fundit i vlerësimit të nevojave të aftësive për Shqipërinë tregon se një e treta 39.9% e ndërmarrjeve deklaruan se personelit të tyre ekzistues i mungonin aftësitë, një shifër dy herë më e lartë se ajo e raportuar në vitin 2014. Furnizimi me ujë, kanalizimet dhe mbetjet, minierat dhe guroret janë sektorët që vuajnë më shumë nga mungesa e aftësive mes punonjësve aktualë. Arsyeja mbizotëruese e raportuar për bizneset që përballen me mungesa të aftësive, është tregu i punës që nuk është në gjendje të ofroje kandidatë me njohuri dhe aftësi të mjaftueshme.
Gjithashtu në dokument parashikohet edhe marrja e masave për parandalimit e saj që cilësohet si rrjedhja e trurit. Kushtet e lehtësuara (të tilla si heqja e taksave të përkohshme etj.) për anëtarët e diasporës me aftësitë e kërkuara do t'i inkurajonin ata të fillonin punë në Shqipëri në veçanti në kontekstin e nismave pilot në sektorët që përjetojnë largimin më të madh të profesionistëve.

Por nëse shqiptarët refuzojnë, Strategjia parashikon gjetjen e profesionistëve me të huajt që imigrojnë në Shqipëri. Kjo duket se është zgjidhja e ofruar nga qeveria si alternativë e mbushjes së vakuumit të profesionistëve.

“Shqipëria ka një sistem kuotash për menaxhimin e imigracionit të punës, i cili synon të përcaktojë aktivitetet dhe profesionet për të cilat lejohet punësimi, si dhe numri i lejeve të punës. Procesi i përcaktimit të kuotave vjetore për punësimin e imigrantëve varet shumë nga prioritetet e politikave të migracionit dhe nga situata e ndryshueshme në tregun e punës (sidomos në lidhje me punësimin sezonal). Ky proces ka pasur një efekt të kufizuar dhe duhet të rishikohet për të reaguar më mirë ndaj nevojave të tregut të punës, sidomos në sektorët me mungesë të aftësive. Për më tepër, në të ardhmen e afërt, Shqipëria, njësoj si shumë vende fqinje të BE-së, do të duhet të marrë në konsideratë ofrimin e skemave specifike për tërheqjen e profesionistëve të huaj dhe punëtorëve të kualifikuar në sektorët me kërkesë të lartë, përfshi këtu edhe kombinimin e lejes afatgjatë të qëndrimit dhe të punësimit”, thuhet në dokument.

Punëtorë ndërtimi

Të huajve i jepet mundësia e aplikimit për leje qëndrimi dhe punësimi në vend. Aplikimi për leje qëndrimi afatgjatë mund të refuzohet vetëm për të huajt që vërtetohet se janë akuzuar ose dënuar për krime të kryera në Shqipëri dhe kur ekziston rreziku i kërcënimit të sigurisë kombëtare dhe rendit publik.

Statusi i qëndrimit afatgjatë është i përhershëm dhe leja rinovohet automatikisht pas 7 vjetësh. Ajo mund të revokohet vetëm nëse dokumenti është marrë nëpërmjet informacionit të rremë, mbajtësi është subjekt i largimit, përbën kërcënim për sigurinë publike ose ka jetuar jashtë vendit për më shumë se 12 muaj rresht.

Kostoja e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e masave të parashikuar në Strategji është rreth 309.7 milionë lekë ose afërsisht 2.5 milionë euro . Burimet financiare nga buxheti i shtetit mbulojnë rreth 80.8% të kostos së strategjisë, përkatësisht rreth 250.2 milionë lekë. Ndërsa burimet e financimit të angazhuara nga donatorët mbulojnë të kostos së strategjisë 0.9% ose 2.7 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë