Analize

Përse të gjitha gjurmët e kampit të refugjatëve të çojnë drejt Shqipërisë?

Tashmë është zyrtare se disa vende të BE po diskutojnë ngritjen e një kampi për azilkërkuesit e refuzuar, në një shtet që ndodhet në kontinentin europian, por nuk është pjesë e unionit. Në një fjalim në Bruksel, Kancelari austriak Sebastian Kurz konfirmoi raportet mediatike, duke thënë se bisedimet për ndërtmin e kampit kishin arritur tashmë në një fazë të përparuar. "Ne kemi sugjeruar prej kohësh se do të ishte mirë t’u ofronin refugjatëve mbrojtje dhe strehim, jashtë Bashkimit Europian. Ata do të jenë të mbrojtur, por nuk nuk do kenë mundësi të zgjedhin vendin ku do të strehohen”, theksoi kreu austriak. Si Kryeministri danez Lars Lokke Rasmussen ashtu edhe Kurz, konfirmuan se BE-ja kishte nisur tashmë bisedimet e drejtpërdrejta me qeveritë që nuk janë pjesë e BE-së.

Por kush do të jetë ky vend?

Natyra e bisedimeve, por edhe kushtet e vendosura për vendin mikpritës kanë ngritur dyshimet se shteti i përgjedhur nga fuqitë europianë mund të jetë Shqipëria. Si fillim vendi ynë plotëson të treja kriteret e kërkuara nga Rasmussen dhe Kurz: nuk ëshë anëtare e BE-së, është gjeografikisht në Europë dhe nuk është një vend tërheqës për emigrantët. Sikur të mos të mjaftonte kjo, vendi ynë ka një përvojë të ngjashme: strehimin e muxhahedinëve.

Por ajo që ngre më shumë dyshimet se është se tre ditët e fundit, mediat europianë kanë publikuar papritur një sërë artikujsh të detajuar mbi kalimin, trafikimin dhe strehimin e refugjatëve në Shqipëri. Është sa e çuditshme aq edhe e habishme që mediat franceze, gjermane dhe austriake të ngrejnë shqetësime alarmante (shpesh të hiperbolizuara) se Shqipëria është kthyër në shtegun e ri të refugjatëve për në Bashkimin Europian, kur numri i emigrantëve që kalojnë(apo strehohen) në  Itali, Bosnjë-Hercegovinë dhe Greqi është shumë herë më i madh se ai në Shqipëri.

Duke lexuar mes rrjeshtave të artikujve të publikuar nga “Reuters”, “Der Spiegel”, apo gazeta austrike “Der Standart”, na vjen natyrshëm të ngrejmë një pyetje që mund të jetë alarmante për një pjesë të mirë të shqiptarëve: A po përgatit BE-ja terrenin për të ndërtuar kampin e refugjatëve në Shqipëri? Mënyra e vetme për të kuptuar çfarë po kalon në mendjen e Bashkimit Europian, është të analizojmë shkrimet e publikuara në mediat perëndimore, të cilat duket se janë instruksionet e vetme për të dalë nga ky labirinth.

Gazeta austriake “Der Standart” citon Sebastian Kurz tek deklaron se Austria ka rënë dakord me qeverinë shqiptare për të ofruar mbështetjen e saj për ndalimin e refugjatëve, nëpërmjet dërgimin të një sërë punonjësish policie dhe pajisjet e duhura. Por Drejtori i Kabinetit të Ministrisë së brendshme, Adriatik Mema ka kundërshtuar raportet duke thënë se Shqipëria nuk ka bërë asnjë kërkesë që oficerët e policisë austriake të vendosen në vendin tonë. Megjithatë, Mema thekson nevojën urgjente për pajisje të tilla si kamerat e vizionit të natës dhe mjetet e transportit nga BE-ja për të kontrolluar më mirë kufirin.  Kancelari austriak Sebastian Kurz dhe kryeministri shqiptar Edi Rama ranë dakord në fund të majit që "duhet ta zgjidhin problemin e refugjatëve përpara së ishte shumë vonë. Madje Kurz ka ofruar ndihmë financiare për Tiranën.

Gazeta austriake shkruan gjithashtu se politikanët shqiptarë tentojë të zvogëlojnë problemin e refugjatëve në vendin tonë. Mund të jetë e mundur që Shqipëria të përballet me një problem më të rëndë nga ai që pretendojnë  autoritetet shqiptare, po përse mediat austriake dhe përëndimore zgjodhën ta ekspozojnë këtë problem në arenën botërore pikërisht tani?

“Tani për tani rreth 2400 refugjatë, kryesisht nga Siria dhe Pakistani, janë vendosur në territorin shqiptar, ka shpjeguar Kryeministrin Edi Rama të martën në Tiranë para gazetarëve austriakë, një numër relativisht i vogël në krahasim me vendet e tjera të rajonit. "Ne nuk duam të ndërtojmë gardhe- thotë Rama- Ajo që na duhet është një gardh i madh bashkëpunimi". Ndërkohë gazeta austriake citon edhe Erion Veliaj tek shprehet se Shqipëria është portretizuar gabimisht si "rruga e re e refugjatëve. Sipas tij, emigrantët vijnë në Shqipëri, pasi kanë hyrë fillimisht në një vend të BE-së, Greqinë. "Ata nuk kanë rënë me parashutë në Shqipëri," tha Veliaj.

Por agjencia prestigjoze “Reuters”, nuk mendon si kryebashkiaku, duke shkruajtur se numrat e emigrantëve që përpiqen të arrijnë në Europën Perëndimore nëpërmjet Shqipërisë janë rritur këtë vit, me shifra alarmante.

Ashtu si Austria dhe Gjermania, edhe ‘Reuters” duket se ka dërguar reporterët në Shqipëri. Në një artkull të publikuar ditën e sotme, agjencia franceze shkruan se autoritetet shqiptare kapën 2,311 emigrantë në pesë muajt e pare të vitit, më shumë se dyfishi i refugjatëve të kapur vitin e kaluar. Artikulli thekson se gjatë krizës së vitit 2015, emigrantët u përpoqën të udhëtonin nga Greqia, në Maqedoni dhe Serbi për të arritur më pas Hungari, derisa kjo rrugë u bllokua nga rojet kufitare dhe gardhet. Sipas “Reuters”, refugjatët kanë parë tanimë vendin tonë si rrugë e vetëm për t’u arratisur nga kampet greke. Agjensia shkruan se Shqipëria e varfër kërkoi ndihmë për të përballur këtë fluks, muajin e kaluar nga Austria, duke theksuar se qeveria Rama ka kërkuar gjithashtu ndihmë për rritjen e patrullimeve në kufirin grek. “Reuters”shkruan se policia shqiptare ka arrestuar disa kontrabandistë që transportonin  emigrantë në taksi ose furgona.

“Rruga në veri është e vështirë. Unë kalova nga Turqia, pastaj nga Greqia dhe u përpoqa të shkoj në Mal të Zi. Policia më kapi dy here, tha Hichem Boussadia për “Reuters” në stacionin e policisë kufitare në Shkodër. Reporterët kanë marrë gjithashtu në pyetje një sërë emigrantësh që u mblodhën jashtë Qendrës së Kërkimit të Azili, të cilët thonë se duan të gjejnë punë në vendet e Bashkimit Europian, por janë kapur nga policia shqipare shqiptare.

"Ne kemi miq dhe familje atje dhe ata thanë se në Europë është shumë mirë. Ne duam të shkojmë fillimisht në Maltë, "tha 18 vjeçari Grdaëe, për “Reuters”. Ai shprehet se qëndrimi i tyre në qendrën e azilkërkuesve në Shqipëri nuk ishte liria që ata kërkuan, duke shtuar se “ushqimi këtu është më i keq se ai në një burg në Siri".

Nga ana tjetër, reporterët e të përjavshmes “Spiegel” kanë vizituar zonat kufitare shqiptaro-malazeze, duke ngritur alarmin se refugjatët po ndihmohen nga trafikantët shqiptarë të qenieve njerëzore. Sipas revistës gjermane, shqiptarët ndihmojnë një numër të madh refugjatësh çdo ditë për të kaluar në shtigje kufitare që nuk mbikëqyren nga autoritetet. I intervistuar nga gazetarët gjermanë, një trafikant shqiptaro-malazez nga Ulqini, i identifikuar me emrin Bajram, rrëfen se bëhet fjalë kryesisht për refugjatë të strehuar në kampet e Turqisë. Sipas gazetës gjermane, për shkak të numrit të madh të refugjatëve që po kalojnë tranzit nga Shqipëria drejt vendeve të BE, kreu i Frontex Fabrice Leggeri tha se do të vendosen 45 oficerë europianë në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Por refugjatët në Shqipëri nuk mbinë nga hiçi. Ata po bëjnë muaj të tërë që enden nëpër kufijtë shqiptarë, por deri para disa ditesh, asnjë media perëndimore nuk e lidhte vendin tonë me ta. Të vetmet raporte mbi Shqipërinë ishin ato të trafikut të drogës, muxhahedinëve dhe negovciateve të anëtarësimit me Bashkimin Europian, por krejt papritur, vendi ynë u portretizua si udha e re ku shkelin të gjithe refugjatët që vijnë nga Lindja e Mesme. Të jetë vallë rastësi që këto raporte dolën në dritë së bashku me planet për ndërtimin e një kampi masiv refugjatësh jashtë BE-së?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë