Lajme

75-vjetori i Çlirimit të Tiranës, PS te Partizani i Panjohur, PD te të Përndjekurit

Sot shënohet 75-vjetori i çlirimit të Tiranës nga ushtria naziste. Më 17 nëntor 1944, trupat e brigadës së parë sulmuese çliruan kryeqytetin e vendit nga nazistët gjermanë pas 19 ditë luftimesh të ashpra.
Në një ceremoni të zhvilluar te monumenti i Partizanit të Panjohur në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit të Tiranës, kryebashkiaku Veliaj tha se sot është dita e përkujtimit të një kauze eksiztenciale.
“Sot jam shumë krenar që qeveria jonë nderon dhe respekton si kurrë më parë heronjtë. Sot është dita e përkujtimit të një kauze eksiztenciale. Tirana u çlirua pas 5 viteve pushtimi. Partizanët kishin kurajo për të cliruar Tiranën dhe ky përbën një moment reflektimi edhe sot”, tha ndër të tjera Veliaj.

Veliaj ka akuzuar edhe opozitën, duke e cilësuar si një minorancë që po saboton Shqipërinë.
“Sot lipset, që të gjykojmë se ku jemi, shumë nga problemet nuk na kanë ardhur nga pushtuesit, por një minorancë brenda nesh. Punët e mira i pengojmë vetë, keq për Shqipërinë flasim vetë, po ashtu edhe sabotimin. Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, nuk ka betejë që nuk e fitojmë. Kërkohet nga secili mos i bëjmë vetes atë që nuk e kanë bërë edhe pushtuesit. Të japim më të mirën për integrimin. Vetëm së bashku mund ta ndërtojmë një kryeqytet modern. Ka ardhur koha të bëjmë një bilanc dhe të projektojmë 100 vitet e tjera”, u shpreh Veliaj.
Edhe zëvendëskryeministri Erion Braçe dha mesazhe të forta për politikën shqiptare.
Gjatë fjalës së tij, Braçe tha se ka pasur qeveri shqiptare që kanë bashkëpunuar me fashizmin, ndërsa shtoi se ka edhe sot nga ato parti që punojnë për interesat personale, kundër aleatëve të Shqipërisë, SHBA, Britanisë apo Francës.

Erion Braçe gjatë ceremonisë

“Dua të përmend edhe njëherë se ka pasur qeveri që kanë bashkëpunuar me fashizmin në këtë vend. Këto qeveri të quajtura shqiptare që vareshin nga pushtuesi i shpallën luftë SHBA, Francës, Britanisë, etj. Sot ata po përsërisin veten. Sot për interesa partiake, dhe për pushtet, i shpallin sot luftë Francës, SHBA dhe gjithë perëndimit. Thjesht dhe vetëm se duan pushtet. Edhe atëherë kur pushteti u bë bashkë me fashizmin, sot u bënë kundër vendit. Sa herë duan pushtet, i bëjnë dëm popullit dhe shmangin drejtësinë që i shërben njerëzve të zakonshëm dhe që i vë të gjithë të barabartë para ligjit”, tha Braçe.
Ndërkohë, kryedemokrati Basha, shoqëruar dhe nga demokratë të tjerë dhe jo vetëm, mbajti homazhe përpara sheshit para Institutit të të Përndjekurve Politikë, ku ka vendosur edhe kurora me lule.

Lulzim Basha, homazhe para Institutit të të Përndjekurve Politikë

Edhe në ditë të tilla, partitë politike në Shqipëri vendosin që të zhvillojnë homazhe ndaras.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë