Shendet

7 njësi të lëvizshme vaksinimi në terren, Manastirliu: Intensifikojmë vaksinimin derë më derë

Gazeta "Si"- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur sot nga afër procesin e vaksinimit me njësitë e lëvizshme në zonën e Bregut të Lumit, nga ku theksoi se fushata e vaksinimit derë më derë po vazhdon për të shkuar tek çdo qytetar që e ka të pamundur të paraqitet pranë qendrave shëndetësore.

“Fushata e vaksinimit vazhdon, derë më derë për të gjithë ata qytetarë që nuk e kanë dot të mundur që të shkojnë dhe të aksesojnë qendrën shëndetësore. Janë 7 njësi të lëvizshme vaksinimi në të gjithë Shqipërinë me ekipet tona. Me shumë se 150 punonjës të shëndetësisë, vaksinatorë tanë, mjekë, të cilët janë angazhuar për të bërë të mundur rritjen e mbulesës vaksinale”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu bëri me dije se në sajë të kontratës që qeveria shqiptare ka lidhur me kompaninë Pfizer, do të vijojë furnizimi me vaksina anticovid.

“Edhe në qendrat tona shëndetësore ne vijojmë me intensifikimin e vaksinimit pasi ne jo vetëm që kemi doza të vaksinave të shpërndara në të gjithë strukturat shëndetësore por ne presim në sajë të kontratës që qeveria shqiptare ka lidhur me Pfizer, të kemi nga shtatori e tutje edhe vaksina të tjera. Në Shqipëri deri në këto momente kanë mbërritur mbi 3 milionë e 400 mijë doza vaksine. Janë kryer mbi 2 milionë e 900 mijë doza vaksinash. Por sigurisht kemi akoma më shumë nevojë që të intensifikojmë dhe të mbrojmë jetën e çdo qytetari dhe sigurisht atyre të cilët janë me imunitet të kompromentuar, pra ata që kanë apo vuajnë sëmundje kronike, të mos neglizhojnë dozën e tretë dhe dozën e katërt të vaksinës”, tha Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë