Politike

‘7 korriku vetëm fillimi’, Berisha: Protesta, rruga e vetme! Rama ka kaluar çdo vijë të kuqe

Sali Berisha thotë se protesta kombëtare në rrugë dhe sheshe është e vetmja alternativë përballë atij që ai e quan regjim autokratik e kleptokratik të Edi Ramës.

Në konferencën e përjavshme për shtyp, Berisha thotë se edhe lajmi për hapjen e negociatave javën e ardhshme do të nxisë edhe më shumë këtë protestë.

“Do ishte një frymëzim i madh për protestën. PD ka bërë thirrje dhe bën thirrje për hapjen e negociatave. Po pse? Sepse në procesin e negocimit, fuqia e BE-së do mund të ndihmojë shumë më fuqishëm në rrënimin e regjimeve autokratike. Sot ka një konsensus universal që regjimi i Tiranës është një autokraci elektorale. Hapja e negociatave do e motivojë edhe më shumë protestën”, tha Berisha.

Ramën e akuzoi se me aktin normativ për kompensimin e çmimeve do të ndajë me fituesit e tenderave me oferta në kufijtë e fondeve limit miliona euro.

Në lidhje me legalizimin e hashashit, ish-Kryeministri akuzoi Ramën se po zbaton doktrinën shkatërrimtare të Sorosit.

“Kategorikisht kundër. Për PD-në, legalizimi i kanabisit është krim dhe vetëm krim. Kjo do të thotë të shpallësh veten Eskobar i Europës. Edi Rama e bën këtë në zbatim të doktrinës së George Soros. Soros është miliarderi që i ka kërkuar OKB-së, së bashku me një president të Amerikës Latine, që të ndërpritet çdo lloj lufte kundër drogave, paçka se në SHBA vdesin çdo ditë 273 persona nga droga”, tha ai.

Berisha akuzoi se edhe pas një projekti për të hapur e rijetëzuar Pallatin e Brigadave qëndron ambicia për të ndërtuar në një zonë të mbrojtur pranë parkut të Liqenit.

“E morët vesh ju, pas Butrintit i erdhi radha Pallatit të Brigadave. Që është një trashëgimi kulturore shumë e rëndësishme. Qëllimi i Ramës është shkatërrimi de facto i këtij parku. Nuk është çudi kur të shohim kulla aty, por Rama nuk do jetë në pushtet deri në atë kohë. Nuk do gëzoni pasuri duke e ndarë me Edi Ramën dhe njerëzit e tij. Ky është një zotim solemn. Këto akte kriminale nuk do mbeten pa përgjigje. Tërhiquni, mos vidhni me Edi Ramën. Mos u bëni bashkëvjedhës me Edi Ramën dhe ministrat e tij. Ky njeri nuk do i shpëtojë dot ligjeve të vendit dhe atyre ndërkomëbtare”, tha Berisha.

Ramës i çoi edhe një paralajmërim.

“Edi Ramës i them se ky është vetëm fillimi. Edvin, 7 korriku është vetëm fillimi. Të garantoj dhe dije se fjala ime është fjalë. Është vetëm fillimi pasi ka tejkaluar çdo vijë të kuqe në qëndrimin cinik ndaj qytetarëve shqiptarë me qëndrimet e tij me faktin që çdo firmë që lëshon ka një vjedhje”, tha ai.

Në këtë konferencë, në shënjestër të Berishës përfundoi edhe Gazment Bardhi. Deputeti demokrat të enjten tha se u bashkohej të gjitha protestave të qytetarëve, por jo të non gratave. Ai akuzoi Bardhin se ka braktisur autorin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan.

Faktikisht Pjerin Xhuvanin e vranë për së dyti, Taulant Balla, Gaz Bardhi, Edi Rama dhe Ardi Veliu, sepse donin ta mbyllnin çështjen Paplekaj-Xhuvani. Nuk ishte çështja Paplekaj-Xhuvani, aty mund të kishim pasur katër të vdekur.

“Gaz Bardhin e keni dëgjuar të flasë ndonjëherë? Është në burg Paplekaj. E ngrita disa herë çështjen, ai heshti. Ai ishte në shtabin e Gaz Bardhit. Kishte shkuar atje për të dhe u krijua një komision parlamentar dhe çështja e Elbasanit do të hetohej dhe Gaz Bardhi duhej të kërkonte hetimin e plotë. Por ky është komisioni i vetëm që nuk funksionoi asnjë ditë. E braktisën Arbër Paplekajn”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë