Kosova duket se ka korrur përfitime të mëdha ekonomike nga hapja e një pike doganore në Portin e Durrësit. Kjo pikë, ka ndikuar në rritjen e importit të mallrave përmes transportit detar që destinacion kanë Kosovën, si dhe ka lehtësuar procedurat doganore. Bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës, që nga vendosja e pikës të dedikuar për Kosovën në Portin e Durrësit janë proceduar rreth 4 mijë maune me destinacion terminalet doganore në Kosovë.
Hapja e saj ishte vendosur më 15 janar të këtij viti. Mallrat që kanë destinacion tregun e Kosovës kontrollohen dhe zhdoganohen nga zyrtarë doganorë të Kosovës të vendosur në këtë port.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovë, Adriatik Stavileci ka njoftuar se kjo zyrë doganore ka shkurtuar koston e shpenzimeve të transportit, kohën si dhe procedurat burokratike tregtare për biznesmenët kosovarë.
“Aktualisht, në këtë zyre punojnë 6 zyrtarë. Brenda 11 muajve ata kanë miratuar 3.668 kërkesa apo maune transit me destinacion Kosovën. “Për importuesit kosovarë funksionimi i kësaj zyre paraqet lehtësim, sepse agjencive doganore të autorizuara nga këto kompani kosovare që kryejnë shërbimet në zhdoganim të mallrave në Kosovë, u është dhënë mundësia që të kryejnë edhe procedurën e tranzitit nga Porti i Durrësit deri në destinacionin brenda Kosovës”, thotë Stavileci.
Më shumë se 60 për qind e mallrave të huaja që hyjnë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, shfrytëzojnë transportin detar, konkretisht Portin e Durrësit dhe të Shëngjinit në Shqipëri. Shfrytëzimi i transportit detar për mallrat e importuara kishte filluar të shënojë rritje pas përfundimit të autostradës “Ibrahim Rugova”, e njohur edhe si 'Rruga e Kombit', e cila lidh Kosovën me Shqipërinë dhe anasjelltas.
“Bizneset që përdorin transportin detar me destiancion Kosovën, që nga vendosja e pikës doganore në Durrës po e shfrytëzojnë këtë port shumë më shumë sesa në të kaluarën, thotë për “Radio Evropa e Lirë” kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.
“Porti i Durrësit është pika më strategjike e transporti të mallrave dhe udhëtarëve, jo vetëm për Shqipërinë e Kosovën, por për gjithë Ballkanin por që deri më tani nuk është shfrytëzuar plotësisht pasi pak është investuar në këtë port,ndryshe nga portet e tjera që janë konkurrente, siç është Porti i Tivarit (Mali i Zi) dhe Porti i Selanikut (Greqi)”, shton ai.
Delegacionet e Kosovës dhe Shqipërisë diskutuan për disa vite rresht për vendosjen e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, por u vendos vetëm në fillim të këtij viti.
Po ashtu, Qeveria e Shqipërisë i kishte premtuar Kosovës edhe dhënien në menaxhim të Portit të Shëngjinit për nevojat e bizneseve kosovare dhe ekonomisë së përgjithshme, por kjo nismë nuk u realizuar. Porti i Shëngjinit, ishte një nga “dhuratat” që ish-qeveria e Shqipërisë ia kishte premtuar Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Por që atëherë, çështja e këtij porti detar është lënë në harresë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.