Politike

Nga e marta, muzikë deri në orën 23.00, Rama: Kush do të këndojë më shumë të shkojë në natyrë

Duke filluar nga dita e martë, lokalet e vendosura në zonat turistike të banuara do të mund të vendosin muzikë edhe një orë më shumë, duke u shtyrë deri në orën 23:00.

Kryeministri Edi Rama njoftoi këtë masë gjatë komentimit të protestës së lokaleve në shëtitoren e Vlorës, që kërkojnë zgjatje të orareve të muzikës dhe shërbimit.

“Siç është lajmëruar, nga data 20 korrik muzika do të ndalet në 23:00 në çdo zonë turistike të banuar dhe kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri - si në tërë botën e civilizuar turistike”, thotë Rama.

Sa i takon protestës së pronarëve të lokaleve, Rama thotë se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga vendimi, përveç zgjatjes me 60 minuta.

“Protestë në Lungomare për muzikën? Lungomare s'ka muzikë, po ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetra linja burime menjëherë. E drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi tē drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë