Lajme

Gjuetia për paratë e krimit të organizuar

Në Tiranë u mbaj konferenca për administrimin e menaxhimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara të krimit të organizuar. I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe kreu i Antimafias italiane, Federico De Raho.

Gjatë fjalimit publik, De Raho u shfaq i rezervuar, por mes fjalëve të shqiptuara prej tij nënkuptohej se krimi i organizuar po ja del mbanë që të pastrojë paratë e fituara nga aktiviteti i paligjshëm, që tashmë, në këndvështrimin e antimafias italiane është trafiku i kokainës.

Kreu i Antimafias italiane tha se sipas përllogaritjeve, nga bashkëpunimi me “Ndraghetën” organizatat kriminale shqiptare përfitojnë rreth 30 milionë euro të ardhura në vit. Bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme, ndaj De Raho kërkoi që hetimet të përqëndrohen se si pastrohen dhe më pas qarkullohen në investime si para e ligjshme.

Raporte kombëtare, ndërkombëtare, por edhe në një sërë dosjesh të bujshme të drejtësisë shqiptare është provuar ndër vite se dënimi me burg në disa raste nuk mjafton për të ndaluar aktivitetin kriminal të disa personave.

Për këtë arsye, në muajin maj hyri në fuqi regjimi i burgimit të rëndë, njohur ndryshe edhe si “41-bis”. Pikërisht një bilanc të këtyre muajve të parë të aplikimit të këtij ligji u rrek që të nxjerrë konferenca e organizuar në Tiranë me temë “Administrimi dhe menaxhimi i pasurive të sekuestruara nga krimi i organizuar”.

Mes të pranishmëve ishte edhe kreu i Antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho. Ai vuri theksin tek forcimi i bashkëpunimit mes strukturave ligjzbatuese në të dyja anët e Adriatikut, ndërsa foli për lidhje të forta të “Ndranghetës” italiane me grupet kriminale shqiptare.

Përfaqësuesja e OPDAT në Shqipëri, Michele Lakomi solli përvojën amerikane dhe përsëriti mbështetjen e SHBA në këtë betejë për drejtësinë shqiptare. Edhe ajo e vuri theksin tek fakti që lufta kundër krimit nuk mbyllet me rënien e çekiçit në gjykatë.

"Lufta kundër krimit nuk përfundon kur gjykata jep një vendim. Vendimet gjyqësore nuk janë të fundit, janë thjesht një rregullim i vogël, i cili ndikon në aktivitetin kriminal, por për t’i shkërmoqur këto grupe është e rëndësishme që sistemet e burgjeve të izolojnë kokat dhe pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale”, theksoi ajo.

Kësaj ideje i mëshoi edhe ambasadori britanik në Tiranë, Duncan Norman dhe ai italian, Alberto Cutillo. Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili tha se aktualisht Shqipëria ka kapacitetet në burime njerëzore, institucionale dhe logjistike për të aplikuar pa asnjë pengesë regjimin e burgimit të rëndë.

Por çfarë është ky regjim? Qeveria prezantoi një vit më parë aplikimin e regjimit të rëndë të burgimit, njohur si “41-bis”. Emri mbërrin nga legjislacioni italian dhe parashikon që për të dënuarit dhe dyshuarit për krim të organizuar dhe organizata terroriste i nënshtrohen një regjimi të rreptë izolimi e vëzhgimi, duke iu ndërprerë çdo komunikim të brendshëm dhe të jashtëm gjatë të gjithë kohës së paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë