Politike

55 firma për shkarkimin e Metës, mungojnë Rama, Ruçi, Majko, Xhafaj

Ndërsa Ilir Meta kishte thirrur në një takim 2 orësh në Pallatin e Brigadave ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë për ti shpjeguar vendimin e tij për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, Partia Socialiste zyrtarizonte kërkesën e saj në kryesinë e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit në një konferencë urgjente herët në mëngjes. Për herë të parë në historinë e parlamentarizmit të pas viteve ’90 në Shqipëri nisin lëvizjet e shkarkimit të një Presidenti. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla doli në mëngjesin e së hënës për të shpallur zyrtarisht nismën, e cila u depozitua në Parlament.
“Nisur nga veprimet e Presidentit të Republikës, natyra e aktit të nxjerrë prej tij dhe nga pasojat që ai sjell: Duke cenuar rëndë parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit; duke shkelur Kushtetutën e duke marrë njëkohësisht tagra të sovranit dhe Kuvendit; duke u sjellë arbitrarisht me pushtetin si pushtet ekzekutiv i pakufizuar, përkundër natyrës së Republikës Parlamentare; duke shtyrë arbitrarisht datën e zgjedhjeve; duke cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve; duke cenuar parimin e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverisje e dalë nga zgjedhje të lira; duke cenuar parimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë; duke nxjerrë akte në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjet; duke cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, vlerësojmë se këto përbëjnë shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve të kryera nga Presidenti i Republikës, e në këtë mënyrë plotësohen kushtet e parashikuara nga neni 90, pika 2 i Kushtetutës, ndaj përfundimisht kërkojmë: nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit të Republikës”, deklaroi Balla.

Kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla duke paraqitur nismën e opozitës


Si shkelje, kreu i grupit të PS-së, saktësoi edhe faktin se kreu i shtetit me anulimin e datës së zgjedhjeve 30 qershor nuk nxori, as edhe një datë tjetër, duke përbërë një shkelje. Një ndër akuzat e tjera që lëshohen në adresë të Presidentit është edhe ai marrjes së atributeve të Parlamentit, duke dalë mbi Kushtetutën.


“Në këtë rast, Presidenti ka marrë atributet e Kuvendit dhe sovranit sepse duke “anuluar” datën 30 qershor 2019 si datë të mbajtjes së zgjedhjeve, duhet të caktojë një datë të re. Në çdo rast, një datë e re do të jetë përtej hapësirës kohore të caktuar nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor mbi kohën e mbajtjes së zgjedhjeve vendore. Edhe në rast se do të ishim në kushtet e zgjatjes së mandatit të organeve të njësive të qeverisjes vendore, ajo gjithsesi duhet të bëhej me ndërhyrje në ligj apo edhe në kushtetutë. Autoritet i vetëm për të bërë të tilla ndërhyrje është vetëm trupa legjislative dhe në këtë rast Presidenti ka marrë atributet e ligjvënësit me caktimin e një date zgjedhjesh tej afateve të njohura nga ligji”, thuhet në kërkesën e mazhorancës.

Faksimile e kërkesës së PS-së


Presidenti ka dekretuar anulimin e zgjedhjeve ndërkohë që sipas PS-së, Kushtetuta nuk ia njeh këtë të drejtë. “Kushtetuta në nenin 92 gërma “gj” i njeh Presidentit të drejtën e caktimit të datës së zgjedhjeve. Siç shpjegohet edhe më poshtë, kjo është një kompetencë vetëm njëkahëshe e kreut të shtetit. Sipas Kushtetutës ai ka funksion, DETYRË, të caktojë datën e zgjedhjeve dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër për të shfuqizuar, ndryshuar apo aq më tepër anuluar datën e zgjedhjeve. Nëse do të pranojmë se anulimi i datës së zgjedhjeve, është kompetencë që shkon edhe me caktimin e asaj date, praktikisht do të pranonim një President me tagra pushteti mbilegjislative, mbiekzekutive, që referuar Kushtetutës nuk i gëzon”, thuhet në kërkesë. Gjithashtu si shkelje vendoset edhe mos zbatimi i periodicitetit të mandatit të të zgjedhurve vendorë, duke theksuar se presidentit nuk i lejohet të ndërhyjë në procesin zgjedhor, kur ai e ka shpallur një herë datën e zgjedhjeve.

Dpeutetët firmëtarë


“Me veprimin e tij administrativ, Presidenti i Republikës ka cenuar rëndë parimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë. Gjithë sa kemi arsyetuar më lart, qartësisht rezulton se Presidenti ka vepruar përtej këtyre parimeve. Presidenti me dekretin nr. 11199/2019 që praktikisht anulon mbajtjen e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, cenon parimin e periodicitetit të zgjedhjeve dhe ushtrimin e të drejtës sovrane të popullit për të zgjedhur. Në këto kushte ai ka cenuar rëndë Kushtetutën si akti më i lartë në vend. Këto janë detyrime kushtetuese të cilat nuk mund të tejkalohen as me ligj, aq më tepër me një dekret presidencial. Dispozitat kushtetuese mbi kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë janë mishërim i parimit të shtetit të së drejtës që nënkupton se çdo vendimmarrje duhet t’i nënshtrohet vetëm kushtetutës dhe ligjeve. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë ekzistencën e një shteti të drejtë dhe funksional” thuhet më tej në kërkesën e argumentuar prej 10 faqesh.

Faksimile e firmave të deputetëve


Balla u shpreh se Meta pavarësisht këtyre shkeljeve vazhdon të mbajë qëndrime që e rëndojnë atë si president. “Kemi vënë re me keqardhje se ai nuk ka reflektuar, por ka sulmuar Kuvendin me një gjuhë të padenjë dhe të papranueshme për institucionin e lartë që Presidenti përfaqëson. Kuvendi natyrisht nuk intimidohet dot kurrsesi nga askush, por i kujton zotit Ilir Meta se as ai, as ata që e braktisën Kuvendin duke djegur mandatet dhe pastaj tentuan ta djegin me flakadanët e dëshpërimit të tyre, s’kanë asgjë tjetër në dore përveç nivelit të dinjitetit të tyre. Për sa kohë është ende President, zoti Ilir Meta duhet të mos na turpërojë të gjithëve, duke e ulur nivelin e presidencës së tij nën kufirin minimal të etikës shtetërore, sa herë hap gojën”, theksoi Balla.
Mes firmëtarëve mungojnë emrat big dhe të opozitës


Faksimile e firmave të deputetëve


Në listën e firmëtarëve mungojnë emrat big të Partisë Socialiste. Kërkesa nuk është firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi. Por në listën e gjatë nuk janë emrat e Fatmir Xhafajt dhe të Pandeli Majkos. Gjithashtu deputetët e tjerë të PS-së, si Anastas Angjeli dhe Fidel Ylli janë emrat e tjerë që nuk kanë firmosur. Kujtojmë që emri i deputetit socialist Angjeli u përfol si u mundshëm për t’u caktuar si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndër firmëtarët bien në sy emri i deputetit të PS-së, Bashkim Fino, i cili në seancën për votimin e rezolutës ishte kundër idesë për shkarkimin e Presidentit, duke theksuar se ishte më mirë që ta linin Metën që ta çonte deri në fund lojën e tij teatrale. Ndër ish-ministrat që ka firmosur në radhët e socialistëve është Ditmir Bushati ai është i fundit i listës së 55 emrave të deputetëve. Ish-ministri i Jashtëm ka qenë disi kritik ndaj mazhorancës për sa i përket situatës së krizës, duke kërkuar më tepër angazhim nga lidershipi socialist për arritjen e një zgjidhjeje. Ndërsa mungojnë emrat e opozitës së re në firmat e mbledhura nga socialistët pavarësisht se u paralajmërua se mes tyre do të kishte edhe deputetë të kampit të djathtë. Në listën e PS-së nuk mungon as emri i Dritan Bicit, deputeti të dalë nga lista e PDIU-së, por që i është bashkuar PS-së, si dhe të Spartak Braho që dikur ka qenë një nga themeluesit e LSI-së, si dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Metës.


Faksimile e firmave të deputetëve


Balla në fjalën e tij u shpreh se mazhoranca do t’i respektojë të gjithë procedurat për shkarkimin e Presidentit, duke nënkuptuar se Meta mund të thirret në komisionin e Ligjeve, si dhe kërkesa të miratohet nga Parlamenti do të shkojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Një institucion që është jashtë funksionit, pasi është me një 1 anëtar të vetëm, nga 9 që duhet të ketë. Presidenti shkarkohet me 93 vota në Parlament, tashmë mazhorancës i duhet t’i sigurojë votat e duhura nga kampi i opozitës. Duhet të parë edhe fakti nëse brenda mazhorancës janë pro shkarkimit të Metës ose jo, pasi zëra ka se ka socialistë të lëkundur. Hapi i parë pas kësaj kërkese është mbledhja e komisionit të Ligjeve për të shqyrtuar nismën e mazhorancës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë