Në tentativë për të sfiduar ligjet e jetëgjatësisë, të dhënat flasin në mënyrë të pashmangshme. Shifra që duhen ndjekur, gola me numra aq të rrumbullakët, sa të mahnitesh. Dhe gjëja më interesante është se Zlatan Ibrahimovic nuk ka ndërmend të ndalet, siç konfirmohet nga performanca e bollshme ndaj Cagliari, e markuar me një ekuilibër vendimtar gati dy muaj pas paraqitjes së tij të mëparshme si titullar në kampionat. Ibra, ai që për herë të parë në karrierën e tij europiane ka shënuar në nëntë ndeshje radhazi si titullar; ai që me 1.5 gola për ndeshje ka mesataren më të lartë të shënimit në turnetë kryesore të Europës, ai që kapërceu numrin e golave të sezonit të kaluar me Milanin (12 me 10), duke luajtur 10 ndeshje më pak. Sfida në “Sardinia Arena” i tha të gjitha këto, por gjithçka është në lojë. Në fakt, Zlatan ka dy numra-rekord në fokusin e tij: 500 dhe 600.
500 gola në karrierë, në të gjitha garat, midis kombëtares dhe klubeve. Epo, Zlatan po lundron në një lartësi prej 498 golash për një cikël fantastik, që filloi më 30 tetor 1999, me “rrjetën” e parë mes profesionistëve, me fanellën e Malmoe. Me ekipin e qytetit të lindjes ai e mbylli në kuotën e 18 golave, mjaft për të zgjuar oreksin e Ajax. Në Holandë kaloi katër sezone, duke e përfunduar me 48 gola. Pastaj, aventurat e para italiane: së pari me Juve (26 gola), më pas me Interin (66). Numra të tillë që garantojnë kalimin te Barça, ku sidoqoftë nuk shkoi ashtu siç prisnin të gjithë. “Vetëm” 22 gola me katalanasit, para se të zbarkonte në Milanello, ku bëri menjëherë ndryshimin. 56 gola në dy sezone, më pas iu shit PSG-së për shkak të detyrimeve buxhetore, mes humorit të tij të keq dhe lotëve të Gallianit. Edhe në Francë, numra të çmendur: 156 gola në katër vjet. Pas kësaj, ai shënoi 29 gola me Manchester United, 53 me LA Galaxy dhe 24 me “Milan-bis”.
600 ndeshje, në liga të ndryshme. Në këtë rast, suedezi është në kuotën e 599 ndeshjeve (pla-yoff-et në MLS përjashtohen nga numërimi). Shifra 600 do të arrihet të shtunën, kundër Atalantës. Aventura e dytë e Zlatan te kuqezinjtë në fakt filloi pas katastrofës 5-0 të Milanit në Bergamo, me rastin e Krishtlindjeve 2019. Tani, 13 muaj më vonë, të gjithë janë gati të vënë bast mbi një lojtar, i cili është 39 vjeç, por provoi se mbetet fitues. Milani është atje përpara të gjithëve, ndërsa 600 ndeshje në ligat e ndryshme si profesionist e konfirmojnë statusin e një futbollisti që nuk njeh moshë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.