Futboll

50 vitet e Guardiolës: Dhjetë momente që kanë shënuar karrierën e tij

Një karrierë në futboll e rrallë, duke arritur suksese të jashtëzakonshme si lojtar dhe tani si trajner. Pep Guardiola, i cili dje festoi 50-vjetorin ka fituar gjithçka, rrugëtimi i tij është shënjuar nga 10 momente kryesore.

Debutoi me Cruyff 19 vjeç

Data e parë e qarkuar në kalendarin e karrierës së Guardiolës është 16 dhjetori 1990. Ishte dita kur ai debutoi në La Liga me gjigantët katalanas, në fitoren e Barçës 2-0 ndaj Cadiz. Ai do të regjistronte 378 ndeshje me klubin, 11 gola, 37 asiste, 15 trofe, ndër to Champions-in në 1992.

Medalja e arit në Barcelonë '92

Shumë është shkruar për marrëdhënien e Pepit me kombëtaren e Spanjës, por një prej momenteve më të rëndësishme të karrierës së tij me iberikët ishin Lojërat Olimpike 1992, ku ai kontribuoi në fitimin e medaljes së arit në Barcelonë.

Champions-i në “Wembley” 

Skuadra e ëndrrave më në fund arriti kulmin në 20 maj 1992. Barcelona fitoi Kupën e tyre të parë Evropiane pasi kishte humbur finalet e 1961 dhe 1986. Por në “Wembley” Barcelona prishi mallkimin duke mundur Sampdorian.

Lamtumira nga Barça në kërkim të sfidave të reja

Më 11 prill 2001, Guardiola bëri lajmërimin shokues se ai do të largohej pas 17 vitesh nga “Camp Nou”: “Jam 30 vjeç tani, jam baba i një familjeje dhe karriera po më shket nga gishtat. Dua ta mbyll jashtë për të njohur vende të reja, kultura të reja, kampionate të reja”. Ky udhëtim e dërgoi te Brescia me Roberto Baggion dhe Igli Tare, te Roma me Fabio Capelon, në Katar me Al-Ahlin dhe në Meksikë me Dorados.

Rikthimi në Barcelonë

Në 21 qershor 2007 Barcelona njoftoi se Guardiola po rikthehej në klub për të drejtuar Barcelonën B. Askush nuk e dinte se çfarë ndikimi do të kishte për futbollin modern nisja e karrierës së tij si trajner. Ai firmosi një kontratë 2.5-vjeçare dhe që në sezonin e parë e ngjiti Barçën B në kategorinë e dytë.

Promovimi në skuadrën e parë

Mbyllja e sezonit -18 pikë nga Reali dhe humbja e gjysmëfinales së Champions-it ndaj United në 2007-‘08, ishte një moment vendimtar për Barçën. Presidenti Laporta vendosi të bëjë një ndryshim, dhe Frank Rijkaard u zëvendësua ... me Guardiola , një vit pasi kishte punuar me Barçën B. Dhe nuk e nisi aspak mirë. Barcelona humbi ndaj Numancia dhe barazoi në shtëpi me Racing Santander, por ajo që erdhi më pas është pa dyshim periudha më e mirë e klubit.

Barcelona fitoi 6 trofe në një sezon, për herë të parë në histori. Guardiola ngriti La Ligën, Kupën e Mbretit, Superkupën e Spanjës, Superkupën e Europës, Champions-in dhe Kupën e Botës.

Një tjetër Champions në “WEMBLEY”

Mançester United ishte sërish humbës në përballjen në finalen e Champions-it kundër skuadrës së Barcelonës drejtuar nga Guardiola. Por në “Wembley” 2011, gjigantët anglezë nuk patën ankesa. Atë ditë mund të kishin pasur edhe 14 lojtarë në fushë dhe sërish do ishin mundur. Katalanasit fituan 3-1 dhe skuadra ishte perfekte, e pamundur të sfidohej.

Lamtumira e dytë

Guardiola i tha lamtumirë Camp Nou për herë të dytë në Prill 2012, kur njoftoi se do të linte rolin e trajnerit me 14 trofe të fituar nga 19 të mundshëm.

Mbërritja në Bavari

Në 16 janar 2015, hapi i radhës në karrierën e tij u bë Bajerni i Mynihut, duke zëvendësuar Jup Hajnkesin pasi fitoi tripletën. Ai mund të ketë dështuar të fitojë Champions-in me gjigantët gjermanë, por revolucioni i tij në futbollin gjerman ishte i jashtëzakonshëm. E dominoi në të tria vitet Bundesligën.

Transferimi në Manchester City

Manchester City më në fund mori trajnerin e ëndrrave të tyre, dhe ata do t'i jepnin atij fonde të pakufizuara për të qenë i suksesshëm. Udhëtimi vazhdon ende. Guardiola ka fituar 2 herë Premier Ligën, duke thyer rekorde, por nuk ka fituar ende Championsin dhe nuk ka shkuar as në finale, pavarësisht se ka shpenzuar gati gjysmë miliardi euro për të ndërtuar këtë skuadër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë