Ka ndodhur

50 euro policit për të kaluar kufirin, arrestohet 24-vjeçari

Policia Kufitare e Rinasit ka goditur një rast të mitdhënies, duke vënë në pranga një 24-vjeçar, i cili tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Kufitare, me qëllim lejimin për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së, edhe pse nuk plotësonte kushtet.

“Si rezultat i shtimit të kontrolleve në zbatim të masave parandaluese për moslejimin e udhëtimit drejt vendeve të BE-së të atyre shtetasve që nuk plotësojnë kushtet për të lëvizur në hapësirën Schengen, shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas kanë arrestuar në flagrancë, për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, shtetasin L. L., 24 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të dokumentacionit dhe intervistimit për qëllimin e udhëtimit në vendet e BE-së, 24-vjeçari duke qenë se nuk justifikonte qëllimin e lëvizjes dhe nuk plotësonte kushtet për të udhëtuar në hapësirën Schengen, i ka ofruar punonjësit të Policisë 50 euro, për ta lejuar që të vijonte udhëtimin.

Ndër të tjera, Policia Kufitare apelon për të gjithë shtetasit që duan të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së, që në rast se nuk plotësojnë kushtet për të lëvizur në hapësirën Schengen, të mos ndërmarrin asnjë veprim të kundërligjshëm, të mos përpiqen për të korruptuar punonjësit e Policisë pasi do përballen me ligjin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë