Njerez

5-vjeçari shqiptar në Itali lexon 125 libra për 1 vit, shpallet lexuesi më i mirë

Nga Gazeta Si- 5-vjeçari shqiptar Mattia Mehdihoxha është shpallur këtë javë si lexuesi i vitit nga biblioteka Bartolomeo Della Fonte në Montemurlo të Italisë.

Mattia ka një pasion të madh për librat, përrallat dhe kafshët. Biblioteka është shtëpia e tij e dytë. Mattia, i lindur në Itali nga prindër shqiptarë, është pesë vjeç, por kjo nuk e pengoi të fitojë çmimin 'Lexuesi i Vitit', nga biblioteka Montemurlo (Prato) 'Bartolomeo della Fonte' për lexuesit më të zellshëm. Vetëm pesë vjeç dhe 125 libra të huazuar në vitin 2022, e bënë të voglin Mattia Mehdihoxha të ngjitet i pari në podiumin e lexuesve.

Mehdihoxha edhe pse nuk shkon ende në shkollë, di të lexojë, aq sa vitin e fundit kërkoi të huazonte 125 libra nga biblioteka, një libër çdo tre ditë.

Mehdihoxha, i cili jeton në komunën e Montemurlo-s (në provincën e Prato) i pëlqen të zbulojë histori dhe të shfletojë faqet e librave dhe për këtë ka kërkuar ndihmën e bibliotekës ku jeton.

Gjatë ceremonisë, u shpërblyen gjithashtu edhe fëmijë të tjerë më të mëdhenj, duke përfshirë Penelope Bruno, një 13-vjeçare që kërkoi të huazonte 95 libra dhe Duccio Vannoni, një 14-vjeçare, e cila kërkoi 79 vëllime gjatë vitit.

Çmimet u ndanë nga Giuseppe Forastiero, përfaqësuesi i bashkisë së Montemurlo-s, i cili i dhuroi secilit prej lexuesve shumë të vegjël nga një libër për të nxitur këtë pasion të mrekullueshëm, i cili nxit krijimtarinë dhe kujtesën, duke hapur mendjen.

“Leximi është thelbësor për fëmijët, shton fjalorin dhe aftësitë gjuhësore dhe u lejon atyre të zhvillojnë përqendrimin dhe vëmendjen. Nëpërmjet leximit ndërtohen marrëdhënie, fitohen rregulla shoqërore dhe vlera morale, rritet vetëvlerësimi”, komentoi Forastiero pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve.

Shumë media të rëndësishme në Itali, përfshirë edhe “La Reppublica” i kanë kushtuar artikuj 5-vjeçarit që i ka habitur të gjithë me pasionin e tij.

“Të dhënat tregojnë se ai ka lexuar mesatarisht 2 libra në javë dhe kjo është e mrekullueshme”, shkruajnë mediat për 5-vjeçarin shqiptar.

Leximi është një aktivitet që Mattia bën çdo mbrëmje së bashku me nënën e tij Dorianën dhe vëllain e tij të madh 14-vjeçar, një pasion që është shtuar me kalimin e kohës pavarësisht moshës.

“Në fakt ai ende nuk di të lexojë mirë”, thotë mamaja e tij Doriana, por i do shumë librat, përrallat dhe kafshët.

“Ne shkojmë çdo javë në bibliotekë së bashku dhe ai zgjedh vëllimet që i pëlqejnë më shumë, pastaj ne i lexojmë së bashku çdo mbrëmje përpara se të flemë. Gjysmë ore kushtuar botës së librave është gjithashtu një mënyrë për t'i mbajtur fëmijët larg celularëve, librat nxisin imagjinatën e tyre, është diçka që ne kemi bërë së bashku që kur ai ishte shumë i vogël dhe që i pëlqen shumë”.

Një familje e thjeshtë, familja e Mattias jeton në Itali që nga viti 2007.

“Djali im më i vogël u bë i pasionuar pas librave edhe falë vëllait të tij që e shihte gjithmonë të lexonte dhe të studionte dhe kështu trashëgoi edhe ai këtë pasion”, shton nëna e tij.

Ajo thotë se kjo është një mënyrë për t’u mbledhur të gjithë bashkë në mbrëmje para se të flenë.

“Biblioteka është një mjedis që Mattia e njeh mirë dhe ku i pëlqen të shkojë”, shton Doriana. “Ai është një fëmijë si shumë të tjerë që është i apasionuar pas përrallave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë