Politike

5 vite nga reforma, Kim: Kemi pse festojmë, por më shumë duhet bërë

Në 5-vjetorin e miratimit të reformës në drejtësi, bilanci i Ambasadores së SHBA, Yuri Kim është pozitiv, por porositi drejtuesit e institucioneve të reja të drejtësisë të dalë nga kjo reformë që të bëjnë më shumë.

“Duhet të hapni një epokë të re në Shqipëri, ku ka shpresë se do të ketë drejtësi dhe barazi. Keni bërë një nisje të mirë, një progres të mirë, por shumë më shumë duhet bërë. Duam të shikojmë punën e mirë për të tejkaluar pengesat që keni në rrugën tuaj”, u shpreh Kim.

Kryediplomatja amerikane në Tiranë tha se ka shumë për të festuar, por është edhe koha për të bërë një strategji se ku do të shkohet në pesë vitet e ardhshme.

“Është një kohë e mirë për të festuar, ka shumë për të festuar, por është e dhe një kohë dhe të shohim se ku jemi dhe ku duhet të shkojmë? Çfarë bëmë mirë dhe çfarë mund të përmirësojmë? Është koha që të bëjmë bilance dhe sot është një ditë e mirë për të nisur një diskutim për 5 vitet e ardhshme”, u shpreh Ambasadorja.

Kim vlerësoi se institucionet e reformës në drejtësi, janë funksionale megjithëse disa janë ende të paplota, por janë funksionale. Ndër to veçoi SPAK-un.

“Po tregon se mund të veprojë dhe japë rezultate. Po tregon se ligji zbatohet njësoj për të gjithë, i madh apo i vogël, pavarësisht se sa i fuqishëm mendon se je në këtë moment. Askush nuk është mbi ligjin. Reforma në drejtësi është shpresa e të gjithëve ne, që t’i jepet fund ciklit të pandëshkueshmërisë. Po shohim rezultate, nga prokurorë e gjyqtarë, te politikanë dhe kriminelë. Shumë nuk besonin se do të ndodhte, shumë nuk donin që të ndodhte, por ajo po ndodh. Duhet të zbatoni detyrën tuaj, ashtu siç presin shqiptarët”, mbylli porosinë e saj për SPAK, Ambasadorja Kim.

Soreca kërkon bashkëpunimin e politikës

Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca kërkoi bashkëpunimin e politikës në mënyrë që sistemi i drejtësisë të fitojë besimin e plotë të publikut.

“Implementimi kërkon përgjegjshmëri dhe dialog të intensifikuar. Kërkon vullnet për të bashkëpunuar. Implementimi kërkon forcë dhe pragmatizëm, kompetencë dhe lidership. Kërkon të ngrihesh dhe të provosh sërish. Kompetenca është aftësia për të aplikuar standardet e BE. Kërkoj më shumë bashkëpunim, më shumë lidership nga të gjitha anët e politikës dhe institucionet e drejtësisë dhe shoqëria civile.

Strategjia e re drejtësisë që do diskutojmë sot, do të ngrejë reformën në një shkallë më të lartë. Strategjia është një tur i rëndësishëm për bashkëpunim. Reforma në drejtësisë është çështja më e rëndësishme e BE dhe SHBA në Shqipëri dhe ne e mbështesim atë në të gjitha format. Po vijnë edhe 9 milion euro të tjera si mbështetje", tha ai.

Gjonaj: Të vetëdijshëm për vështirësitë

Tryeza mblodhi aktorët kryesorë të sistemit të drejtësisë dhe partnerët ndërkombëtarë për të diskutuar strategjinë për pesë vitet e ardhshme. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se vështirësitë e pengesat do të jenë të mëdha.

“Vakancat e krijuara në sistem për shkak të largimeve të shumta kanë sjellë nevojën për të adresuar strategjikisht rritjen e numrit të pranimeve në Shkollën e Magjistratëve dhe ruajtjen e cilësisë profesionale, formimit të shëndetshëm etik dhe promovimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistem.

Rritja e eficencës së sistemit padyshim do të ndihmohet edhe nga harta e re gjyqësore. Institucionet me përgjegjësi ligjore si Ministria e Drejtësisë dhe KLGJ do të duhet të peshojnë në mënyrë të kujdesshme nga njëra anë adresimin e nevojave imediate të sistemit të drejtësisë dhe nga ana tjetër garantimin e aksesit në drejtësi të çdo qytetari.

Një hap i rëndësishëm që i parapriu kësaj vendimmarrje, ishin edhe ndryshimet ligjore në maj 2021, të cilat mundësuan funksionimin e plotë të degëve të gjykatave”, deklaroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë