Vende dhe Udhetime

5 vendet ku nuk duhet të jepni bakshish

Dhënia e bakshishit është një temë shumë e diskutuar midis turistëve, kryesisht sepse praktikat e bakshishit ndryshojnë shumë nga vendi në vend.

Në shumicën e destinacioneve, dallimet janë të vogla, shumë punonjës shërbimi e pranojnë shpërblimin monetar për këshillat apo shërbimet e ndryshme, që u ofrojnë turistëve.

Por, ka disa vende ku bakshishi nuk është një praktikë standarde, ndërsa në disa të tjera, bakshishi bie ndesh me kulturën e vendit.

Polinezia Franceze

Në këtë vend, që përfshin një zonë të Paqësorit përafërsisht me madhësinë e Europës Kontinentale, kultura mbizotëruese është ajo e mikpritjes pa detyrime apo pritshmëri.

Për shkak të kësaj, bakshishi nuk pritet dhe përpjekjet për të dhënë bakshish mund të refuzohen. Në restorante dhe hotele, është e zakonshme, që menaxheri ose pronari, të lëshojnë faturat dhe të marrin pagesën.

Japonia

Në Japoni, kudo shërbimi është shumë i mirë dhe bakshishi nuk është pjesë e kulturës. Dhënia e bakshishit, mund të shihet si një veçim i turpshëm i individit në dëm të përpjekjes kolektive.

Për shembull, dhënia e bakshishit një kamarieri në restorant, do të shihej si njohje dhe vlerësim i shërbimit të tij, por jo e ekipit të kuzhinës, që përgatiti vaktin.

Ndonëse mund të mos konsiderohet veprim veçanërisht i vrazhdë apo fyes, pasi shumë japonezë e dinë mirë se kultura e bakshishit ekziston jashtë Japonisë, mund të duket si veprim mjaft i çuditshëm.

Një tjetër pengesë ndaj bakshishit në Japoni, është se kalimi i parave nga dora në dorë konsiderohet jo-higjenike. Shumica e restoranteve dhe dyqaneve ofrojnë një tabaka plastike, për të vendosur paratë gjatë kryerjes së një pagese.

Koreja e Jugut

Ngjashëm me Japoninë, kultura e Koresë së Jugut është e rrënjosur në Konfucianizmin, i cili i jep vlerë krenarisë për punën, përpjekjet e njohjen kolektive.

Megjithatë, disa restorante të stilit perëndimor, veçanërisht në hotele, shtojnë në faturë tarifë shërbimi.

Një përjashtim nga rregulli i ndalimit të bakshishit në Korenë e Jugut, janë udhërrëfyesit turistikë, të cilët presin një shpërblim prej 10-15% të çmimit të turneut. Por, bakshishi për udhërrëfyesit turistikë duhet të jepen me maturi, mundësisht në një zarf.

Kina

As në Kinë nuk pranohet bakshishi. Madje, mund të shihet si një përpjekje fyese për të bërë bamirësi, sikur dhënia e bakshishit nënkupton, që marrësi “duket sikur ka nevojë për para”.

Madje ka disa institucione në Kinë, si aeroportet, ku bakshishi është i ndaluar me rregullore. Udhërrëfyesit turistikë janë një përjashtim, si në vendet e tjera pa bakshish, dhe bakshishi duhet të jepet me maturi.

Ndërsa bakshishi është i pazakontë në Kinën kontinentale, duhet theksuar se Rajonet Administrative të Veçanta, Hong Kongu dhe Makao, vazhdojnë të ndjekin zakonet e bakshishit nga epoka koloniale europiane.

Kështu që, kultura e bakshishit në këto pjesë të Kinës, është shumë më perëndimore.

Fixhi

Ashtu si në Polinezinë Franceze, Fixhi është një shoqëri kolektive, kështu që bakshishi nuk pritet dhe as nuk kërkohet. Bakshishi mund të konsiderohet si vlerësim i pakëndshëm individual i një përpjekjeje kolektive.

Megjithatë, në disa resorte, mund të vendosen kuti grumbullimi “Staff Christmas Fund”, ku mblidhen paratë për t’u shpërndarë rregullisht, në mënyrë të barabartë, midis stafit. / Fodor’s Travel


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë