Trend

424 diamantë, ora e Ronaldos vlen mbi 2 mln euro

Asi portugez i Juventusit, Kristiano Ronaldo, ka bërë një “driblim” të bukur në konferencën për shtyp para ndeshjes me Mançesterin, ku ka dalë bashkë me trajnerin Masimiliano Alegri. Ndoshta për të larguar sadopak vëmendjen nga konflikti me ish-trajnerin e tij Mourinjo, apo edhe nga skandali “Majorga”, ai i ka fiksuar të gjithë me orën që mbante në dorën e majtë. Një detaj, që jo vetëm që nuk kaloi pa u vënë re, por mori vëmendjen më të madhe.

Një orë e mbushur me diamantë, me vlerë më të madhe se 2 milionë euro. Kristiano Ronaldo kishte bërë këtë zgjedhje dhe ora e tij menjëherë përfundoi në fokusin e aparateve të fotografëve. Një aksesor që nuk ka si të fshihet. Ora është e shndritshme, e përbërë nga 424 diamantë të bardhë dhe të kuq, të shpërndarë në gjithë strukturën e saj. Sipas tabloidit anglez “The Sun”, ora është e markës “Jacob & Co (Caviar Torubillon)”. Portugezi është ambasador i kësaj marke që nga viti 2013.

Kristiano Ronaldo "tregon" orën gjatë konferencës për shtyp

Tashmë janë harruar të gjitha çështjet e tjera të Kristiano Ronaldos dhe i gjithë diskutimi ka të bëjë me vlerën e orës së tij të fundit. Një lëvizje e bukur e portugezit në prag të ndeshjes me Mançester Junajtid në Angli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë