Rend dhe Ligj

42-vjeçari dhunon të atin, më pas kërcënon me jetë policët

Policia e Tiranës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale në fshatin Bulticë, njësia administrative Vaqarr.

Policia thotë se një 42-vjeçar ka dhunuar babanë, ka qëlluar me armë zjarri brenda banesës, duke terrorizuar familjarët, dhe më pas ka kanosur me armë edhe punonjësit e policisë.

Siç njofton policia, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë marrë njoftim se ne fshatin Bulticë, Njësia Administrative Vaqarr, në banesën e shtetasit Sh. L., 64 vjeç, kishte të shtëna me armë. Menjëherë, ne vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë.

Në momentin që policia është afruar për të hyrë në banesë, shtetasi R. L., 42 vjeç, djali i shtetasit Sh. L, ka kërcënuar me jetë punonjësit e Policisë që të mos afroheshin në banesë, pasi do t’i qëllonte me armë zjarri.

Policia i ka bërë thirrje 42-vjeçarit që të dorëzohej dhe të hidhte armën, por ai ka mundur të dalë nga banesa nga një dalje dytësore dhe duke përfituar nga errësira është larguar me shpejtësi.

Në ndjekje të tij janë vënë forca të shumta të Komisariatit të Policisë Nr. 6 dhe pas disa orë ndjekjeje dhe kontrollesh kanë bërë të mundur kapjen e tij në një banesë të braktisur, si dhe sekuestrimin e armës së zjarrit.

Shtetasi R. L., pas një konflikti me babanë e tij, shtetasin Sh. L, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në banesë, por pa shkaktuar pasoja.

42-vjeçari ka përfunduar në pranga për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Armëmbajtja pa leje” dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë