Futboll

400 milionë euro për të mbajtur Kilian Mbape, PSG bën çmenduri për sulmuesin e saj

Gazeta Si – E ardhmja e Kilian Mbape mund të kthehet në një tjetër telenovelë. Nga njëra anë është Real Madrid, që nuk ia doli në tentativën e parë dhe që tani e do sërish, kurse në anën tjetër është PSG, që kërkon ta mbajë me çdo kusht kapitenin e Francës. Liverpuli ndërkohë monitoron situatën.

Klubi francez i emirit të Katarit është gati të bëjë gjithçka për ta bindur Mbapenë të qëndrojë. Kontrata e tij me PSG-në skadon në qershor dhe për momentin çdo skenar mund të konsiderohet i hapur.

Natyrisht, PSG është një opsion dhe për të mos u privuar nga talenti i saj, kjo skuadër ka gati një ofertë monstruoze: 400 milionë euro për 4 vjet kontratë. Shifra saudite dhe gati katër herë më shumë se sa mund të përfitojë në La Liga me Real Madrid. Vetë Mbape ka vendosur të marrë kohë, para se të vendosë se çfarë do të bëjë për sezonin e ardhshëm.

Kohë më parë kalimi i tij në Spanjë u bë thuajse i kryer, por më pas sulmuesi, i ndikuar nga shumë faktorë, qëndroi në Paris. Një zhgënjim i dytë do të ishte i rëndë për presidentin e Real Madrid, Florentino Perez, i cili po studion edhe pistën tjetër, atë të Erling Haland të Mançester Sitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë