Politike

4 emra nga LSI bëhen deputetë. Brenda opozitës 15 të lëkundur

Nis rrjedhja e kandidatëve për deputetë brenda radhëve të opozitës. Fituesit e listës së LSI nisën të depozitojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e Dekriminalizimit, duke nënkuptuar se do të marrin mandatin e deputetit. Po ashtu pritet që këtë hap ta hedhin edhe kandidatë të PD-së. Janë gjithsej 15 kandidatë në listën e Partisë Demokratike dhe asaj të Lëvizjes Socaliste për Integrim, të cilët kanë vendosur që të mos i binden urdhrit të partive për të mos e marrë mandatin e deputetit.

Ndërkohë pas mesdite përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Ivi Kaso dorëzoi listën e formularëve të kandidatëve që nuk pranojnë të marrin mandatin. Nga Partia Demokratike kanë firmosur deklaratën për mos marrjen e mandatit 31 persona nga 40 që duhet të ishin. Mungojnë 15 dorëheqje nga opozita dhe priten të tjera emra që marrin mandatin e deputetit në Parlament.
Ndërsa 11 kandidatë kanë firmosur dorëheqjen nga 17 fitues që janë gjithsej në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në total PD-ja ka 194 kandidatë në listën shumemërore të deputetëve. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim ka 146 kandidatë.


Por sot në mesditë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dorëzuan deklaratën e Dekriminalizimit, katër kandidatët për deputetë në listat shumëemërore të LSI-së, Ylli Shehu, Ervin Roshi, Edmond Rrushi dhe Aurora Mata që pritet të zenë vendin në parlament.
Enver Roshi është kandidati i qarkut të Elbasanit, ndërsa Aurora Mara është në listën e qarkut të Dibrës.
Në një prononcim për Gazeta Si, Shehu deklaroi se ka vendosur që të marrë mandatin e deputetit, duke bërë të ditur se e dorëzoi formularin e vetdeklarimit. “Do ta pranoj mandatin. Se çfarë do të bëjë LSI me mua është punë e tyre. Unë do të jem në Parlament kundër mazhorancës”, deklaroi Shehu.

Ylli Shehu, është renditur i 9-ti në listën e LSI-së për qarkun e Tiranës. Ai më parë ka qenë deputet i Partisë Republikane, por refuzoi që të dorëzonte mandatin si pjesë marrëveshjes paraprake brenda kësaj partie. Kjo bëri Shehu t’i bashkohej LSI-së.

Ylli Shehu gjatë kohës kur ishte deputet i Parlamentit shqiptar


Një ditë më parë për Gazeta SI, Shehu konfirmoi se nuk e kishte firmosur deklaratën e ofruar nga LSI-ja që refuzonte të merrte mandatin e deputetit.
“Unë nuk kam firmosur ende një deklaratë paraprake dorëheqjeje. Unë jam njoftuar nga KQZ për të drejtën e përfitimit të mandatit, dhe kam 10 ditë kohë të dorëzoj formularin e Dekriminalizimit. Deri atëherë kam kohë të mendohem dhe të konsultohem më gjithçka ndodh, pas shkëputjes gati dyvjeçare me politikën aktive. Shpresoj në mirëkuptimin tuaj për ta marrë gjithë kohën që kam në dispozicion për të thënë fjalën e fundit” do të deklaronte Shehu të enjten.
Por ndër emrat e tjerë që përflitet se do e marrin mandatin nga radhët e LSI-së janë edhe Flamur Gjuzi i listës së Durrësit dhe Kladi Qama i listës së Beratit.

Ralf Gjoni kandidati i LSI-së për në listën e Tiranës, i renditur i 11-ti përflitet se nuk mund ta dorëzojë mandatin e deputetit. Me anë të një statusi në Facebook ai e paralajmëroi një akt të tillë. Ndërsa gjatë së enjtes postoi një foto gjatë një takimi me europarlamentarin Knut Flekcenstein. "Me mikun tim të mirë Knut Fleckenstein MEP duke diskutuar për të ardhmen e Shqipërisë, nën diellin e Tiranës që po ndriçon", do të shkruante Gjoni. Nga radhët e LSI-së, vetëm Lefter Koka nuk e ka dorëzuar mandatin e deputetit.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10156366567364538&set=a.10150720677984538&type=3&theater

Lista e PD-së

Numri i personave që kanë refuzuar të firmosin deklaratën e dorëheqjes brenda PD-së nga radhët e kandidatëve është katër. Ligoraq Karamelo, në listën e PD-së së Korçës, por i përfshirë si pjesë e koalicionit me PBDNJ-në mësohet se ka refuzuar të nënshkruajë deklaratën për mosmarrjen e mandatit të deputetit. Karamelo e konfirmon një fakt të tillë për Gazeta Si, ndërsa shton se nuk ka vendosur ende që të marrë ose jo mandatin e deputetit. Ai është i renditur i gjashti në listën e PD-së për qarkun e Korçës.

Ligoraq Karamelo

Edhe Lefter Maliqi është një nga kandidatët që nuk ka firmosur deklaratën e kërkuara nga PD-ja. Maliqi, tashmë është në postin e zv/drejtorit të Përgjitshëm të Burgjeve dhe tashmë është më pranë mazhorancës. Ai është i dyti i listës së PD-së për qarkun e Beratit.
Erion Piciri i renditur i 26-ti në listën e PD-së për qarkun e Tiranës dhe Selami Jenishehri i 46-ti në listën e demokratëve po në këtë qark janë dy emrat që nuk kanë firmosur deklaratën e kërkuar nga selia blu.
Brenda radhëve të PD-së, deputetët aktualë Rudina Hajdari dhe Nard Ndoka, kreu i PDK-së, nuk kanë dorëzuar mandatin. Hajdari ka deklaruar se po konsultohet me partnerët ndërkombëtarë për dorëzimin ose jo të mandatit, ndërsa ka njoftuar se ndjehet e kërcënuar për tu përjashtuar nga PD. Po ashtu Myslym Murrizi është deputeti që ka refuzuar të dorëzojë mandatin nga PD, vendim për të cilin u përjashtua.
Këta janë gjashtë përfaqësuesit në radhët e listave të PD-së që mund të jenë në Parlamentin shqiptar.
Ndërkohë edhe kryetari i PAA-së, Agron Duka në një prononcim për Top Channel ka deklaruar se mund ta pranonte mandatin vetëm nëse do të ketë sinjale pozitive nga ana e mazhorancës për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Duka është i pesti në listën e demokratëve në qarkun e Durrësit. Por qëndrimi i tij, duhet parë me interes, pasi edhe 3 kandidatë të tjerë janë në listat e PD-së në qarqet e ndryshme.

Por Agron Duka, gjithsesi deklaron për Gazeta SI se e ka firmosur deklaratën për mos pranimin e marrjes së mandatit të mandatit të deputetit.

Deklarata e firmosur nga ana e Agron Dukës, kreut të PAA-së



Emrat që refuzojnë dorëzimin e mandatit

Lista e PD
Ligoraq Karamelo
Lefter Maliqi
Erion Piciri
Selami Jenishehri

Lista e LSI-së

Edmond Rrushi

Ylli Shehu
Ralf Gjoni
Flamur Gjuzi
Edlira Hyseni
Klajdi Qama
Enver Roshi
Aurora Mara

Nuk kanë dorëzuar mandatin
Rudina Hajdari PD
Myslym Murrizi PD
Lefter Koka LSI


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë