Futboll

370 mln euro në 4 vjet, Mesi paguan taksa sa për 120 mijë shtetas në Spanjë

Në Spanjë, frika për të humbur Lionel Mesin është e madhe, në çdo drejtim, jo vetëm atë sportiv. Jo vetëm Barcelona dhe La Liga i druhen faktit se argjentinasi mund të largohet. Edhe sistemi fiskal, në rast të ndarjes së Mesit me Barcelonën për të shkuar në Francë ose Angli, do të humbte 370 milionë euro në 4 vjet.

Zgjedhjet për presidencën e klubit katalanas mbahen në mars dhe më pas Mesi mund të flasë me kreun e ri të “Camp Nou”-t. Ndërkohë, ofertat për të janë shumë serioze. PSG-ja ka dalë hapur, të gjithë e presin me krahë hapur, por edhe Mançester Siti i Guardiolës, sipas shtypit anglez, ka gati sulmin final në momentin kur situata të jetë më e qartë te katalanasit. Të gjitha këto zhvillime kanë shqetësuar edhe sistemin e taksave në Spanjë.

Leo Mesi, kapiteni i Barcelonës. Gazeta Si, 10 shkurt 2021

Pak vite më parë Mesi është dënuar për evazion fiskal, por që nga ai moment 6 herë fituesi i “Topit të Artë” i ka paguar taksat rregullisht, duke u bërë një nga kontribuesit më të mëdhenj në Spanjë. “El Periodico de Catalunya” ka bërë disa kalkulime dhe ka arritur në konkluzionin se që nga 2017-a, me rinovimin faraonik të kontratës, kapiteni i Baarcelonës ka paguar të paktën 370 milionë euro taksa.

Kaq mjafton për të kuptuar frikën pse një lojtar i tillë nuk duhet të largohet nga Spanja. Në Katalonjë shkruajnë se Mesi i ka kushtuar të paktën 555 milionë euro në 4 vjet klubit, por edhe ka sjellë në arkën e Barcelonës të ardhura të konsiderueshme. Edhe e drejta e imazhit përfaqëson një pjesë të rëndësishme të taksave të paguara nga Mesi. Argjentinasi paguan i vetëm taksa sa për 120 mijë banorë vendës. Kështu, autoritetet spanjolle urojnë që Mesi të qëndrojë te Barcelona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë