Turizëm

350 mijë euro për të zhvilluar fshatin ku ka kaluar fëmijërinë

Sabina Veizaj-“Rikthim në rrënjët e tij” e quan Shpëtim Duqi investimin në fshatin Pëllumbas të Tiranës.

Pas 35 vitesh që ka jetuar në Vlorë, ai ka investuar me shumë sakrificë, sipas tij një shumë prej 350 mijë eurosh në tre vite për të ngritur një agriturizëm, por siç më rrëfen mandej gjatë bisedës, gjithçka është në fillesat e saj.

Aktualisht Shpëtimi ka përfunduar restorantin Rozmarina, hotelin Hill View Hotel dhe në varësi të këtij aktiviteti, ku po kontribuon edhe Fondi për Zhvillimin në Turizëm, do të përmbushë ëndrrën e tij të agriturizmit. Ai e konsideron agriturzimin një fushë të rëndësishme të ekonomisë, por mbi të gjitha që i shërben shëndetit të njeriut.

Shpëtim Duqi

“Kam qenë në shumë agriturizme në Itali. Jam mrekulluar. Unë këtë koncept kam që tu ofroj vizitorëve, turistëve; ushqime të stinës dhe të zonës” – më thotë Shpëtimi.

Historia e tij nis në Pëllumbas, në fshatin që është vetëm 4 km larg Tiranës, të cilin mund ta aksesosh me makinë private ose me autobus që vihet në dispozicion nga organizatorët e tureve dhe që nisen nga terminali i Qytetit Studenti në Tiranë.

Pëllumbas

Kurse të huajt zakonisht siç më tregon dhe Jonel Kristo i Fondit të Zhvillimit të Turizmit, i blejnë paketat turistike në vendin e tyre dhe udhëtimi drejt Pëllumbasit është një destinacion, pjesë e një turi të madh, ndoshta edhe ballkanik për të cilët interesohen në përgjithësi të huajt.

Ne jemi ulur në një tavolinë pranë oxhakut. E diela me shi dhe e ftohtë, megjithëse në mesprill, ka favorizuar dëshirën e klientëve që të kalonin një drekë të ngrohtë tek shikonin shkarpat e drurit që digjeshin në oxhak.

Shpëtimi kujton se për shkak të kushteve ekonomike në atë kohë, i ati e shpuri në shkollën Skënderbei në Vlorë, pasi siç ndërmend ai, shkolla, të siguronte ushqimin dhe lehtësira të tjera.

Pasi punoi një dekadë si ushtarak, vendosi të hapë një pastiçeri në Vlorë. Por rrënjët në Pëllumbas nuk i ka harruar kurrë dhe përherë në mendjen e tij ka qenë si një thirrje e brendshme zhvillimi i fshatit dhe që ai të vinte një gur të rëndë në këtë zhvillim duke kryer një investim të rëndësishëm.

“Këtu puna nuk ka nisur ende që ti kuptoj frutet, prandaj unë vazhdoj punoj në Vlorë. Këtu qëndron bashkëshortja. Unë vetë vij në fundjavë”- më tregon Shpëtimi.

E diela e 14 prillit shënoi dhe hapjen e dyerëve për vizitorët e Pëllumbasit. Për shkak të motit me shi, vizitorët nuk ishin të shumtë, por në restorantin Rozmarina të Shpëtimit u shtruan rreth 10 tavolina; familjarë, të rinj të cilët kishin ardhur disa për të kaluar drekën e të dielës, disa për të festuar ditëlindjen e një familjari, të tjerë për të shuar kërshërinë e aktivitetit të degustimit të slow food.

“Ky ishte fillimi. 3000 lekë është shumë shtrenjtë për një drekë + transportit dhe ne menduam këtë bollëk për t’ju bërë të kuptoni si shijon ushqimi bio i zonës dhe çfarë ne mund të ofrojmë. Por herën tjetër do të ketë menu sipas dëshirës dhe guidë për në fshat; në shpellë dhe tek kanionet”- më thotë një prej kamarierëve duke biseduar në ikje.

Rozmarina kishte të dielën një menu të bollshme. Çelja e degustimit nisi me një lëng të athët ftoi me gaz natyral dhe një supë me hithra.

Raundi i dytë i takimit me kamarierin ishte prurja e bukës së bërë vetë, e shoqëruar me gjalpë të fshatit dhe reçel qershie të bërë në mënyrë artizanale. Mandej kamarieri erdhi sërisht për të vijuar me produkte të tjera brumi që nga pite të mbushura me perime, byrek dhe lloje të ndryshme bukësh të shoqëruara me djath kaçkavall të shkrirë në tavë balte, qofte me perime, djath të bardhë, ullinj dhe qepë të njoma.

Pija shoqëruese ishte coca cola dhe bravot me fruta për fëmijët, e për të rriturit vera e kuqe e servirur në kanë alumini.

Mandej radha e pjatave kryesore; mish qingji me salcë dhe patate furre, mish keci me borani me limon, jufka dibre me pulë. Dhe për në fund ëmbëlsira; pandispanjë me arra.
Koha ishte shumë e kufizuar për atë ushqim të bollshëm pasi aktiviteti i vetëm që qe parashikuar ishte degustimi i ushqimit me rastin e çeljet të sezonit dhe të restorantit njëkohësisht.

Por ushqimin mund ta konsumoje edhe në verandën e restorantit ku shijimi do të ishte i dy-fishtë pasi peizazhi qe i mrekullueshëm. Prej aty mund të shohësh të gjithë fshatin.
Pëllumbasi pozicionohet në të majtë të Erzenit, poshtë malit që shtrihet në kanionet e këtij lumi. Klima është e freskët, ajri i pastër dhe mbytet nga gjelbërimi.

USAID dhe Ambasada e Suedisë dy vite më parë shpallën Qendrën për Edukimin Ekonomik & Biznesin (CEBE) si fituesin e parë të grantit për projektin “Turizmi si Potencial Zhvillimi”. Që prej asaj kohe në 32 muajt në vazhdim, CEBE krijoi dhe ka vënë në funksion të parin Fond në Shqipëri për Investimet dhe Financimin në Turizëm, një fondacion shumë-partnerësh, në pronësi të anëtarëve dhe jofitimprurës, që ka nisur të investojë dhe të këshillojë sipërmarrjet e vogla, ekzistuese ose të reja, në sektorin e turizmit. Mbështetur nga Qeveria Shqiptare dhe bashkitë Belsh (Qarku Elbasan), Himarë dhe Tiranë, Fondi po investon në sipërmarrjet e vogla agro-turistike dhe eko-turistike në zonën e Liqeneve të Belshit, të Himarës së Vjetër dhe të Pëllumbasit.

Fondi ka financuar deri më tani gati 300 mijë euro në zonat e përfshira në projekt. Sipas Jonel Kristos, CEO i Tourism Investment and Finance Fund gjatë këtyre dy viteve është punuar me infrastrukturën, rruga deri në fshat e deri tek Shpella e Pëllumbasit është rregulluar. Është rehabilituar qendra e fshatit, janë ngritur dy hotele, disa restorante dhe 7 bujtina me nga dy dhoma seicila. Projekti është konceptuar si investim për ta zhvilluar fshatin si një të tërë dhe për të shpërndarë vizitorët e turistët në të gjitha pikat që ofrohet shërbimi.

Shpëtim Duqi më tregon se thirrjes së tij për ti shpënë prodhimet vendase i janë përgjigjur të gjitha familjet e fshatit.

“Të gjitha prodhimet e restorantit janë bio nga fshati. Unë në qytet blej vetëm sheqer, piper. Gjërat industriale që nuk kanë zëvendësues në fshat. Të tjerat ua blej vendasve”- më tregon Shpëtimi.

Ai ka trashëguar 100 rrënjë ullinj nga i ati që janë pranë shtëpisë së vjetër, të cilat i ka shtuar edhe me 200 të tjera. Po ashtu në oborrin e restorantit mbante pula .
Ai po mendon që shtëpinë e vjetër ta kthejë në agriturizëm. Kurse hoteli është një koncept tjetër për ata që preferojnë këtë mënyrë akomodimi.

Një natë në hotelin tre katësh Hill View kushton 20 euro dhoma.

Kurse Joneli më tregon se projekti ka rezultuar i suksesshëm. Janë punësuar 40 njerëz në sezon dhe gjatë dimrit 12 syresh. Shqiptarët shpenzojnë më shumë se sa të huaj, më thotë Joneli, si ata që vijnë nga rrethet e ndryshme, ashtu edhe nga Tirana. Kurse të huajt vijnë më paketa të gatshme, të përcaktuara që në vendin e tyre. Ata nuk bujtin në shtëpitë e fshatarëve, bujtina ose në hotel, por vijnë me çadra.

Joneli vëren se nevojtitet më shumë promovim pasi vendi është i mrekullueshëm dhe ofron natyrë, ushqim të shëndetshëm, vende për të vizituar dhe në mot me shi mjedise rekreative për të luajtur fëmijët.

Në restorantin e Shpëtimit kishin konceptuar një hapësirë mini golfi për zbavitje alternative ku të dielën shumë fëmijë eksperimentuan dhe kaluan një kohë teksa prindërit bisedonin.

Por në ditët në vazhdim Shpëtimi në strukturën e tij, do të ofrojë edhe guidën për tek Shpella e Pëllumbasit ose Shpella e Zezë siç quhet dhe për tek Kanionet e Erzenit.
Shpella e Pëllumbasit është një nga 6 shpellat e rralla karstike që gjenden në Europë dhe e treta për nga madhësia, duke paraqitur vlera shkencore, arkeologjike, kulturore dhe turistike për gjithë vizitorët e saj. Shpella ndodhet rreth 2 kilometra në verilindje të fshatit Pëllumbas, në krah të majtë të lumit Erzen dhe 27 km në juglindje të Tiranës – 350 m mbi nivelin e detit.

Nga fshati shpella me ecje më këmbë bëhet për rreth 40 minuta.

Shpellës i dihet fillimi, por jo fundi. Siç thonë banorët, ata kanë provuar të fusin kafshë brenda dhe ato nuk kanë dalë më. Shpella në brendësi të saj ka stalagmite dhe stalaktike të mahnitshëm si dhe lakuriq nate që fluturojnë aty pari. Në shpellë është tërësisht errësirë duke marrë parasysh që ka vetëm një hyrje. 40 mijë vite më parë shpella ishte shtëpia ku strehoheshin arinjtë.

Teksa më parë ata që bujtnin për të qëndruar një natë në fshat si vizitorë a turistë ishte shumë e rrallë, sot synohet që Pëllumbasi të jetë një destinacion i rëndësishëm turistik në Tiranë dhe Shqipëri. Fondi i Zhvillimit të Turizmit përpos investimeve të tjera ka ngritur në qendër të fshatit edhe një agjenci turistike për tu informuar. Aty është krijuar edhe panairi me prodhimet “bio” të fshatit.

Investimet sipas Fondit janë në dy forma; për 5 vite investon Fondi dhe pronari nuk merr fitimet, por pas 5 vitesh ai merr biznesin e ngritur. Ndërsa forma tjetër është bashkëinvestim si në rastin e Shpëtim Duqit.

Për herën tjetër Shpëtimi na premtoi se do të na shoqërojë tek Shpella, Kanionet dhe do të na shpjerë të vizitojmë shtëpinë e vjetër të prindërve ku janë vreshtat dhe rrënjët e ullinjve…

 

Më Shumë