Lajme

340 lëkundje nga e shtuna, qytetarët kanë frikë të shkojnë në shtëpi

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka njoftuar se më shumë se 340 tërmete kanë ndjekur tërmetin me magnitudë 5.8 që ra pasditen e së shtunës pranë Durrësit.

Po ashtu, edhe Qendra Gjeologjike e ShBA-së dhe Qendra Sizmologjike Evropiane regjistruan të dielën qindra lëkundje të tjera, me intensitet më të ulët.

Frika nga tërmeti ka lënë shumë banorë të Tiranës dhe Durrësit jashtë shtëpive të tyre, duke u strehuar në makina, bare e parqe, ndërkohë që numri i të lënduarve nga lëkundjet e të shtunës ka arritur në 105 njerëz. Nga ana tjetër Ministria e Mbrojtjes njofton se u dëmtuan plot 950 ndërtesa.

Në Tiranë, të paktën 500 persona e kaluan natën në pikat e emergjencës dhe në qendrat e hapura rishtazi. Në Durrës, banorët ende kanë frikë të kthehen në shtëpitë e tyre.
deri pas mesnatës stadiumi i Durrësit ka qenë i mbushur plot me njerëz, të cilët kanë lënë shtëpitë e tyre mbrëmjen e kaluar pas alarmit të rremë të shpërndarë në rrjetet sociale se tërmeti 6 ballësh do të godasë vendin në ora 23.30.

Të alarmuar dhe në panik nga lajmi, qytetarët durrsakë janë larguar menjëherë nga shtëpitë e tyre, duke mbushur stadiumin. Por ata janë larguar nga stadiumi pas mesnatës, duke u kthyer një pjesë nëpër shtëpi dhe një pjesë tjetër te të afërmit e tyre.



Situata e krijuar në vend pas lëkundjeve ka sjellë edhe reagime solidariteti nga Bashkimi Europian dhe vendet fqinje. Përmes një mesazhi, shefja në largim e politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini i shprehu keqardhjen kryeministrit EdI Rama mbi situatën e krijuar në vend si pasojë e tërmeteve.

Federica Mogherini në mesazhin e saj shprehet se uron që të gjithë të lënduarit nga lëkundet sizmike të mund të shërohen sa më shpejt.

“Uroj që të plagosurit nga tërmeti të shërohen sa më shpejt. Solidarizohem me kryeministrin Rama për këtë situatë. Bashkimi Europian është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë për të rimarrë veten”, thotë ndër të tjera në mesazhin e saj Mogherini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë