Treg

3,2 mln euro i kushton qeverisë të subvecionojë 3 muaj transportin publik

Kompanitë nuk nisin punën deri në plotësimin e kërkesave, transporti i jashtëligjshëm lulëzon

Luljeta është pensioniste. Ajo ka qenë mësuese dhe sot merr një pension prej 23 600 lekësh në muaj. Ka ardhur nga një qytet i jugut të jetojë për disa kohë tek e bija në Tiranë.

Pas pandemisë iu desh të udhëtonte drejt shtëpisë së saj në jug për të bërë disa pagesa.

Ajo prej disa kohësh përpara pandemisë udhëtonte me një makinë, shoferi i të cilës i merrte për biletën çmimin e një furgoni, 600 lekë vajtje dhe 600 lekë ardhje.

Me rregullat e reja të transportit, i zoti i automjetit, edhe në kushtet e mungesës së transportit publik, i bëri me dije Luljetës me keqardhje që çmimi i biletës (që nuk ekziston, sepse nuk të ofron një të tillë) është dyfishuar. Pra Luljeta do të paguajë 1200 lekë për të udhëtuar në një qytet të jugut dhe 1200 lekë për t'u rikthyer në Tiranë.

“Për mua është një sakrificë e madhe me atë pension që kam. Është një çmenduri, por e kam të pamundur të pres kur të nisin autobusët që nuk dihet ende se kur do të nisin. Njerëzit kanë halle dhe sigurisht edhe këta përfitojnë”, thotë Luljeta.

Në fakt, nuk ka ende asnjë datë zyrtare që sektori i transportit publik të nisë nga puna.

Nga një përllogaritje që është bërë nga qeveria për të subvecionuar sektorin e transportit publik në masën 30% për tre muaj, duhen 3,2 mln euro.

Por ende nuk është gjetur një mënyrë subvecionimi dhe ende nuk është bërë gati protokolli i sigurisë që ky sektor të nisë nga puna.

Ajo që dinë shoqatat dhe kompanitë është se do të punojnë me gjysmën e kapacitetit.

“Tre muaj ishim mbyllur, tani nuk dimë se kur do të nisim. Do të punojmë me gjysmën e kpacitetit. Pa mbështetje është e pamundur që ne të funskionojmë. Ne nuk po përpiqemi për fitime, po përpiqemi të mbijetojmë duke iu shërbyer qytetarvëe. Studnetët kanë nisur mësimin dhe na shkruajnë çdo ditë që kur do nisim nga puna sepse po harxhojnë duke marrë taksi edhe pse nuk munden dhe në Tiranë torturohen më këmbë”, shprehet Eneo Sulejmanaj, kreu i shoqatës "Transporti Ndërqytetas dhe Rrethqytetas i Udhëtarëve".

Ai i thotë Gazetës “Si” se kanë patur një takim informal me kruen e DSHPTR-së tre ditë më parë ku është diskutuar mënyra e subvecionimit të transportit publik, ku njëri variant ishte subvecionimi një herë në muaj.

Ajo që shoqatat e transportit në vend kanë kërkuar është:
1-Heqja e TVSH-së për 2020-n dhe pas kësaj zbritje e TVSH-së si në sektorin e turizmit 6%, pasi edhe transporti është një hallkë e tij.
2-Faljen e taksave vendore për 2020ën.
3-Të merren masa urgjente nga organet kompetente për luftimin e transportit të udhëtarëve me mjete informale i cili ka lulëzuar gjatë kohës së pandemisë.
3-Heqjen e akcizës për blerjen e naftës nga shoqëritë e transportit publi.
4-Njohjen e shpenzimit të zbritshëm 100% për naftën pasi është lënda e parë për sektorin
5-Subvecionim të 50% të ngarkesës direkt në llogaritë e shoqërive të transportit duke marrë parasysh lejen e udhëtimit për të kuptuar sa kapacitet ka mjeti.

Sipas Selejmanaj sektori është në një gjendje shumë të keqe financiare dhe është sektori më i goditur. Ai bën me dije se nuk është e vërtetë që janë falur taksat e qarkullimit. “Nuk është e vërtetë. Sapo më telefonuan nga Saranda që po paguanin taksat”, thotë ai.

Pak kohë më parë DSHPTR mori vendimin për të hequr taksën vjetore për gjithë vitin 2020, për 7,204 mjete me një vlerë prej 170,194,500 lekë.

Sulejmanj tregon për Gazetën “Si” se kompanitë po bëhen gati duke bërë kolaudimet e mjeteve dhe në asnjë rast nuk kanë kërkuar dhe nuk do të kërkojnë rritje të çmimit të biletave sepse nuk po synojnë fitimet, por nëse qeveria nuk vendos shpejt mbi kërkesat e shoqatave, sektori nuk do të nisë nga puna dhe do të ketë reagim të fortë mbarëkombëtar nga ofruesit e këtij shërbimi.

Në mbledhjen e fundit në DSHPTR është diskutuar si datë fillimi i transportit publik data 8 qershor, ditën e hënë, por sipas Sulejmanaj është gati e pamundur sepse asnjë gjë nuk është gati.

Të njëjtën gjë thotë edhe kreu i shoqatës së Transportit Ndërqytetas, Kujtim Mema.

Sipas tij nuk ka asnjë reagim ndaj kërkesave të tyre, ndërsa ata janë duke pritur.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë