Politike

31 vite protagonist politik mes akuzash, Sali Berisha për herë të dytë në prokurori

Në 31 vite karrierë si një protagonist kryesor në politikën shqiptare, Sali Berisha ka mbi supe akuza të shumta publike e jopublike nga kundërshtarët politikë, por edhe nga bashkëpunëtorët e tij në parti e qeverisje.

Berisha është akuzuar për skemat piramidale, për trazirat e ’97-s, për shkeljen e embargos së naftës ndaj Jugosllavisë së Millosheviçit, për zhdukjen e Remzi Hoxhës, për grushtin e shtetit të 1998-s, për shpërthimin e Gërdecit në 2008-n, për 21 janarin në 2011.

Lista e mësipërme janë akuzat më të rënda të ngritura ndaj tij, ku është përfolur deri për krime kundër njerëzimit, si në rastin e ’97-s dhe deklaratat e disa prej protagonistëve të atyre viteve se kërkoi bombardimin me avionë luftarakë të protestuesve në qytetin e Vlorës.

Akuza të tjera që janë artikuluar ndaj tij lidhen me korrupsionin, keqqeverisjen dhe ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë gjatë qeverisjes nga 2005 deri në 2013. Pikërisht për korrupsion dhe ndikim në sistemin e drejtësisë, Berisha u shpall më 19 maj të vitit të kaluar “non grata” nga SHBA.

Por, megjithë morinë e akuzave të hedhura ndaj tij ndër vite, Berisha e ka parë vetëm dy herë derën e Prokurorisë dhe në të dyja rastet me statusin e deputetit të thjeshtë. Berisha e ka shmangur prokurorinë si President, si kryetar opozite dhe si Kryeministër.

Organin e akuzës do ta vizitonte për herë të parë si deputet i thjeshtë në pranverën e 2015-s për të dëshmuar në atë kohë te Prokuroria e Krimeve të Rënda për një deklaratë të bërë në Kuvend, ku akuzonte Ramën e Metën për një skenar vrasjeje të deputetit Tom Doshi dhe përpjekje për fshehjen e këtij krimi.

Shtatë vite më vonë, Sali Berisha thirret sërish në prokurori për t’u marrë në pyetje për trazirat e 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike. Edhe këtë herë Sali Berisha e lidh paraqitjen e tij në prokurori me prapavijë politike, duke u shprehur se është thirrur me urdhër politik të Edi Ramës.

“Do të dëshmoj bashkëpunimin në shkallën më të lartë të krimit në narko-shtetin shqiptar që doli qartë si drita e diellit më datë 8 janar. Për më shumë ju ftoj se sa të dalë nga dera e Prokurorisë do ju informoj juve hollësisht. Basha është një vegël i Qeverisë. Duhet të kërkonte të falur dhe të ndëshkonte policinë që ndaloi njerëz të pafajshëm”, tha ai pasi u nis për në prokurori.

Në të shkuarën, ka edhe një tjetër një precedent të ngjashëm, por jo krejtësisht të njëjtë. Ishte 29 nëntori i vitit 2000, kur në atë kohë Ilir Meta Kryeministër urdhëroi ndalimin e Sali Berishës kryetar të Partisë Demokratike për ta marrë në pyetje në lidhje me sulmin me armë që i ndodhi ato ditë komisariatit të Policisë së Tropojës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë