Para

31.5 milionë USD në vit merr shefi më i paguar i bankave në SHBA

Ai ishte shefi më i paguar i bankave në SHBA për 2018-ën dhe me shumë mundësi edhe për vitin e shkuar 2019. JPMorgan Chase & Co e ka paguar shefin e tij ekzekutiv, James Dimon, 31.5 milionë USD për punën e bërë në 2019-ën, një rritje prej 1.6% nga kompensimi i tij për vitin 2018.
Pagesa përfshin 6.5 milionë USD në para (cash), përfshirë këtu pagën dhe bonusin, dhe 25 milionë dollarë në grante të aksioneve që do të fitoheshin gjatë viteve të ardhshme, në varësi të performancës së bankës.
Dimon ishte më i paguari i shefave të bankave të mëdha në SHBA për vitin 2018, kur JPMorgan, banka më e madhe e vendit, i dha atij një paketë me vlerë 31 milion dollarë. Konkurrenti i tij më i afërt ishte CEO i Morgan Stanley, James Gorman, i cili u pagua 29 milion dollarë.
Dimon ka shumë të ngjarë ta ruajë vendin e parë si shefi më i paguar. Shumë prej bankave në SHBA akoma nuk i kanë bërë publike pagesat e drejtuesve të tyre, por Morgan Stanley ka thënë javën e kaluar se do ta ulë rrogën e Gorman në 27 milionë dollarë.
Në vitin 2019, JPMorgan shënoi një fitim prej 36.43 miliardë dollarë, një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2018. Ndonëse, vlera e aksioneve pati rënie në fillim të këtij viti, ajo është rritur me 43% gjatë 2019-ës e madje çmimi i aksionit kapi vlerën $ 140, më e larta që ka pasur ndonjëherë.


Kthimi i bankës në kapitalin e prekshëm (tangible equity), matës që bordi drejtues përdor në lidhje me kompensimet, u rrit në 19%, nga 17% e vitit 2018, më e madhe se ajo e bankave rivale.
Rroga vjetore e Dimon, që prej 2017-ës, ka qënë 1.5 milionë dollarë dhe bonusi i tij vjetor në para (cash) plot 5 milionë dollarë. Kompania e lidh pagesën e tij me perfomancën e bankës si dhe i ofron CEO-s aksione të saja nëse disa nivele kthimi të të ardhurave arrihen përgjatë viteve.
Dimon, i cili do të mbushë 64 vjeç këtë vit, ka qënë drejtues ekzekutiv (CEO) që prej 2005-ës. Për të paktën gjashtë vitet e kaluara, përgjigjja e tij standarde e pyetjes se kur ai mund të largohej ka qenë; “Mbase pas pesë vitesh, por vendimi kryesor i përket bordit drejtues”. Kur u pyet gjatë këtij muaji përsëri se kur mund të largohej, ai dha po të njëjtën përgjigje.

Krahas pagesës së majme të James Dimon disa punonjës të tjerë brenda JP Morgan kanë marrë rroga shumë të mëdha.
Marianne Lake, e cila ka qenë drejtoreshë e departamentit të financës (chief financial officer), mori drejtimin e kredisë konsumatore, duke e përfshirë atë dhe në operacionet më të rëndësishme të bankës si ato të kartave të kreditit. Ajo është vënë në një pozicion ku ka mundësinë të marrë shumë eksperienca si rezultat i drejtimit të një pjese të madhe të biznesit të bankës. Paga saj u rrit në 15.35 milionë USD nga 15 milionë që e kishte vitin e kaluar.
Jennifer Piepszak, e cila ka drejtuar biznesin e kartave të kreditit, u bë shefe e financave dhe rrogën e mori 10 milionë dollarë.
Daniel Pinto dhe Gordon Smith, bashkëpresidentë e bashkëdrejtues (co-presidents and co-chief operating officers) të bankës së investimeve dhe asaj komerciale, respektivisht, janë paguar me 22.5 milionë dollarë secili, nga 22 milionë që ishin paguar në 2018-ën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë