Futboll

30 mln lekët që mbajnë peng Shehin tek Tirana, përpara kalimit te… Partizani!

Në duelin e tyre prej shumë dekadash, Tirana dhe Partizani kanë shkëmbyer shumë lojtarë, në regjimin komunist më shumë, kjo edhe për shkak të skemës së marrjes së ushtarëve, ndërkohë që në vitet e demokracisë gjithmonë edhe më pak, duke i bërë këto ekipe mollë të ndaluar për lojtarët e secilës skuadër.

Për këtë arsye sa herë ndodh një kalim i tillë gjithmonë shoqërohet nga një zhurmë mediatike dhe në të gjithë opinionin kryeqytetas. Këtë herë bëhet fjalë për një lëvizje të ish-trajnerit të Tiranës, Orges Shehi drejt Partizanit.

Nesër luhet derbi i madh i kryeqytetit mes këtyre dy skuadrave dhe Shehi aktualisht është i pezulluar, një vendim ky sa i padëgjuar aq edhe i pakuptimtë. Por, në të vërtetë ky term lidhet më tepër me një lojë fjalësh për të mbajtur peng ish-trajnerin durrsak, që të mos shkojë te rivalët kryeqytetas, të paktën jo duke marrë të gjithë paratë e parashikuara në kontratë me bardheblutë deri në fund të këtij edicioni.

Në fakt gjithçka ndodhi në rastësi, me pezullimin e trajnerit Shehi nga drejtuesit e Tiranës për dy humbje, në kampin e kuq u mësua se trajneri Zoran Zekiç mori një ofertë nga skuadra kroate e Osijekut, për të cilën gjeti mirëkuptimin e drejtuesve të Partizanit për ta lënë të lirë, duke i paguar edhe 100.000 euro si dëmshpërblim për prishje të njëanshme të kontratës.

Paralelisht me ndodhitë në të dyja kampet e dy skuadrave të mëdha të kryeqytetit, Gazeta Si ka mësuar se Orges Shehi ka 4 muaj pa u paguar tek Tirana, apo paga të prapambetura, për të cilat mjafton 45 ditë, sipas rregulloreve të marrëdhënieve të klubeve me lojtarët dhe trajnerët, për të hapur një çështje gjyqësore.

Por, me sa duket, Shehi ka vendosur të zgjedhë rrugën e marrëveshjes, atë që kanë kërkuar drejtuesit e Tiranës që në fillim, të marrë pagat deri në muajin tetor dhe të largohet drejt klubit tjetër të kryeqytetit, Partizanit.

Shehi ka një kontratë prej 9 milionë lekësh të reja në vit e ndarë kjo në 12 muaj, që do të thotë 7.5 mln lekë në muaj.

Pra tashmë diskutimi është për 30 milionë lekë të vjetra dhe me shumë gjasë, në bazë të një diskutimi paraprak që ka bërë trajneri durrsak edhe me drejtuesit e Partizanit, do të bëhet kalimi pas përfundimit edhe të derbit të madh që do të luhet ditën e nesërme.

Një skenar i ngjashëm me atë të filmave, por që në të shkuarën e dy ekipeve ka ndodhur, pikërisht në tetor, kur një emër i madh dhe personifikues i bardhebluve si Sulejman Mema dha dorëheqjen pas ndeshjes Tirana-Teuta, 0-0 në javën e tetë të sezonit 2003/2004 për të kaluar në javën e 10-të te Partizani në vend të Ilir Spahiut. Shumë zhurmë pati edhe atëherë, por gjithsesi kur thonë të gjithë, trajneri këtë punë ka, me valixhe në dorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë