Treg

3 mln euro shtesë subvencion fermerëve. Eksperti: Paaftësi dhe keqllogaritje, defiçiti 4 mln euro

Ministria e Bujqësisë ka bërë me dije se qeveria ka akorduar edhe 400 mln lekë ose 3 mln euro për skemën kombëtare të subvecioneve të fermerëve për ata 7653 fermerë që aplikuan.

“Me këtë fond do të mbulohen gati 95% e rreth 8 mijë aplikantëve që kualifikohen dhe s’kanë mangësi në kriteret e përcaktuara më parë.”- është shprehur ministri i bujqësisë Bledi Çuçi nga Tragjasi i Vlorës ku ka qenë i praishëm për të ndjekur fushatën e vaksinimit të bagëtive kundër brucelozës.

Në krye të herës për skemën kombëtare të mbështetjes së fermerëve u akordua një shumë prej 743 mln lekë ose 6 milionë euro nga buxheti i shtetit. Me shtesën prej 3 mln euro kjo skemë do të financohet me 9 mln euro.

Gazeta “Si” disponon një tabelë kofidenciale të Ministrisë së Bujqësisë ku tregohen zërat për çfarë kanë aplikuar fermerët për të përfituar subvecionin dhe shumën që i korrespondon.

Eksperti veteriner Ervin Resuli thotë për Gazetën “Si” se shuma e shtuar për skemën kombëtare të subvecionimit të fermerëve “së pari është e pamjaftueshme, sepse nga llogaritjet për të mbuluar të gjithë fermerët që kanë aplikaur duhen e 4 mln euro të tjera. Por kjo shtesë prej 3 mln eurosh tregon një presion që ka ndjerë Ministria e Bujqësisë nga skemat e rajonit prej të cilave jemi shumë larg, e po ashtu një presion ka bërë edhe media duke thënë të vërtetën që Ministria e Bujqësisë tallet me fermerët. Po ashtu tregon edhe paaftësi, keqllogaritje dhe keqmenaxhim të nevojave të fermerëve”.

Sipas Resulit fakti që në regjistrin kombëtar janë të regjistruar gati 50 mijë fermerë dhe vetëm rreth 8 mijë prej tyre kanë aplikuar, tregon që fermerët janë të ndërgjegjësuar për talljen që u bëhet, prandaj nuk aplikojnë.

Në rajon, Mali i Zi nga buxheti I shtetit lëvroi  për bujqësinë për vitin 2020 shumën 61 milionë euro, me rritje 8.3 milionë euro krahasimisht me vitin 2019. Po ashtu edhe Kosova ka një buxhet shumë më të lartë për fermerët se Shqipëria; 25 mln euro.

Eksperti Resuli thotë se me sjelljen e kësaj qeverie, nëse vazhdohet presioni mbi Ministrinë e Bujqësisë “ka shumë gjasa që ajo të shtojë edhe deficitin e munguar prej 4 mln eurosh”  

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë