Mjedis

3 ministrat shqiptarë firmosin marrëveshjen për parkun më të madh ndërkufitar në Europë

Gazeta Si- Parku Natyror Korab-Koritnik në Shqipëri, Parku Kombëtar Sharri në Kosovë, Parku Kombëtar i Mavrovës dhe Parku Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut do të jenë së shpejti pjesë e një parku ndërkufitar, më i madhi i këtij lloji në Europë me një sipërfaqe mbi 242 mijë hektarë.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Maleve është zhvilluar në Tiranë takimi ndërministror “Natyrë pa kufij” mes Ministres së Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro, Ministrit të Mjedisit të Kosovës Liburn Aliu dhe Ministrit të Mjedisit të Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini.

“Ne i shohim zonat e mbrojtura si ofrues të përfitimeve përtej kufijve të tyre në një hartë, përtej kufijve të shteteve kombëtare dhe midis shoqërive dhe brezave që jetojnë në këto zona. Këto vargmale shërbejnë si një korridor ekologjik, që strehon një numër të madh llojesh të rëndësishme bimësh e kafshësh, jo vetëm në nivel rajonal por edhe në nivel europian e ndërkombëtar. Përsa i përket turizmit, i shohim zonat e mbrojtura si një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e ekoturizmit me gjithë format e tij”, u shpreh Ministrja Kumbaro gjatë takimit.

Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro, Ministri i Mjedisit të Kosovës Liburn Aliu dhe Ministri i Mjedisit të Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini.

Sipas ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës Liburn Aliu, ky projekt do të ofrojë një optikë të re për zhvillimin e zonës së bjeshkës së Sharrit.

“Detyra jonë është që të vendosim rregulla në zonat e mbrojtura duke pasur parasysh të kaluarën në mënyrë që edhe të zhvillohemi, edhe ta shfrytëzojmë, por edhe ta mbrojmë atë çka është mjaft e vlefshme. Në vitin 2013 e kemi rritur territorin e Parkut Kombëtar të Sharrit në 53.469 hektarë”, u shpreh ministri Aliu.

Ministri Aliu u shpreh se përveç destinacionit turistik të Brezovicës, ka një plan hapësinor për të zhvilluar zona të tjera të turizmit malor dimëror, por edhe veror, në përputhje me kriteret e mbrojtjes së natyrës.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini foli për një vizion që mbron vlerat natyrore të zonave të mbrojtura, por nga ana tjetër siguron një menaxhim të qëndrueshëm duke mos i kthyer ato në muze të natyrës, por krijojnë mundësi të reja për zhvillimin socio-ekonomik të komuniteteve lokale.

Ky projekt mes tre vendeve synon zhvillimin e përbashkët ndërkufitar të turizmit miqësor ndaj natyrës, menaxhim i përbashkët ndërkufitar i rajonit, promovimin e përbashkët të trashëgimisë së veçantë natyrore dhe kulturore përtej kufijve etj. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të UNEP, Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara që do të mbështesë këtë projekt. Nga ana tjetër, Daniel Pirushi, Drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura sqaroi se brenda tre muajsh do të ngrihet komiteti i menaxhimit të zonës së mbrojtur që do të nisë punën për këtë projekt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë