Lajme

3 kandidatë për Kryeprokuror plotësojnë kushtet, skualifikohet avokati Lulzim Alushaj

Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet për të vazhduar më tej garën për Prokuror të Përgjithshëm.
Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, është shprehur se sot mbyllet etapa e parë, që është ajo e verifikimit të kushteve ligjore të kandidatëve.
“Anëtarët të Këshillit kanë shqyrtuar me seriozitet dosjen e çdo kandidati. Çdo anëtar i Këshillit do të shprehë mendimin e vet për plotësimin e kushteve ligjore të 4 kandidatëve në garë. Këshilli i shqyrton dosjet e kandidatëve sipas rendit alfabetik”, u shpreh Ibrahimi.
Këshilli ka vendosur se i plotëson kushtet ligjore Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela. Kandidati që skualifikohet është avokati Lulzim Alushaj, pasi nuk ka 15 viteve pune si jurist i spikatur. .
“Këshilli ka vendosur se dokumentacioni i paraqitur nga kandidatja Arta Marku i plotëson kushtet ligjore për të vazhduar garën më tej. Po ashtu, Këshilli ka vendosur se dokumentacioni i paraqitur nga kandidatja Fatjona Memçaj i plotëson kushtet ligjore për të vazhduar garën më tej. Edhe dokumentacioni i paraqitur nga kandidati Olsian Çela i plotëson kushtet ligjore për të vazhduar garën më tej”, vijon më tej kryetari i KLP-së.
Mbledhja e Këshillit ishte parashikuar të hënën, por u shty për sot, për shkak se nuk kishte mbërritur zyrtarisht letra e Komisionerit Publik për ankimimin ose mosankimimin e vendimit të KPK-së së datës 4 Shtator 2019 për kandidatin për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsi Çela.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë