Para

3.35 mld euro ishte vlera e transaksioneve brenda vendit në 2022

Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2022 (sistemi nisi punën në 24 janar), në sistemin AIPS-Euro janë kryer gjithsej më shumë se 156 mijë veprime, për një vlerë totale prej rreth 3.35 miliardë Eurosh.

Volumi maksimal i transaksioneve u shënua në muajin dhjetor, me rreth 395 milionë euro, ku u rregjistrua edhe numri maksimal i transaksioneve me 19 180 të tilla.

BSh vëren se para ngritjes së sistemit AIPS Euro, transfertat kombëtare në Euro mund të bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit. Kjo rrugë krijonte vonesa në kohë dhe, mbi të gjitha, kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në lekë.

Bsh vlerëson se veç uljes së kostove, ky projekt vlerësohet të ketë sjellë efekte pozitive edhe nga pikëpamja e administrimit të parasë fizike në Euro nga ana e bankave dhe promovimit të pagesave elektronike edhe në këtë segment të tregut, duke nxitur qytetarët shqiptarë drejt përdorimit të këtyre instrumenteve. Në të shkuarën, komisionet e larta bënin që shumë shpesh klientët e sektorit bankar t’i zhvendosnin fondet nga njëra bankë tek tjetra nëpërmjet tërheqjeve dhe derdhjeve cash në arkë.

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, deri në muajin tetor 2022 sistemi AIPS Euro u kurseu klientëve të sistemit bankar rreth 1 milionë euro në muaj komisione dhe tarifa transfertash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë