Politike

28-vjetori i PD, Basha: Një ndryshim historik po vjen në Shqipëri

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shfrytëzuar 28-vjetorin e themelimit të PD për të inkurajuar dhe falënderuar studentët, të cilët prej një jave po protestojnë për të kërkuar të drejtat e tyre.

Basha shprehu mbështetje ndaj studentëve, duke i cilësuar ata heronj të vërtetë, që kanë sfiduar edhe të ftohtin për të protestuar kundër politikave korruptive të qeverisë në arsim.
“Gjithë respekti sonte është për ta, kjo është liria, kjo është demokracia, kjo është beteja për të mbrojtur demokracinë. Ne jemi me ta, prandaj sot nuk është një ditë për të festuar. Shpresoj që ekrani të vazhdojë të shfaqë dhjetorin e dytë që shpirti rinor ka sjellë këto ditë në Tiranë, edhe në qytetet e tjera. Këtu në këtë shtëpi ndodhet një parti që mori jetë nga studentët e dhjetorit, 28 vite më parë, vranë frikën, siç po e vrasin këta të rinj sot”, tha Basha.

Basha nënvizoi se kjo protestë është më shumë se sa tarifat universitare që kërkojnë studentët. “Shqiptarët e thjeshtë javë braktisur. Sfida vendimtare e PD-së është kthimi i besimit të njerëzve se politika do veprojë në interesin e tyre. Me këtë barrë të rëndë jemi mbledhur këtu. Qytetarët e bashkuar kanë bërë ndryshime historike. Një ndryshim i tillë po lajmërohet këto ditë në Shqipëri. Kjo lëvizje është shumë më shumë sesa tarifat universitare, është shumë më shumë sesa kjo që shohin sot. Është armatosja me kurajo që të mos heshtin më kur qeveria i merr nëpër këmbë. Prej 8 ditësh shohim thirrjen e të rinjve. Lëvizja studentore është bekim për Shqipërinë”, u shpreh kreu i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë