Politike

“28 Nëntori”, Rama-Meta në Vlorë. Opozita te “Varrezat e Dëshmorëve”

Me rastin e 28 nëntorit, në qytetin e Vlorës është zhvilluar një ceremoni e veçantë për ngritjen e flamurit kombëtar.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi si dhe personalitete të tjera tëpolitikës.

Presidenti Meta dhe kryeministri Rama zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule në monumentin e pavarësisë.   

Ndërsa, opozita nuk ka udhëtuar në qytetin e Pavarësisë, por ka festuar e vetme nëTiranë. Kryetari i PD, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha,ish-presidenti Bujar Nishani si dhe deputetë e mbështetës të opozitës, kanëzhvilluar homazhe te “Varrezat e Dëshmorëve” në kryeqytet. Ndasitë e thelluara politike mes maxhorancës dhe opozitës janë reflektuar edhe te festa kombëtare e shqiptarëve.

Nga sheshi Skënderbej ka qenë kryebashkiaku i Tiranës ai që përcolli nderimet për figurat e shtetit shqiptar, të cilët me sakrificë arritën të shpallnin Pavarësinë e Shqipërisë 106 vite më parë.

Veliaj ka theksuar se himni dhe flamuri shqiptar nuk është thjesht një këngë apo disa vargje me rimë, por një emocion që ka frymëzuar shqiptarët në histori.

“Përmbyllim me sukses vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut. Kemi një himn të mrekullueshëm të shkruar nga Asdreni. Himni ynë nuk është thjesht një këngë me disa vargje me rimë. Jo të gjithë nga ne donin këtë himn e këtë flamur. Kishte një grup që thoshin dumbabën, që nënkuptonte pushtuesit. Historia përsëritet dhe e vetmja gjë ndonjëherë që nuk e kuptojmë është vetë historia kur e përsërisim. Secili nga ju është ulur në gurët që kanë ardhur nga shumë troje. Ne duhet të marrim vendime të rëndësishme për ta shpallur Shqipërinë më vete. Sot lypset që ne të kemi progres. Sot lypset t’i respektojmë njerëzit”, theksoi Veliaj.

Edhe në këtë ditë feste, kryebashkiaku u ndal dhe te çështja e “Unazës së Re”, e cila sipas tij do të çlirojë Tiranën nga trafiku i rënduar.

“Nëse sot do të dëgjonim “lëvizjen dumbabën” nuk do të kishim këtë shesh, atë pazar, sheshin e lojërave te Liqeni Artificial. Tirana me Unazën e Madhe do të ketë pavarësi nga trafiku si dhe nga zaptimi. Ky qytet nuk la pa bukë hebrenjtë. Ky qytet nuk do të lë asnjë njeri pa bukë, por ne ia kemi borxh gjeneratës zhvillimin e Tiranës. Jam mirënjohës për banorët bashkëpunues”, tha ndër të tjera Veliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë