Treg

27% e shqiptarëve të aftë për punë, nuk punuan në 2022

Nga Gazeta ‘SI‘ - 27% e grupmoshës 15-64 vjeç në Shqipëri, nuk ishte në marrëdhënie pune gjatë vitit të shkuar sipas raportit të Instat, duke rënë me 3.3 pikë përqindje nga viti 2021. Rreth 36% e tyre ishin studentë dhe nxënës. 10% ishin të papunë që nuk po kërkojnë punë për arsye se besojnë se nuk ka punë të disponueshme.

25.2% e të rinjve në moshën 15-29 vjeç nuk ishin as të punësuar dhe as në shkollë.

Duke krahasuar të rinjtë të cilët nuk janë të punësuar, nuk janë duke ndjekur shkollën apo trajnim profesional sipas gjinisë dhe statusit të tyre në tregun e punës, vihet re se meshkujt janë më aktivë në treg sesa femrat (51% e meshkujve janë në kërkim të një pune dhe të gatshëm për të punuar, ndërsa tek femrat kjo përqindje është 34%).

Në të njëjtin raport Instat tregon se e në vitin 2022 të punësuarit punuan mesatarisht 43.7 orë pune në javë nga 43.3 në vitin 2021. Sipas aktivitetit ekonomik, rritjen me të madhe të orëve të punës e pati sektori i bujqësisë, me 54 minuta në javë. Ndjekur nga ndërtimi me 45.9 orë në javë, ose 36 minuta më shumë se në vitin 2021.

Për 2022-shin, forca e punës u vlerësua pothuajse 1.46 mln persona, por në punë ishin 1.3 mln banorë. Të papunë gjithsej vlerësohen të jenë 159.579 persona

Paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar me pagë, në Shqipëri, është 61.898 lekë. Krahasuar me vitin 2021, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri u rrit me 8,23 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë