Menaxhim

250 mln euro financim për bizneset e vogla dhe bujqësinë, Rama: Garant qeveria, edhe për problemet me titujt e pronësisë

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një takim me Bankën e Shqipërisë dhe bankat tregtare në vend, ku u prezantua linja e re e financimit 250 mln euro për ndërmarrjet e vogla, kryeministri Edi Rama bëri thirrje për të prioritizuar kreditimin e sektorit bujqësor, për të zhvilluar bujqësinë dhe të gjithë zinxhirin e agrokulturës.  

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se kjo është një masë premtuese për sektorin dhe vendin dhe se qeveria do të jetë garant i kredisë. Duke iu drejtuar drejtuesve të bankave, Rama tha se financimi i fermerëve dhe jo vetëm të të pasurve është “bileta për parajsë”.

“Së pari që ne kemi vendosur një objektiv tejet ambicioz që në Shqipërinë 2030 eksportet bujqësore të arrijnë në 1 miliardë euro. I kemi katërfishuar sepse sot jemi mbi 500 milionë euro eksporte, ndërkohë kishim pak më shumë sesa 100 milionë euro kur kemi marrë detyrën dhe arritja e objektivit prej 1 miliardë eurosh kërkon një fuqi të shtuar të sektorit, një fuqi të shtuar të fermerëve dhe kjo fuqi e shtuar do të vijë përmes investimeve dhe përmes rritjes së volumit të sipërmarrjes në fshat. Sfida e konkurrencës dhe sfida e përshtatjes me rregulla dhe me standarde edhe më të larta është një sfidë shumë e madhe. Me qeverinë si garante, do të mbështeten investimet në sera, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural. Ne do bëjmë një historiku të re suksesi ku të gjithë do të dalin të fituar. Investimet ne sëra për ne janë prioritet”, u shpreh kryeministri.

Gjatë fjalës së tij Rama ritheksoi edhe rëndësinë e paketës së maleve, duke nënvizuar se përjashtimi nga taksat e bën atë shumë tërheqëse për investim. Kryeministri sqaroi se qeveria do të garantojë edhe mbarëvajtjen e procesit që lidhet me titujt e pronësisë, kur nuk ka një titull përfundimtar.

Më tej ai shtoi se ka një rritje të interesit të shqiptarëve që kanë emigruar dhe kërkojnë të kthehen të investojnë vendlindjen e tyre.

“Dhe sapo të miratohet paketa e maleve do ta përcjellim, ajo krijon një lehtësi të re në raport me kolateralet duke i mundësuar të gjitha tyre që duan të investojnë në zona kodrinore e malore dhe që kanë probleme me titujt e pronësisë të kenë garanci të plotë, përmes një procesi të njohjes së të drejtës. Kjo na ka munguar në të shkuarën dhe tani është aty e shkruar gati për t’u miratuar dhe lehtëson marrëdhënien e individit me të një subjekti banke për të investuar në një truall që nuk ka titullin përfundimtar të pronësisë. Është një marrëdhënie ku futet shteti, duke garantuar vërtetësinë e titullit të trashëgimisë nëse mund ta them kështu. Unë kam besim që paketa e maleve do sjellë kërkesë të rritur për agroturizmin sepse e shohim që ka interesim nga ana e  shqiptarëve që janë jashtë për të investuar në zonat e prejardhjes së tyre. Paketa ka shumë atraktivitet nga pikëpamja fiskale, sepse jep garancisë për lehtësim nga barra fiskale për një periudhë 10-vjeçare, besoj që do të krijojmë një farë konkurueshmërie, ata që do aplikojnë të parët dhe shërbejnë të parët. Këtu bëhet fjalë për investime më modeste por shumë të rëndësishme, sidomos për turizmin malor”, tha ai.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko theksoi se kostot e kësaj kredie nuk do t’i kalojnë nivelin e 3.5% për ndërmarrjetet përfituese, duke shtuar se është një mundësi me rëndësi për nxitjen e kreditimit ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme e sidomos bujqësisë.

Sejko i beri apel industrisë bankare për një vëmendje më të madhe ndaj zhvillimit të produkteve financiare të përshtatura për bujqësinë, produkte të cilat marrin parasysh ciklin e prodhimit bujqësor dhe sezonalitetin e të ardhurave të fermerëve.

“Rëndësia ekonomike dhe sociale e këtij sektori është e lexueshme në një sërë treguesish. Sektori bujqësor punëson rreth një të tretën e forcës punëtore të vendit dhe gjeneron rreth 20% të prodhimit kombëtar. Megjithatë, edhe pas tre dekadash tranzicion, ai vijon të karakterizohet nga një nivel i ulët produktiviteti dhe të ardhurash. E ardhura mesatare për frymë në zonat rurale është afërsisht sa 50% e të ardhurës mesatare për frymë në zonat urbane”.

Sipas tij, problemet e zhvillimit të sektorit bujqësor janë komplekse dhe në pjesën më të madhe të tyre kanë të bëjnë me dobësi strukturore të sistemit të prodhimit dhe të zinxhirit tregtar që nxjerr produktet në treg.

“Megjithatë, nuk mund të mohohet se një ndër problemet kronike me të cilin është përballur ky sektor ka qenë dhe mbetet aksesi i tij i pakët në financim”, tha Sejko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë