Rend dhe Ligj

24 orët që boshatisën Gjykatën e Lartë

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë është pjesë e institucioneve ndihmëse për Vettingun. Nga ky institucion, organet e rivlerësimit si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit marrin dosjet për pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Javën e kaluar, kreu i ILDKPI paralajmëroi se me ritmet e shkarkimeve në radhët e gjyqtarëve, vendi rrezikon që brenda 2019 të mbetet pa Gjykatë Apeli.

“Pjesa e gjyqtareve të Apelit është pjesa me përqindjen më të lartë të problematikës. Duke parë që Gjykata Kushtetuese është jashtë funksioni, Gjykata e Lartë është me mangësi të mëdha, unë mendoj që vitin tjetër ne do të jemi edhe pa Gjykatë Apeli me këtë trend, që të paktën duket nga të dhënat e para”, deklaroi Ganaj gjatë fjalës para Komisionit të Ligjeve.

Dy ditët e para të kësaj jave përforcuan këtë deklaratë të Ganajt. Ishte fillimisht Gjykata Kushtetuese që doli krejtësisht jashtë funksionit, pasi edhe Gani Dizdari nuk e kaloi testin në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, duke e lënë këtë gjykatë vetëm më dy anëtarë të sigurtë, Bashkim Dedjan dhe Vitore Tushan, në pritje të vendimit të Apelit për rastet që janë ankimuar.

Por, para se kosa e vettingut të mbërrijë tek Gjykata e Apelit aktualisht po “korr” në Gjykatën e Lartë. Brenda 24 orëve janë dhënë sinjale të forta se thuajse gjysma e anëtarëve të trupës së kësaj gjykate nuk do të kalojnë në këtë sitë.

Shkarkimet nisën me gjyqtarin Tom Ndreca. KPK tha se nga hetimi i thelluar i deklaratave të pasurisë të gjyqtarit, rezulton se ai nuk justifikon 1.3 milionë lekë nga pasuritë e tij.

KPK gjeti me shkelje gjyqtarin Admir Thanza, të cilit iu zbulua një dënim me 40 ditë burg dhe gjobë në Itali për akuzën e vjedhjes. Veç shkarkimit, Thanza do të hetohet nga prokuroria për shkeljen e ligjit të dekriminalizimit, pasi ka fshehur në formularin e vetëdeklarimit këtë fakt.

Drejt ngeljes në këtë test është edhe gjyqtari Artan Zeneli. Gjatë seancës publike dëgjimore KPK tha se raporti i ILDKP-së për të ishte pozitiv, pa fshehje apo mungesë justifikimi të pasurive, por nga hetimi i thelluar rezulton se ka mospërputhje mes deklaratave të vettingut dhe atyre të depozituara pranë ILDKP ndër vite.

Trupa e KPK citon edhe raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, që përmend faktin se gjyqtari nuk ka pasqyruar në formular revokimin e vizës nga SHBA. Gjyqtari u mbrojt duke deklaruar se revokimi i vizës kishte ndodhur pasi ai kishte dorëzuar formularin.

I vetmi që ka kaluar deri më tani vettingun nga 9 anëtarët e Gjykatës së Lartë është Edmond Islamaj, por ndaj tij Komisioneri Publik ka kërkuar hetim të thellë të dosjes, pasi sipas tij hetimet kanë qenë të cunguara.

Në listën e verifikimeve të paplota Komisioneri Publik përmend transferta parash brenda e jashtë vendit si dhe dyshimet për një apartament e një dyqan në Vlorë, të cilat nuk janë hetuar plotësisht nëse lidhen, apo jo me gjyqtarin Islamaj dhe bashkjetuesen e tij.

Pra, në bazë të sinjaleve dhe vendimeve të dhëna deri më tani nga KPK, pa llogaritur mundësitë që këto vendime të apelohen në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, peshorja e lartë e drejtësisë rrezikon të shkërmoqet, ashtu si Gjykata Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë