Politike

24 deputetë të opozitës votuan pro, PS mbledh 55 firma për shkarkimin e Metës

Kur në Parlament diskutohej për rezolutën e PS-së që dënonte aktin e presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, brenda sallës së seancave, socialistët veç fjalimeve të ashpra, po mblidhnin firmat për të nisur procedurën e shkarkimit të kreut të shtetit. Mësohet se 55 firma janë mbledhur për nismën për të shkarkuar Metën dhe kërkesa u depozitua zyrtarisht në Parlament.
Të enjten seanca votoi me 100 vota pro, 7 kundër dhe 1 abstenim rezolutën, e cila dënonte veprimin e Presidentit për zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Pro saj votuan 25 deputetë të opozitës së re parlamentare. Kjo shifër që arrin dhe madje e tejkalon numrin e nevojshëm për shkarkimin e Presidentit, vuri menjëherë në lëvizje mazhorancën, e cila e konkretizoi në një kohë shpejtë kërkesën për shkarkimin e Metës. Kjo përpara se kreu i shtetit të nxjerrë ndonjë datë të re për zgjedhjet lokale, pasi një nga argumentet për shkeljen dhe cilësimin si antikushtetues është pikërisht mos nxjerra një dekreti tjetër për ditën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
Në votimin për rezolutën nga opozita e re votuan pro 25 deputetë, ku në mes tyre ishin deputetët Myslym Murrizi, Kujtim Gjuzi apo dhe Alban Zeneli. Pjesa më e madhe deputetëve që votuan pro ishin edhe nga listat e LSI-së.
Ndërsa 7 emrat e shtatëve deputetëve kundër ishin Rudina Hajdari, Lefter Maliqi, Elda Hoti, Klajdi Qama, Artur Roshi, Vasil Sterjovski dhe Besnik Troplini.
Ralf Gjoni dhe Lefter Koka nuk ishin të pranishëm në procesin e votimit në seancën e së enjtes, ndërsa Koçi Tahiri nuk preferoi të votonte. Abstenimet erdhën nga Ramazan Gjuzi dhe Enada Kapllani.
Të hënën Parlamenti pritet të mblidhet në seancë, një lëvizje kjo e studiuar mirë nga mazhoranca, pasi pikërisht Ruçi, sipas Rregullores, pritet të njoftojë zytarisht edhe deputetët për depozitimin e kërkesës.
Sipas nenit 110 të Rregullores kërkesa duhet të paraqitet me shkrim të Kryetari dhe të përmbajë në mënyrë të motivuar dhe konkrete shkeljen e rëndë të Kushtetutës ose kryerjen e një krimit të rëndë. Ruçi gjithashtu duhet të njoftojë edhe Presidentin Meta për mbërritjen e kërkesës për shkarkimin. Neni 112 parashikon që Komisioni i Ligjeve pas marrjes së kërkesës brenda 15 ditëve i paraqet Kuvendit raportin për ngritjen ose jo të komisionit hetimor. Gjithashtu ky komision duhet të dëgjojë edhe pretendimet e Presidentit, në rast se Meta dëshiron të dëgjohet, duke i dhënë kohë për paraqitjen e pretendimeve. Brenda 7 ditëve nga paraqitja e raportit në seancë, Kuvendi duhet të shqyrtojë me një debat raportin. Në rast se rrrëzohet kërkesa, procedura për shkarkim ndërpritet. Nëse miratohet Kuvendi miraton brenda dy ditëve komisonin hetimor për këtë çështje, i cili është i detyruar të thërrasë presidentin për të dëgjuar mendimin e tij mbi propozimin e paraqtir. Kuvendi ka për detyrë që brenda 20 ditëve të shqyrtojë raportin e komisionit hetimor, pasi paraqitet në seancë. Jo më pak se 2/3 ky raport duhet të votohet dhe më pas të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, institucion që për momentin ka dalë jashtë funksionit, pasi ka mbetur me 1 anëtarë nga 9 që duhet të ketë gjithsej.


Deputetët e opozitës që votuan pro rezolutës
Eugen Bojaxhiu
Ediola Braha
Arlind Çaçani
Arben Elezi
Kujtim Gjuzi
Majlinda Halilaj
Halil Jakimi
Selami Jenisheri
Ligoraq Karamelo
Korab Lita
Aurora Mara
Ervis Meço
Myslim Murrizi
Nimet Musaj
Kostaq Papa
Andi Permeti
Enver Roshi
Krenar Rryçi
Ylli Shehu
Zef Shtjefni
Nikolin Staka
Edmond Stojku
Halit Valteri
Alban Zeneli


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë