Lajme

22 marsi 1992, Basha: Shqipëria në udhëkryq

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka kujtuar sot 22 marsin e vitit 1992, datë e cila shënon ditën e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, e ka çmuar fitoren e madhe të demokratëve në zgjedhje si bashkimin e madh të shqiptarëve për liri dhe demokraci.
“Më 22 mars 1992 shqiptarët fituan lirinë. Si sot 27 vjet më parë njerëzit u bashkuan me të vetmen dëshirë dhe ëndërr: lirinë për të ndërtuar një jetë më të mirë, lirinë për të lëvizur, lirinë për arsim, lirinë për biznes, lirinë për t’u shprehur, lirinë për të zgjedhur e për t’u zgjedhur”, shkruan Basha në “Facebook”, ndërsa shton se ky udhëtim 27-vjeçar drejt lirisë dhe Europës demokratike me arritjet dhe dështimet e tij, ka qenë i dhimbshëm dhe plot sakrifica.
Ndërkohë, kryedemokrati ka dhënë edhe një mesazh për gjendjen aktuale, duke thënë se vendi është në udhëkryq dhe është në dorë të shqiptarëve të hapin rrugën drejt Europës.
“Sot Shqipëria po na thërret përsëri sepse rruga jonë drejt lirisë dhe Europës është në udhëkryq! Është në dorën tonë ta përmbyllim atë, duke ndërtuar edhe në Shqipëri sistemin e vlerave të vërteta europiane! #ShqipëriaSiEuropa”, e mbyll Basha postimin e tij.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/photos/a.757503284300855/2320426908008477/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë