Drejtësia

‘21 janari’ / SPAK shpall moskompetencë për dy kallëzimet e PS. Ia kalon çështjen Prokurorisë së Tiranës

Gazeta Si - Pas publikimit të audiopërgjimit të ri, Prokuroria e Posaçme SPAK ka shpallur moskompentencë për dy kallëzimet e depozituara nga Ministria e Drejtësisë dhe Partia Socialiste për dosjen e “21 janarin”.

Kështu, për hetime të mëtejshme SPAK ka vendosur t’ia kalojë dy kallëzimet Prokurorisë së Tiranës.

Para dy javësh, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja depozitoi në SPAK kallëzimin për ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Bashën dhe ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi në kuadër të hetimit për dosjen e 21 janarit.

Sipas dokumentit, Berisha, Basha dhe Prendi akuzohen për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “shpërdorim detyre”.

Po kështu, pak ditë më vonë, edhe Partia Socialiste depozitoi në SPAK një kallëzim të ri pas publikimit të një audio përgjimi të ri në media.

“Kallëzim penal ndaj shtetasve Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” referuar ngjarjes tragjike të 21 Janarit 2011. Dialogjet e bëra publike midis ekzekutorëve, e tregojnë qartë se vrasjet u urdhëruan nga lart dhe u përgatitën me një gjakftohtësi kriminale, e cila nuk ka asnjë lidhje me ligjin për Gardën e Republikës“- deklaroi më 25 janar Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri, teksa bëri publike kallëzimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë