Politike

’21 Janari’, Balla: Hetimit t’i shkohet deri në fund, predha që vrau Aleks Nikën për ekspertizë në Itali

 Pas dy ditësh predha që i mori një prej viktimave të protestës së 21-janarit 2011, të cilësuar pa autor, do të niset për ekspertizë në Itali.

Lajmin e bëri me dije ministri i Brendshëm, Taulant Balla, gjatë një konference për mediat duke theksuar se vendimi i marrë nga Gjykata Evropiane e Strasburgut, i ka hapur rrugë deri në fund hetimit të ngjarjes së 21 janarit.

“Është në detyrën e gjitha institucioneve shtetërore dhe agjencive, Policia e Shtetit, Prokuroria e Tiranës, e cila sot ka nën administrim dosjet, për shkak se vrasja e dy prej 4 personave që humbën jetën, është konsideruar si vrasje pa autor, e ju e dini që për vrasje pa autor nuk ka parashkrim, mendoj që prokuroria i ka të gjitha mundësitë të vijojë duke përkthyer, trans-pozuar vendimin e Gjykatës që është i detyrueshëm, (vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut është i detyrueshëm, nuk është sugjerues është urdhërues), që të gjitha gjetjet që ne i kemi përkthyer i kemi gati me të gjitha konkluzionet, për të bërë hetimin e plotë, ku Gjykata e vendos theksin edhe njëherë tek pjesa e zinxhirit komandues dhe pjesën tjetër që lidhet me hapat organet shtetërore për të penguar drejtësinë, hetimin dhe çështjet e tjera”, tha Balla.

“Në këtë këndvështrim, vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka hapur një mundësi të re, dhe duhet t’i shkohet deri në fund. Policia e Shtetit po bën pjesën e vetë, që lidhet me ekzaminimet, pas dy ditësh do niset në Itali për ekzaminimin e predhave dhe element të tjerë, pa hyrë për të respektuar sekretin hetimor, në mënyrë që të konkludohet edhe sa i përket elementëve të tjerë gjatë hetimit të çështjes”, vijoi Balla.

“Shumë e rëndësishme është ajo që ka thënë Gjykata. Nuk do të ketë më asnjë hapësirë manovrimi në institucionet ligjzbatuese sepse në fund të fundit, Gjykata Evropiane ka dhënë një vendim për të cilin ne jemi të detyruar ta zbatojmë përtej emocioneve që mund të ketë secili prej nesh, e këtu flas si Ministër i Brendshëm, jo si Taulant Balla, një prej protestuesve të 21 Janarit 2011”, theksoi Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë