Njerez

2023, viti më vdekjeprurës për emigrantët

Viti 2023 sipas Kombeve të Bashkuara ishte ndër vitet më vdekjeprurëse të regjistruar për emigrantët me të paktën 8,565 njerëz të vdekur në rrugët e migrimit në mbarë botën.

“Numri i vdekjeve në vitin 2023 përfaqëson një rritje tragjike prej 20% në krahasim me vitin 2022, duke nënvizuar nevojën urgjente për veprim për të parandaluar humbjet e mëtejshme të jetëve”, ka bërë të ditur Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në një raport.

Projekti i organizatës “Missing Migrants” dokumenton vdekjet dhe zhdukjet e emigrantëve në mbarë botën. Sipas Ugochi Daniels, zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, këto shifra të tmerrshme të mbledhura nga Projekti i emigrantëve të zhdukur janë gjithashtu një kujtesë se vendet në mbarë botën duhet të shkojnë përpara duke hartuar masa urgjente për të ofruar migrim të sigurt për të gjithë, në mënyrë që njerëzit të mos rrezikojnë jetën e tyre në kërkim të një jete më të mirë.

Numri i vdekjeve të vitit të kaluar tejkaloi rekordin e mëparshëm prej 8084 në 2016. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin bën të ditur se mungesa e rrugëve të sigurta dhe të rregulluara detyron mijëra të ndërmarrin rrugë të rrezikshme.

Rruga më e rrezikshme për emigrantët mbeti Deti Mesdhe, me të paktën 3,129 vdekje në vitin 2023 teksa migrantët u përpoqën të arrinin në Evropë nga Afrika e Veriut. Në Afrikë, shumë prej vdekjeve u regjistruan në shkretëtirën e Saharasë dhe në rrugën detare për në ishujt Kanarie të Spanjës.

Në raport thuhet gjithashtu se 9% e vdekjeve janë shkaktuar edhe nga aksidentet me automjete dhe 7% nga dhuna.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë